Tirana dështon dhe në kupë, eliminohet nga Lushnja. Magani: Zhgënjyem, faji është i imi
TIRANA-LUSHNJA 1-1
GOLAT: Karabeci 31’/ Canka 111′
TIRANA: Çaka, Pashaj, Sina, Vrapi, Kotobelli (Kalari 61′), Kërçiku, Taku (Kurti 93′), Karabeci, Limani, Hoxha, Çota (Semedo 46′); Trajner: G.Magani.
LUSHNJA: Spaho, Sula, Bjelankoviç (Dervishi 112′), Bizhyti, Sulo (Ndoni 106′), Koresji, Mihani, Gjyla, Tiodoroviç (Topi 62′), Trashi, Canka ; Trajner: A.Bano.
KARTONË TË VERDHË: Kërçiku 19’+109′, Vrapi 36′, Semedo 46′, Sina 99’/ Trashi 34′, Bjelankovi 41′, Canka 111′
KARTON I KUQ: Kërçiku 109′
VËZHGUES: Enton Lita (Tiranë)
DELEGAT: Besnik Kaimi (Tiranë)
GJYQTARET: R.Sadiku, E.Gançi, A.Mahmuti (Elbasan)
MINUTAT
1′ Rast i artë për Tiranën, Çota tenton, Sulo largon, por topi kthehet sërish te sulmuesi, i cili gjuan sërish, por këtë herë largon portieri.
7′ Gjyla kroson për Korreshin, që godet nga jashtë zone, por nuk gjen portën.
12′ Kërçiku bën gjithçka mirë, pason te Hoxha, gjuan, por portieri mik neutralizon rrezikun.
13′ Limani kombinohet me Hoxhën, i cili ka një rast ideal, por nuk gjuan siç duhet.
14′ Karabeci provon nga distanca, pret Spaho.
21′ Kërçiku merr krahun, gjuan fuqishëm, pret portieri mik.
28′ Goditje dënimi, Karabeci kroson te Taku, i cili edhe pse ishte në një pozicion të volitshëm e dërgon atë në duart e Spahos.
31′ Goditje dënimi për Tiranën, ekzekuton sërish Karabeci, dhe këtë herë e dërgon topin drejt e në rrjetë, 1-0.
36′ Sulo merret vesh me Trashin, i cili gjuan me kokë, por topi përfundon vetëm jashtë.
47′ Kërçiku avancon në mesfushë, në momentin që do gjuante, Spaho del jashtë zone dhe e largon rrezikun.
50′ Kërçiku parakalon Gjylën, pason te Limani, që gjuan, por mbi tra.
71′ Finte e Kalarit, që nxjerr një top perfekt për Çotën, i cili futet bukur në zonë, por gabon në goditjen finale.
74′ Ka rrëmujë në zonën e Tiranës, Çaka shfaq siguri me topin, por ndërhyrja e mbrojtjes largon çdo rrezik.
80′ Gjyla provon, pret Çaka.
84′ Taku merret vesh mirë me Çotën, por sulmuesi gjuan keq.
92′ Një top i kthyer për Takun mund të sillte golin e suksesit, por gjuajtja e mesfushorit pritet nga Spaho.
96′ Kalari kombinohet me Kërçikun, por gjuajtja e tij pritet nga portieri.
101′ Goditje dënimi, Kalari ekzekuton mirë, por topi prek vetëm traversën.
102′ Kundërsulm i Lushnjës, Canka rrezikon, por nuk gjen portën.
111′ Goditje dënimi, ekzekuton Mihani, topi shkon te Canka, i cili me kokë e dërgon topin në rrjetë dhe 1-1.
Tirana dështon në kupë. Bardheblutë janë eliminuar në shtesë dje nga Lushnja, duke i dhënë kështu lamtumirën këtij kompeticioni. Edhe pse ndeshja përfundoi 1-1, goli i Mikel Cankës në minutën e 111-të ka qenë fatal për kryeqytetasit. Perla e Erando Karabecit në të 31-n nuk ka mjaftuar, pasi me rezultatin final 2-1, janë verdhejeshilët ata që kalojnë në çerekfinale, atje ku do të përballen me skuadrën e Teutës. Ekipi i Maganit, edhe pse ka zhvilluar një ndeshje të mirë në kompleks, me raste të shumta të krijuara, vazhdon të ndëshkohet nga gabimet e veta. Sulmi vazhdon të mos funksionojë, duke shpërdoruar raste pa fund dhe porta vazhdon të jetë e pasigurt. Repartet më të mira për miqtë janë mbrojtja dhe mesfusha, që për minuta të tëra kanë luftuar dhe nuk janë dorëzuar. Por, duket se kaq është shumë pak për një ekip që është kapluar nga kriza. Një krizë që duket e pamundur për t’u kapërcyer.
