Tirana, 10 ditë kohë Memellit. Kaosi, Babasi sjell dy lojtarë, klubi bardheblu nuk i pranon
Migen Memelli është një nga emrat më të përfolur për merkaton e Tiranës. Ai është pa dyshim një nga prioritetet e drejtuesve kryeqytetas për janarin. Te bardheblutë në fakt prej kohësh e kanë në plane futbollistin, ndaj bisedimet me të sa vijnë e intensifikohen. Madje, burime të sigurta pranë lojtarit për “Panorama Sport” zbulojnë se pogradecarit i është bërë edhe një ofertë konkrete për rikthimin e tij në kryeqytet. Nëse vjen, ai do të nënshkruajë një marrëveshje 6-mujore, dhe për këtë hark kohor do të përfitojë një shumë prej afro 50 milionë lekësh të vjetër.
Vendimi Sulmuesi ka shfaqur dëshirën për t’u rikthyer, ndonëse ka kërkuar kohë deri në mesin e janarit për të dhënë fjalën e tij. Konkretisht deri më datë 15, ai do t’u japë një përgjigje përfundimtare donatorëve bardheblu, pra dyshes Halili e Morina. Pogradecari ka një kontratë me klubin arab, ndaj largimi nuk do të ishte një mision lehtësisht i arritshëm. Ndonëse, nga sa mësohet, ecuria jo fort e mirë që ai ka pasur gjatë kësaj kohe tek Al- Faisali, mund të sjellë një “divorc” të mundshëm. Gjatë këtyre ditëve ai do të flasë me drejtuesit e arabëve, e pasi të mësojë planet që ata kanë për të, do të vendosë nëse do rikthehet në vendin e tij, apo vazhdojë aventurën në tokë të huaj.
Rikthimi Së fundmi për këtë futbollist ka dalë në skenë edhe Flamurtari. Në Vlorë po lakohet së tepërmi rikthimi i tij, ndonëse një transferim i tillë duket i pamundur, nisur edhe nga mënyra se si ai u largua në verën e 2013-ës. Gjithsesi, përpos pistës vlonjate, prioriteti i Memellit është vetëm Tirana. Nëse ai do të rikthehet në Shqipëri, destinacioni i vetëm do të jetë kryeqyteti. Megjithatë do të jetë vetëm mesi i muajit që do të përcaktojë të ardhmen e tij, nëse lojtari do bëhet pjesë e bardhebluve apo jo. Ai shihet si një opsion i mirë për sulmin, duke ditur faktin që Tirana ka vuajtur së tepërmi në këtë repart gjatë pjesës së parë të sezonit.
Nga Morina tek Andre, ja çfarë ndodh me merkaton
Tirana synon të afrojë edhe gjashtë futbollistë të tjerë, veç Ilion Likës që tashmë është zyrtarizuar. Bisedimet vazhdojnë, teksa emrat e lakuar deri më tani kanë qenë të shumtë, dhe qëllimi është që të arrihet akordi vetëm me disa prej tyre. Afrimet synohen nga mbrojtja në sulm, pas blindimit të portës. Gjasat janë që të afrohen 5 ose 6 lojtarë (katër prej të cilëve me pasaportë shqiptare, ndërsa dy të tjerë të huaj).
MARIO MORINA – Në Korçë kanë vënë “veton” dhe nuk duan që ta lëshojnë, ndonëse është vetë kushëriri i tij Lul Morina, një prej donatorëve, që tenton ta rikthejë. Lojtari dëshiron të vijë te Tirana, nëse nuk do gjente hapësira te Skënderbeu, por gjithçka do vendoset para nisjes së korçarëve drejt Portugalisë.
ZEJLKO TOMIÇ – Mesfushori kroat prej kohësh ka qenë në planet e bardhebluve, por kontrata që ka me klubin korçar është një problem më vete. Gjasat janë që drejtuesit e Skënderbeut të mos e lënë të lirë, sepse ai është në planet e trajnerit Mirel Josa.
