Tirana barazon me Laçin, Dede këmbëngul: Më duhen kualitete të tjera dhe Gilman Lika
Nevil Dede nuk e konsideron ende të kompletuar grupin e tij. Trajneri i Tiranës pret afrimet e kërkuara, pasi vetëm kështu mund të forcohet skuadra dhe të jetë e gatshme për ta përballuar kampionatin. Tregon pritshmëritë e tij për merkaton dhe këmbëngul për Gilman Likën, të cilin e konsideron një element që i duhet skuadrës së tij. Fill pas miqësores së zhvilluar dje, gjatë një interviste të dhënë për mediat tekniku foli edhe për gjendjen e grupit që ka aktualisht, ku veçon formën e mirë të repartit ofensiv.
U mbyll edhe një tjetër miqësore, çfarë përfituat nga kjo sfidë?
Edhe një herë pashë grupin e lojtarëve që kemi në dispozicion aktualisht, përfshi edhe ata që kanë ardhur rishtazi. Më shumë se rezultati në këto prova, për ne vlen loja që zhvillojmë.
A ju bindi loja?
Jo, nuk ishte në nivele të kënaqshme, ndaj mendoj se kemi ende shumë për të përmirësuar. Jemi në periudhë përgatitoreje, ndaj kemi ende kohë që të vazhdojmë punën në këtë drejtim.
Sa i përket merkatos, ka pasur zhvillime?
Vazhdojmë tratativat, por për këtë pjesë duhet të pyesni klubin. Unë thjesht bëj kërkesat, ndërsa bisedimet i bëjnë drejtuesit. Jemi pak vonë në fakt për merkaton, ndaj shpresoj që shumë shpejt gjithçka të mbyllet.
Pse po vjen kjo vonesë, prej financave?
E sqarova edhe më lart, unë kam hartuar një listë dhe është klubi që po merret me tratativat. Nuk e di nëse janë financat apo çështje të tjera që po i vonojnë firmat. Kjo nuk është çështje që më takon mua.
Si janë raportet me klubin, jeni duke i ndjekur lëvizjet administrative. Si në rastin e Ilion Likës?
Raportet me klubin janë të mira, por unë nuk merrem me çështjet administrative, apo ato gjyqësore. Unë merrem me çështje teknike, mund të flas për ndeshjen, për merkaton dhe kaq.
Gilman Lika aktualisht është në Korçë, vazhdon të jetë në planet tuaja shkodrani?
Lika është një lojtar që mbetet në planet e mia, të cilin e dua në skuadër për sezonin e ri futbollistik. Për mua, ai bën diferencën.
Faza përgatitore do të vazhdojë jashtë vendit?
Mirë është që të vazhdojmë fazën përgatitore dhe sigurisht që ajo të zhvillohet jashtë Tiranës. Nëse realizohet, do të ishte shumë mirë.
Me këtë Tiranë që keni tani, mendoni se rrezikoni mbijetesën?
Kësaj pyetjeje do t’i jap përgjigje vetëm pasi të nisë java e parë e kampionatit. Është herët që të dal në konkluzione dhe objektiva.
Prova e kampionatit, bardheblutë vetëm barazim kundër Laçit
TIRANA – LAÇI 1-1
GOLAT: Çota 13’/ Ndreka 23′
TIRANA: Çaka, Sina, Llënga, Hoxhallari, Muça, Taku, Peposhi, Çaço, Kastrati, Hoxha, Çota; Trajner: N.Dede U aktivizuan: Marku, Hysenbelliu, Tafaj, Kalari, Sorra, Rroshi, Lapardhaja.
LAÇI: Llani, Çarls, Ndreka, Doda, Sefgjini, Zefi, Danaj, Xhixha, Shazivari, Jubani, Vucaj; Trajner: S.Nica U aktivizuan: Bakaj, Bushi, Ajazi, Haliti, Naska, K.Bardhi, R.Bardhi
Tirana ka barazuar 1-1 kundër Laçit. Kjo miqësore ka vendosur përballë këto dy skuadra, të cilat edhe në javën e parë të kampionatit do të ndeshen sërish. Më shumë se rezultati, të dy trajnerët e kanë parë këtë përpallje si një test për grupin dhe lojtarë të veçantë, të cilët janë afruar rishtazi. Takimi, i luajtur në “Selman Stërmasi” në orën 18:00, pati interesimin e 200 tifozëve të dy ekipeve. Goli i shënuar nga Çota në të 13-ën minutë, u barazua 10 minuta më vonë prej Ndrekës, pas një gabimi të qendërmbrojtës bardheblu. Këto gola u realizuan në fraksionin e parë, pasi në të dytin rrjetat mbetën të paprekura, ndonëse u krijuan më shumë raste të pastra.