Ndeshja Ndeshja nis shpejt për Tiranën. Që në sekondat e para bardheblutë kanë një rast ideal për të shënuar. Çota i afrohet zonës, gjuan, por Sulo largon rrezikun. Topi kthehet sërish te këmbët e sulmuesit, që tenton përsëri, por portieri i miqve tregohet më i shpejtë e më i saktë dhe neutralizon rrezikun. Ky sinjal dëshmon se vendësit e kanë marrë seriozisht dhe synojnë përmbysjen e rezultatit. Bardheblutë vazhdojnë të këmbëngulin, teksa Kërçiku shfaqet frymëzues në çdo aksion. Në të 12-n mesfushori bën gjithçka mirë, pason te Hoxha, gjuan, por portierit grushton në kohë. Pak sekonda më vonë Limani kombinohet me Hoxhën, i cili ka një rast ideal, por nuk gjuan siç duhet. Në të 14-n është Karabeci që mundohet të bëjë diçka vetë, por gjuajta e tij nga distanca pritet nga Spaho. Kalojnë minutat dhe në të 21-n është Kërçiku që merr krahun, gjuan fuqishëm, pret portieri mik. Rast i volitshëm për bardheblutë është edhe ai i 28′: goditje dënimi, Karabeci kroson te Taku, që gjuan, por Spaho pret pa shumë vështirësi. E megjithatë, përpjekjet e vazhdueshme të Tiranës gjejnë rezultat në të 31′. Goditje dënimi për Tiranën, ekzekuton sërish Karabeci, dhe këtë herë e dërgon topin drejt e në rrjetë. Pjesa e parë nuk sjell më ndryshime. Sakaq, 45-minutëshi i dytë nis me të njëjtën pamje, pra me një Tiranë më agresive, e cila fiton mesfushën e miqve dhe krijon më shumë. Në të 47-n Kërçiku avancon në mesfushë, në momentin që do gjuante, Spaho del jashtë zone dhe largon rrezikun. Sërish mesfushori provon tri minuta më vonë, i cili pasi parakalon Gjylën, pason te Limani, që gjuan, por mbi tra. Në të 71-n Kalari i nxjerr një top perfekt Çotës me finte, i cili futet bukur në zonë, por gabon në goditjen finale. Bardheblutë nuk dorëzohen, duke shpresuar te një tjetër gol dhe kalimi i këtij kompeticioni. Në të minutën e 92-të, e fundit e kohës së rregullt, Tirana pat shansin që të mbyllte gjithçka aty. Një top i kthyer për Takun mund të sillte golin e suksesit, por gjuajtja e mesfushorit pritet nga Spaho. Mbyllet këtu koha e rregullt.
Shtesa Shtesa nis me bardheblutë serish në sulm, teksa në të 96-n Kalari kombinohet me Kërçikun, por gjuajtja e tij pritet nga portieri. Ka një tjetër tentativë në 101′, teksa Kalari ekzekuton një goditje dënimi, por topi prek vetëm traversën. Kundërsulmi i shpejtë i Cankës sjell rrezik, por sulmuesi nuk gjen portën. Ky 15-minutësh mbyllet këtu. E dyta nis me të njëjtin ritëm, ndonëse pak më e luftuar. Në të 10′ Kërçiku ndëshkohet me të dytin e verdhë, dhe gjyqtari e nxjerr jashtë me të kuq dhe akordon goditje dënimi për Lushnjën. Episod fatal ky për Tiranën. Në të 111′ ekzekuton Mihani, topi shkon te Canka, i cili me kokë nuk gabon dhe e dërgon topin drejt e në rrjetë, 1-1. Gol ky që shoqërohet me festë te lushnjarët, sakaq bardhebluve nuk u mbeti gjë tjetër veçse të largoheshin kokulur nga “Qemal Stafa”.
Magani: Zhgënjyem, faji i imi
Gugash Magani e quan pa dyshim një dështim eliminimin nga Kupa e Shqipërisë. Trajneri i Tiranës ka mbetur i zhgënjyer nga panorama e ndeshjes me Lushnjën dhe fakti që kjo skuadër nuk arrin dot ta dërgojë topin në rrjetë. Madje, të gjitha përgjegjësitë e këtij skualifikimi i merr vetë. Në intervistën e dhënë pas 120 minutave të luajtura dje në “Qemal Stafa”, tekniku peqinas i ka bërë një analizë takimit, por nuk nguron të flasë edhe për të ardhmen. Nuk dëshiron të dorëzohet, pasi kërkon që ta çojë misionin deri në fund, ndonëse e pranon se gjithçka është e vështirë. E megjithatë, duket se janari do të jetë vendimtar për fatin e kësaj Tirane, teksa trajneri kërkon reformë.
