Tirana dhe Partizani, paqe në derbin e… “mëkateve”. Bulku: Sulmi ynë u furnizua pak

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 27, 2014 | 23:40

Tirana dhe Partizani, paqe në derbin e… “mëkateve”. Bulku: Sulmi ynë u furnizua pak

Tirana-Partizani 0-0. Bulku ne dyluftim me BathenTIRANA-PARTIZANI 0-0
TIRANA: Frashëri, Taku, Muça, Curri, Kalari, Karabeci, Bulku, Bushiç (Kagere 66′), Bakaj, Ndikumana (Malaj 84′), Morina (Olaki 76′). Trajner: G.Magani. (Në dispozicion: Cake, Pashaj, Idrizaj, Hyshmeri).
PARTIZANI: Hoxha, Fejzullahu, Rrahmani, Vrapi, Cuculi, Vila, Batha, Nexhipi (Osmanaj 93′), Mazrekaj (Fazliu 79′), Raçiç (Daja 90′), Trashi. Trajner: Sh.Duro. (Në dispozicion: Xhika, Dishliev, Mustafa, Vatnikaj).
KARTONË TË VERDHË: Bulku 37′, Batha 59′, Vrapi 68′, Kalari 68′, Muça 75′, Curri 92′
VËZHGUES: P.Kotherja (Tiranë)
DELEGAT: B.Çela (Tiranë)
GJYQTARET: B.Pashaj, D.Rexha, R.Avdo (Tiranë)

MINUTAT
7′ Aksioni i parë i ndeshjes i përket Tiranës. Pasime të shumta në mesfushë dhe topi përfundon te këmbët e Bulkut, i cili provon goditjen nga rreth 25m, por pret Hoxha në pozicion.
9′ Partizani i afrohet për herë të parë portës së Tiranës. Megjithatë, goditja e Bathës nga jashtë zone është shumë e lehtë dhe Frashëri pret pa vështirësi.
11′ Goditje dënimi nga rreth 25m për Tiranën. Ka një skemë të bardhebluve. Dy futbollistë dalin përpara topit dhe, në momentin e fundit, largohen kur godet Kalari shumë bukur dhe Hoxha pret me vështirësi duke shpëtuar portën e kuqe nga një gol i sigurt.
52′ Aksion i bukur i Partizanit. Nexhipi vertikalizon për Raçiç, që i afrohet zonës dhe shërben për Vilën në të djathtë. Ky i fundit tenton të pasojë sërish për sulmuesin serb, por gabon, pasi topi merret nga mbrojtësit bardheblu. Të kuqtë humbasin një rast të mirë.
72′ Vila lëviz mirë në të djathtë dhe kroson në zonë për Nexhipin, i cili nuk arrin të mbërrijë në kohë.
86′ Rasti më i pastër i sfidës. Nexhipi, nga një goditje dënimi nga e djathta, kroson në zonë, ku tre futbollistë të kuq dalin të vetëm përballë Frashërit dhe Fazliu godet me kokë, por bardheblutë janë me fat, pasi topi kalon ngjitur me shtyllën pingule.