Ndeshja – Takimi nis shpejt, ndërsa të dy trajnerët për 45 minuta të plota nuk kryejnë lëvizje në formacionet e tyre. Laçi, nisur edhe nga fakti që ka kohë që i ka nisur përgatitjet, u shfaq më mirë fizikisht, por edhe Tirana nuk mbeti pas. Ndonëse loja që u prodhua, ishte nën nivelin mesatar. Në të 13-ën minutë, një pasim i Muçës për Çotën, bën që ky i fundit të shfaqet i saktë. Sulmuesi, pasi e parakalon mbrojtësin Ndreka, e dërgon me lehtësi topin në rrjetë dhe 1-0. Loja vazhdon dhe bardheblutë kanë kontrollin e topit për disa minuta, por në të 23-ën minutë një gabim i qendërmbrojtës kryeqytetase bën që Ndreka të përfitojë dhe baraspeshojë shifrat. Rastet nuk mungojnë, por sulmuesit gabojnë në finalizim, kjo edhe falë meritës së portierëve, konkretisht Çakës dhe Llanit. Sakaq, pjesa e dytë nis me ndryshime në të dyja kampet, teksa trajneri Dede fut lojtarë si Hysenbelliu, apo të tjerë të ardhur së fundmi. Loja bëhet më e bukur, çka kuptohet nga rastet e shumta që u krijuan. Hysenbelliu pati dy raste të bukura në gjysmën e dytë të këtij fraksioni, por në të dy rastet ka grushtuar portieri Bakaj, i futur edhe ky në pushim të takimit. Megjithatë, deri në fund të lojës nuk pati ndryshime në shifra dhe ekipet u ndanë në “paqe”.
Nica: Paraqitje e mirë, por duhen afrime në sulm
Trajneri i Laçit, Stavri Nica, përgjithësisht ka mbetur i kënaqur nga paraqitja e ekipit në fushë, ndonëse e sheh të nevojshme që të bëhen ndërhyrje të tjera në merkato. Veç portës, të cilën e konsideron të blinduar me Bakajan dhe Llanin, për tri repartet e tjera thotë se ka ende nevojë për afrime, sidomos në sulm. “Ndeshje në kompleks e mirë, duke qenë se jemi në periudhë përgatitjesh. Na shërben për të parë se ku jemi, pas disa ditëve pauzë që bëmë. Mendoj se kemi ende punë për të bërë, për të marrë ngarkesat e plota deri në startin e kampionatit. Sa i përket merkatos, në javën e ardhshme do të flas me presidencën për të diskutuar. Kemi nevojë për ndërhyrje, në të tri repartet, përveç portës. Megjithatë, fokusi duhet vënë te sulmi, pasi nuk e kemi një lojtar të mirëfilltë për këtë sektor”, – tha trajneri.
Vijojnë bisedimet, Cikalleshi pranë afrimit
Te Tirana synojnë që të afrojnë të tjerë lojtarë. Prej kohësh janë lakuar emra, mirëpo disa prej tyre janë sfumuar si pista, duke qenë se kanë arritur marrëveshje me klube të tjerë. Edhe pse trajneri Dede mësohet të ketë kontaktuar me disa futbollistë brenda vendit, por edhe në kampionatin kosovar e maqedonas, i cili gjithmonë e më shumë po i furnizon me lojtarë ekipet shqiptare, deri tani nuk ka pasur asnjë zyrtarizim. Nga emrat e lakuar, ai i Cikalleshit duket më pranë se të tjerët, nisur edhe nga dashuria që ka lojtari për t’u rikthyer me bardheblutë, pas eksperiencës së dy viteve më parë.
ADELA MERKO