IVAN GVOZDENOVIÇ – Kërkohet rikthimi i Ivan Gvozdenoviçit, por në Korçë po e mbajnë peng, pasi ende nuk i është hequr pezullimi. Nëse vjen te Tirana, lojtarit do t’i përfshihen në kontratë edhe detyrimet e vjetra që klubi ka pasur ndaj tij.
HAMDI SALIHI – Tirana e do, por sulmuesi shkodran është i paqartë. Vetëm në fund të muajit janar do vendosë. Salihi synon të luajë jashtë, por nëse nuk ia del, bardheblutë janë një opsion. Megjithatë në ditët e fundit s’ka pasur asnjë zhvillim.
ERJON DUSHKU – Në Vlorë apo Tiranë, kjo është dilema për Erjon Dushkun. Në kryeqytet e presin, madje më 8 janar ai do vijë të flasë me drejtuesit bardheblu dhe më pas do të përcaktojë se ku do të luajë për pjesën e mbetur të sezonit.
KARLOS ANDRE – Ridel në skenë edhe Karlos Andre Filipe Martins, i përfolur në verë si te Tirana edhe te Partizani. Nëse dy brazilianët që nisin sot provën, Leandro Matias Moris dhe Gilberto Fortunato, nuk do bindin, atëherë një opsion që menaxherët ia kanë ofruar klubit është pikërisht sulmuesi portugez.
Peqini: Kam kërkuar rrogat, në të kundërt shkoj në DHZK
Roland Peqini arriti të luante vetëm dy ndeshje me Tiranën, duke qenë se dëmtimi i pësuar në Shkodër e detyroi t’i nënshtrohej një operacioni. Një ndërhyrje që e ka lënë jashtë për tërë këta muaj. Vetëm janari që sapo ka hyrë do mund ta rikthejë në fushë. Gjithsesi, gjasat janë që në merkaton e dimrit ai të mos jetë pjesë e bardhebluve. Mirëpo lojtari gjatë kësaj kohe jo vetëm që nuk është paguar, por nuk i është mbuluar as operacioni, aq më pak t’i siguronin akomodimin. Mbrojtësi tregon për “Panorama Sport” se ka kërkuar nga administratori i Tiranës, Krenar Alimehmeti, pagat e padhëna, në të kundërt do i drejtohet DHZKsë. “Erdha te Tirana me shumë dëshirë, ndonëse fati e desh që të dëmtohesha. Por është fatkeqësi që një futbollist, i cili dëmtohet në fushë, gjë që u pa prej të gjithëve, të mos paguhet për muaj të tërë, e për më tepër të mos i mbulohen as shpenzimet e operacionit. Gjithçka e bëra me paratë e mia. Absurde! As në ekipet amatore të botës nuk besoj se ndodh kështu. U kam kërkuar drejtuesve të klubit që të shlyhem, përndryshe do i drejtohem Dhomës së Zgjidhjes së Konflikteve. Në këtë periudhë jo të mirë që kalova, jo vetëm që nuk më mbështetën ekonomikisht, por as një telefonatë nuk mora, sa për të më pyetur si jam me shëndetin. Po pres edhe pak, më pas do veproj”, – u shpreh Roland Peqini, duke na rrëfyer të vërtetat e tij për këtë situatë.