Derbi i djeshëm ndërmjet Tiranës dhe Partizanit sigurisht që mund të konsiderohet më “i shëmtuari” për sa i përket atmosferës në stadium. Pa tifozë dhe ngacmime që sjellin sfida të tilla, të dyja skuadrat e kanë të vështirë që të ndiejnë atë emocion me stadiumin e mbushur. Një derbi “i mëkateve”. Futbolli iu dorëzua një grupi të vogël ultrasish që shkaktuan incidentet e dhunshme në sfidën që u zhvillua përpara dy javësh në Shkodër ndërmjet skuadrës vendëse dhe Tiranës. Ajo situatë u reflektua dje, kur u luajt një derbi pa tifozë. Shqipëria humbi një reklamë të mirë dhe të bukur për imazhin e futbollit të saj. Mijëra tifozë të të dyja kampeve, por jo vetëm, u privuan nga atmosfera e zakonshme elektrizuese që ngjall një derbi. Një sfidë që nuk u ngjit në nivelin që prisnin të gjithë, duke parë përbërjen e të dyja ekipeve dhe lojtarët me shumë emër dhe cilësorë që janë pjesë e skuadrave. Pak raste shënimi, gabime në pasime, ndërhyrje të ashpra në disa raste dhe vetëm një barazim i bardhë në fund.
Pjesa e parë flet thuajse e gjitha për Tiranën, ndërsa e dyta për Partizanin që në sfidën e djeshme, më shumë mendoi për mbrojtjen se sa për sulmin. Dy raste janë për t’u diskutuar shumë për sa i përket moviolës, ndërsa në fund, Tirana e Partizani ngjiten në dy vendet e para të klasifikimit me pikë të barabarta, me nga 11. Bardheblutë në krye, pasi kanë shënuar më shumë gola, dhe të kuqtë të dytët. Të paktën, deri sot. Pjesa e parë Të dy trajnerët hedhin në fushë formacionet më të mira. Duro aplikon skemën 4-1-4- 1 duke preferuar Trashin në fushë dhe lënë Fazliun në stol. Nga ana tjetër, Magani i ka të gjithë dhe sulmi i besohet Morinës dhe Bushiç. Bardheblutë fitojnë terren që në minutat e para. Morina, Ndikumana dhe Bulku janë më të lëvizshmit. Skuadra e Maganit ushtron presion dhe ndërton, por mungon finalizimi. Në 2-3 raste provon Bulku nga jashtë zone duke e vënë në vështirësi gardianin e kuq, por pa arritur të shënojë. Në minutën e 11-të, Kalari provon nga goditja e dënimit nga jashtë zone dhe gjuajtja e tij është e bukur, por pret me shumë vështirësi Hoxha duke shpëtuar portën e tij nga një gol i sigurt. Partizani në këtë pjesë të parë i kushton më shumë rëndësi mbrojtjes. Për të kuqtë, në këtë 45-minutësh regjistrohen vetëm dy goditje në portë, një e Bathës dhe një e Mazrekajt. Por, të dyja janë të parrezikshme. Nuk ka më histori dhe pjesa e parë mbyllet në barazim 0-0.
Pjesa e dytë Trajnerët u besojnë të njëjtave formacione dhe nuk ka ndryshime. Por, në fushë shihet se Partizani ka hyrë me një tjetër mentalitet. Të kuqtë bëjnë presion më lart në fushë duke u afruar deri te zona e bardhebluve, në një kohë që ekipi hapet më shumë në fushë. Dhe në minutën e 52-të vjen një aksion shumë i bukur i “demave”. Është Nexhipi që vertikalizon bukur për Raçiç që i drejtohet zonës dhe shërben për Vilën në të djathtë, por ky i fundit tenton të pasojë sërish për sulmuesin serb, por gabon pasi topi merret nga mbrojtësit bardheblu. Të kuqtë humbasin një rast të mirë. Tirana e humbet agresivitetin e pjesës së parë. Morina, Bulku, Ndikumana dhe Bushiç e kanë shumë të vështirë të depërtojnë në zonën e kuq. Magani ndërhyn duke nxjerrë Bushiç për Kageren. Ky i fundit i jep më ritëm sulmit bardheblu, por sërish nuk është ajo që pritet. Partizani vazhdon të sulmojë dhe krijon disa aksione, por mungon finalizimi. Më pas, trajneri bardheblu nxjerr edhe Morinën për Olakin. Nga ana tjetër, Duro e bën zëvendësimin e parë në minutën e 79-të duke nxjerrë Mazrekajn për Fazliun. Dhe ky i fundit krijon menjëherë rrezik në portën e Tiranës. Në minutën e 86-të vjen rasti më i pastër i sfidës. Nexhipi, nga një goditje dënimi nga e djathta, kroson në zonë aty ku tre futbollistë të kuq dalin të vetëm përballë Frashërit dhe Fazliu godet me kokë, por bardheblutë janë me fat pasi topi kalon ngjitur me shtyllën pingule. Fazliu bëhet sërish protagonist në minutën e 92- të. Kundërsulm i shpejtë i Partizanit dhe topi përfundon në këmbët e sulmuesit kosovar që kalon Currin dhe i vetëm po i drejtohej zonës, por pengohet në mënyrë të parregullt nga mbrojtësi i Tiranës. Arbitri Pashaj duket se tregohet paksa tolerant, duke u mjaftuar vetëm me një karton të verdhë për Currin, në një kohë që ky ishte lojtari i fundit. Në këtë moment, Duro ndërhyn duke nxjerrë nga fusha Nexhipin dhe fut Osmanaj. Mesfushori duket se nuk është shumë i kënaqur me këtë zëvendësim dhe këtë e tregon në fytyrë në momentin që del nga fusha. Sfida mbyllet me një goditje këndi për Partizanin, por pa rrezik në portën kundërshtare. Në fund të derbit të djeshëm, Tirana dhe Partizani renditen në dy vendet e para të klasifikimit. Të dyja ekipet kanë pikë të barabarta, por bardheblutë janë të parët pasi kanë shënuar më shumë gola. Të paktën, deri sot, skuadrat kanë kapur kreun e tabelës.