Tjetër goditje e rëndë për Tiranën, tashmë vjen edhe eliminimi nga Kupa e Shqipërisë…
Më vjen keq që gjërat shkuan kështu. E thashë edhe një ditë më parë se në rast se nuk do t’ia dilnim, ky do të quhej pa dyshim zhgënjim dhe dështim për ne. Këtu përfshij veten dhe ekipin. Sikundër e pata deklaruar, nëse do eliminoheshim do të merrja përgjegjësitë e mia. E ndjej veten fajtor. Nëse para kësaj sfide nuk mund të merrja përgjegjësi, sepse kisha pak kohë në krye të ekipit, tashmë kjo gjë ndryshon.
Çfarë nuk shkoi si duhet, sepse skuadra vazhdon të prodhojë lojë dhe të krijojë raste?
Mund të luash futboll, të krijosh raste, por kur nuk shënon, atëherë gjithçka e mirë që mund të realizosh zhvlerësohet. Ky eliminim është i rëndë. Ne thamë që na duhej një fitore morali dhe për të dalë nga kriza. Por ekipi është tepër rëndë psikologjikisht dhe e ka të vështirë të zhbllokohet. Dhe kur nuk je i qetë në mendje, atëherë bllokohen edhe këmbët. Këto janë të lidhura me njëra-tjetrën.
Si e gjykoni sjelljen e tifozëve në fund të ndeshjes?
Tifozët u shfaqën të zhgënjyer në fund. U kërkoj falje, sepse ata më kanë mbështetur dhe e kanë mirëpritur ardhjen time këtu.
Çfarë do të ndodhë në të ardhmen?
Unë nuk kam ardhur për të bërë emër, jam këtu për të ndihmuar Tiranën. Erdha me një ide të qartë, që të bëja diçka të mirë dhe të shmangim së bashku rënien nga kategoria. Megjithatë, pas ndeshjes me Teutën do të ulem me drejtuesit për të folur dhe parë se çfarë duhet bërë në të ardhmen, nëse ka diçka për të bërë.
Doni të thoni që mund të rishikoni pozicionin tuaj?
Të dorëzohem?! Jo, nuk e kam në karakter ta bëj diçka të tillë.
Për çfarë ka nevojë kjo skuadër që të rimëkëmbet?
Kjo skuadër ka nevojë të reformohet, por kjo gjë duhet bërë në mënyrë profesionale. Nëse nuk do të jetë kjo zgjidhja, atëherë edhe unë do ta rishoh të ardhmen time.
“E merituam kualifikimin, pas 21 dhjetorit vendosim të ardhmen”
Artan Bano është i lumtur për kualifikimin. Sipas tij, ky sukses do t’i shërbejë skuadrës në aspektin moral, duke qenë se Lushnja e tij nuk ka pretendime në kupë. Në fund të takimit, numri një i stolit të verdhejeshilëve përgëzon të tijtë për lojën që zhvilluan dhe shpirtin e garës. “Besoj se e merituam kualifikimin, zhvilluam një ndeshje të mirë. Ndoshta më të mirën për të gjithë këtë sezon futbollistik, ndaj jam i kënaqur për këtë pjesë. Në kushte të tilla nuk më mbetet tjetër veçse të përgëzoj ekipin tim për atë çka dha në fushë. Nuk e kishim objektiv Kupën e Shqipërisë, por u futëm në fushë për ta kaluar këtë raund. Luajtëm për të fituar, por falë barazimit ne ia dolëm të kalonim në çerekfinale. Ky triumf na shërben për të mbajtur në tonus grupin për kampionatin. Përpara kemi një takim delikat me Skënderbeun, që e presim në shtëpi. Edhe përballjen me Tiranën, në fakt, e vumë në funksion të 90 minutave të radhës. Dua të falënderoj ndërkaq tifozët bardheblu, pasi dëshmuan qytetari me duartrokitjet e tyre. Futbolli kështu është, njëri fiton e tjetri humbet”, – tha fillimisht Bano. Më tej, i pyetur për krizën financiare, trajneri i Lushnjës u përgjigj: “Ne kemi probleme në aspektin financiar, por si një klub bashkiak. Bashkë me lojtarët kemi rënë dakord që të luajmë dhe japim më të mirën deri më 21 dhjetor. Më pas, unë nuk e di se çfarë do të ndodhë. Nëse do mund ta ruajmë këtë skuadër apo nëse do të përforcohemi, do e vendosim më vonë. Duhet të shohim se cilat do të jenë mundësitë e bashkisë dhe më pas do të përcaktojmë të ardhmen”.