Ekipi zbret në fushë, sot zbardhet “lista e zezë”
Tirana nis sot zyrtarisht përgatitjet. Pas 9 ditësh pushim për festat e fundvitit, lojtarët do të vihen nën urdhrat e Gugash Maganit. Pritet që më në fund pas shtyrjeve të mësohet edhe “lista e zezë” e largimeve. Do të ketë skarcime, teksa disa futbollistë nuk janë njoftuar për nisjen e stërvitjes, ndonëse emrat mbahen sekret. Sipas llogarive, nuk do të jenë lojtarët që kanë pasur më pak hapësira. Numri mund të shkojë deri në katër. Dilema ka edhe për Mensur Limanin, teksa nuk dihet nëse do të kthehet apo jo sot. Sakaq, bashkë me grupin sot do të nisin përgatitjet edhe dy brazilianët Leandro Matias Moris dhe Gilberto Fortunato, të cilët do i nënshtrohen një prove te bardheblutë. Atyre u janë prerë biletat e avionit dhe mësohet se kanë mbërritur dje në tokën shqiptare. Këta konsiderohen si alternativa të mira, sepse nga pamjet që stafi teknik ka parë, kanë mbetur të kënaqur. Gjithsesi, një konfirmim më i drejtpërdrejtë do shërbejë për të vendosur “veton”. I pari luan si organizator dhe së fundmi ka luajtur për Alto Acres në Brazil. Kurse sa i përket Gilbertos, i cili luan si sulmues pykë, së fundmi ka qenë në Vietnam, ku është aktivizuar te Hai Phong. Veç tyre mund të ketë edhe ndonjë fytyrë të re, pasi vetë Magani deklaroi për gazetën se sot do u bashkohen tre lojtarë për provë.
ADELA MERKO
Kaosi, Babasi sjell dy lojtarë, por klubi nuk i pranon
Nuk ka qetësi te Tirana as në këtë kohë merkatoje. Natyrisht drejtuesit e klubit, duke filluar që nga dy donatorët Lul Morina e Refik Halili, si dhe administratori Alimehmeti, janë në terren për të afruar lojtarë cilësorë, por nga ana tjetër ish-donatori Ndriçim Babasi ka ndërhyrë dje duke sjellë në klub dy lojtarë nga Franca. Sipas informacioneve ky i fundit ka telefonuar dje trajnerin e Tiranës, Gugash Magani, për ardhjen e dy lojtarëve, duke i kërkuar këtij të fundit që t’i provojë në seancën e parë stërvitore për vitin e ri, e cila starton zyrtarisht ditën e sotme. Bëhet fjalë për një sulmues që dy sezonet e fundit ka luajtur në Maltë, ku ka arritur të shënojë vetëm një gol, si dhe për një mesfushor që është aktivizuar në kategoritë inferiore në Francë. Nisur jo vetëm nga CVja e varfër, por edhe nga fakti që Babasi është larguar zyrtarisht nga Tirana, trajneri Magani ka kërkuar më shumë informacione por edhe OK-in e drejtuesve të klubit, para se të testonte këta dy lojtarë. Në fillim edhe vetë tekniku ka qenë kundër, kjo pasi dëshiron që të ketë një grup sa më të konsoliduar, duke lënë pas periudhën kur klubi bardheblu ishte kthyer në autoshkollë. Kujtojmë që vetëm në dy muajt e fundit të vitit të kaluar, te Tirana kanë shkuar shumë lojtarë për provë, të cilët kanë rezultuar të dështuar. Në këtë aspekt, Magani pat kërkuar që ta startojë fazën përgatitore vetëm me ata lojtarë që mendohet se do jenë pjesë e skuadrës për pjesën e dytë të sezonit, duke hequr dorë tashmë nga testimet pa fund. Kësisoj, në orët e vona të mbrëmjes së djeshme është vendosur nga ana e drejtuesve që asnjë futbollist që nuk miratohet më parë nga administratori Krenar Alimehmeti dhe dy donatorët që financojnë tashmë Tiranën, Morina dhe Halili, nuk do të merret në provë nga trajneri. Kështu, më shumë gjasa, sot dy lojtarët e ardhur nga Franca mund të paraqiten në kompleksin stërvitor “Skënder Halili”, ku përgatitet Tirana, por zor se do mund të futen në grupin që drejton aktualisht Magani. Kujtojmë se ish-donatori Ndriçim Babasi u largua nga drejtimi i Tiranës pas barazimit të bardhebluve me Teutën, e cila ishte edhe ndeshja e fundit e kryeqytetasve për vitin e shkuar.
LEONARD KARAJ