MË I MIRI
Idriz Batha dhe Ardian Cuculi ishin më të mirët për Partizanin në sfidën e djeshme ndaj Tiranës. Gjithashtu, edhe portieri Alban Hoxha ishte në një ditë të mirë duke neutralizuar çdo gjuajtje të Tiranës. Madje, në disa prej tyre ishte vendimtar. Nga ana tjetër, Ervin Bulku dhe Renato Kalari ishin më të mirët për bardheblutë. Të lëvizshëm dhe shumë impulsivë, të dy lojtarët krijonin rrezik për kundërshtarin. Bulku rrezikoi në disa raste me goditjet nga jashtë zone.

MË PAK AKTIVI
Dy lojtarë me emër dhe me shumë eksperiencë, por që në derbin e djeshëm lanë pak ose aspak shenjë. Bëhet fjalë për mesfushorin e Tiranës, Elis Bakaj dhe atë të Partizanit, Emiljano Vila. Të dy nuk treguan cilësitë më të mira që zotërojnë dhe nuk arritën që të bënin diferencën me të tjerët. Bakaj neutralizohej lehtë në disa momente, në një kohë që Vila ende nuk po ambientohet me të kuqtë. Është i ngadaltë në veprime dhe në disa raste vonohet në aksion.

Dy raste për moviolë, ja ku gaboi arbitri Pashaj
Në sfidën e djeshme u regjistruan dy momente të diskutueshme për moviolë. Në minutën e 68-të, Vrapi ndërhyn me të dyja këmbët jashtë zone ndaj Ndikumanës dhe ia merr topin, por gjyqtari e konsideron ndërhyrje të ashpër dhe vërshëllen për faull. Por, në këtë moment është Kalari që ndërhyn me të dyja këmbët në kofshën e Vrapit. Duket qartë se goditja është shumë e ashpër dhe mund të jepej karton i kuq, por Pashaj e kalon me një karton të verdhë. Në të 92-n, kundërsulm i shpejtë i të kuqve. Fazliu shpërthen në të majtë dhe arrin të kalojë bukur Currin dhe po i drejtohej i vetëm zonës, por mbrojtësi ndërhyn në mënyrë të gabuar duke shkaktuar faull në hyrje të zonës. Duket se mbrojtësi bardheblu është lojtari i fundit dhe i heq mundësinë e golit sulmuesit të kuq, por gjyqtari Pashaj e ndëshkon Currin vetëm me karton të verdhë. Duhej të ishte i kuq.

JA PSE ISHTE DERBI “I MËKATEVE”
1.Futbolli iu dorëzua një grupi të vogël ultrasish që shkaktuan incidentet e dhunshme në sfidën që u zhvillua përpara dy javësh në Shkodër ndërmjet skuadrës vendëse dhe Tiranës. Ajo situatë u reflektua dje, kur u luajt një derbi pa tifozë.
2.Shqipëria humbi një reklamë të mirë dhe të bukur për imazhin e futbollit të saj. Imazh që transmetohet fuqishëm sa herë që krijohet atmosfera spektakolare kur luhet me tifozë një derbi mes Tiranës dhe Partizanit.
3.Klubi i Tiranës, si ekipi pritës në ndeshjen e djeshme, humbi të ardhura të konsiderueshme nga shitja e biletave. Nëse do të luhej me tifozë, do të shiteshin mijëra bileta.
4.Mijëra tifozë të të dyja kampeve, por jo vetëm, u privuan nga atmosfera e zakonshme elektrizuese që ngjall një derbi.
5.Nuk u dëgjua thirrja e legjendave të Tiranës dhe Partizanit, të cilët bënë thirrje që të hapeshin dyert për femrat dhe nxënësit e shkollave deri në 15 vjeç.
6.Si të mos mjaftonte dënimi, derbi mbyllet pa gola duke mos dhuruar asnjë fitues dhe me emocione të pakta.