Heroi Canka: I lumtur për golin që dha kualifikimin
Në minutë e 111-të bëri detyrën, kur me një goditje të saktë me kokë e dërgoi topin në rrjetë. Një gol që ngriti peshë tifozët e paktë lushnjarë të ndodhur në “Qemal Stafa”, stafin teknik dhe të gjithë lojtarët në fushë. Mikel Caka është pa dyshim i lumtur për golin dhe këtë nuk nguron ta shfaqë edhe për mediat. Në fund të takimit, në një deklaratë të dhënë, ai tregon se ky triumf do i shërbejë Lushnjës së tij për takimin pasardhës me Skënderbeun. “Jam i lumtur, e sidomos pasi goli që unë shënova i dha skuadrës të drejtën që të kalojë në çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë. Vërtet ky kompeticion nuk është në objektivat tanë, megjithatë duam të dëshmojmë se jemi dinjitozë. Nuk ishte fort e lehtë, por i treguam Tiranës për të disatën herë se ne nuk jemi ai ekipi inferior. Përkundrazi mund t’i eliminojmë edhe ata, dhe kështu vepruam. Tani shpresojmë që radhën ta ketë Skënderbeu. Respekt tifozëve bardheblu, të cilët janë realisht të mrekullueshëm. Na duartrokitën, ndaj nuk na mbetet veçse t’i falënderojmë. Ai veprim i tyre ishte tepër domethënës për ne”, – tha Canka, i cili falënderoi ultrasit vendës, por sigurisht pa harruar edhe ata lushnjarë. Paskëtaj ai shpjegoi se, edhe pse mund të kenë probleme, ata dinë që të mos i reflektojnë ato në fushë. “Krizë ekonomike kanë të gjitha skuadrat, por kjo nuk mund të ndikojë kurrsesi në lojën tonë. Ne zbresim në fushë, luajmë futboll dhe u gëzohemi rezultateve”.
Lushnjarët, “mace e zezë” për bardheblutë
Lushnja është kthyer në një “mace të zezë” për Tiranën. Në katër ndeshje të luajtura për këtë sezon ndaj këtij kundërshtari, kanë fituar vetëm një gjatë fazës së parë të kampionatit dhe atë falë një penalltie. Dy ndeshjet që bardheblutë i luajtën në transfertë ndaj verdhejeshilëve i kanë humbur, në 2-1 dhe tjetrën 1-0, ndërsa ajo e djeshmja u mbyll 1-1. Bilanci është pozitiv për lushnjarët, të cilët me këto statistika dalin favoritë ndaj ekipit më të titulluar në vend. Skuadra e drejtuar nga Bano u ka dhënë “leksion” kryeqytetasve. Lushnja ka disa muaj pa rroga dhe në asnjë moment ata nuk reflektojnë krizën ekonomike, por vazhdojnë që të japin rezultate…
Tifozët bardheblu kundër lojtarëve: Hiqni fanellat!
“Hiqni bluzat, nuk e meritoni këtë fanellë”. Kanë qenë këto fjalët e tifozëve bardheblu në fund të ndeshjes me Lushnjën, thirrje në kor që i kanë shoqëruar futbollistët bardheblu deri sa u larguan nga tuneli i “Qemal Stafa”-s. Por, me një gjest tepër demonstrativ, kanë duartrokitur skuadrën kundërshtare, Lushnjën, duke i përgëzuar për atë çka dhanë në fushë. Vazhdojnë të largohen të zhgënjyer nga shkallët e stadiumit. Për javë të tëra tifozët e Tiranës janë në pritje të një fitoreje, por ajo ka javë që mungon. E njëjta panoramë i shoqëroi edhe dje. Një ekip që funksionon mirë në mesfushë, krijon raste, por gabon para porte. Duket se durimi është sosur dhe këtë e reflektuan pas skualifikimit që u shkaktoi Lushnja dje.
Kriza, Tirana 7 ndeshje që s’njeh fitore
Shtatë ndeshje radhazi pa asnjë fitore. Është ky bilanci negativ i Tiranës në të dyja kompeticionet. Fitorja e fundit që bardheblutë mbajnë mend është disi e largët, më 6 nëntor 2011, dhe pikërisht në turin e parë të kupës, përballë Albpetrolit të Kategorisë së Parë. Asokohe ekipi drejtohej nga Alpin Gallo, por që prej atij takimi bardheblutë vetëm kanë pësuar zhgënjime. Seria e humbjeve nisi me Kukësin, e për të vazhduar me Laçin dhe Lushnjën, për të kaluar te barazimi me Vllazninë dhe më pas humbja në Korçë. Sakaq, në dy ndeshjet e turit të dytë të kupës përballë Lushnjës, një e humbën në transfertë dhe më të fundit e barazuan në kryeqytet.
ADELA MERKO