Ervin Bulku ne OherBulku: Sulmi ynë u furnizua pak
Ervin Bulku nuk e bën dramë. Sipas kapitenit, Tirana do të vijojë rrugën drejt titullit përtej barazimit në der bi. Ai thotë se rezultati ishte i drejtë dhe se me mungesën e tifozëve, ra edhe cilësia e futbollit. Gjatë një interviste të dhënë për mediat në fund të këtij dueli, mesfushori sqaroi se skuadra bëri autokritikë në lojë pas humbjes së pësuar në Laç, ndonëse evidentoi se sulmi u furnizua shumë pak krahët.
Një derbi pa tifozë dhe pa gola. Si e përjetuat?
Ju e patë edhe vetë se çfarë ndeshje ishte. Shpresojmë që derbi tjetër të jetë me tifozë dhe me gola. Kurrë më parë nuk ishte luajtur pa tifozë. Me ta do të kishte qenë shumë më bukur. Rivaliteti duhet të jetë brenda kuadratit dhe brenda 90 minutave.
A i mjafton Tiranës ky barazim?
Nuk është një rezultat i kënaqshëm. Megjithëse, duke qenë një ndeshje derbi, mendoj se për të dyja skuadrat është i pranueshëm. Besoj që duhet të kishim bërë më shumë që të merrnim tri pikët. Kemi bërë një pjesë të parë shumë të mirë, kurse në rreth 20 minutat e fundit kemi lëshuar pak në lojë. Ndaj mendoj se ishte një rezultat i drejtë.
Çfarë nuk shkon si duhet në sulmin e Tiranës që nuk po zhbllokohet. Nga brenda si e shihni një situatë të tillë?
Unë nuk marr përsipër të them dhe të vlerësoj se ku çalon skuadra, pasi është trajneri që vlerëson gjithçka. Kjo, pasi më pas do të ndryshoheshin rolet.
Ju jeni një lojtar me eksperiencë dhe e keni një gjykim?
Unë kam një mendim, por nuk dua t’i ngatërroj detyrat.
Bulku, a menduat se mund të fitonte Tirana?
Menduam se mund të fitonim në ndeshjen e parë, por më pas u balancua gjithçka, 0-0 ishte e drejtë.
Mos ndoshta ju mungon një numër 10-ësh?
E di trajneri këtë pjesë, jo unë. E di më mirë trajneri.
Çfarë ndodhi me Tiranën në pjesën e dytë?
Është trajneri ai që e sheh se çfarë ndodh. Mendoj se ishte ndeshje e mirë dhe nuk mund të hedhim përtokë gjithë pjesën e dytë. Pas një ndeshjeje shumë të dobët në Laç, u rikthyem. Sulmi ynë furnizohet shumë pak nga krahët, por unë nuk marr dot përsipër rolin e trajnerit. Këtu ngatërrohen shumë gjërat.
A e penalizon Tiranën për vazhdimësinë ky barazim?
Jo, nuk besoj. Është vetëm fillimi i kampionatit dhe ka ende shumë ndeshje që do të luajmë. Ka akoma shumë pikë në lojë që duhet të luhen dhe duhet t’i marrim.
Duke qenë se ndeshja e radhës është në Korçë…
S’ka rëndësi se ku do të luhet ndeshja e radhës. Për ne s’ka rëndësi kundërshtari. Ne luajmë vetëm për tri pikët kudo.
Titulli mbetet objektiv?
Patjetër që po. Gjatë gjithë historisë së saj, Tirana ka synuar titullin, ndaj dhe është skuadra më me shumë tituj.
Sot e kishit të vështirë të motivoheshit dhe diçka e tillë do të jetë për një kohë të gjatë. Ku do ta gjeni motivimin?
Ju e kuptoni edhe vetë që është shumë e vështirë të motivohesh kur nuk ka tifozë, pasi është si një ndeshje miqësore. Edhe kur luan me Partizanin është e vështirë, por gjithsesi ka qenë një ndeshje më e luftuar sesa ndaj Elbasanit. Në një takim pa tifozë, cilësia e futbollistëve bie rreth 40%.
A do t’i vizitoni tifozët?
Është një vendim që do ta marrim të gjithë së bashku me lojtarët.

NexhipiNexhipi: Derbi i çuditshëm, barazimi rezultat real
Për Nderim Nexhipin, barazimi ishte rezultati më i drejtë. Sipas kapitenit të Partizanit, u zhvillua një lojë me ritëm. Në fund të takimit, gjatë deklaratës së dhënë për mediat, ai e cilësoi këtë si një derbi të çuditshëm. “T’ju them të drejtën ishte shumë e çuditshme të luhej pa tifozë, megjithatë mendoj se u zhvillua një takim i mirë, edhe pse nuk arritëm të shënonim, pra munguan golat. Shpresoj të jetë derbi i fundit pa tifozë. Këtu në Tiranë është atmosferë e shkëlqyer. Do të ishte ndryshe me tifozë. Treguam një nivel loje shumë të lartë, duke konfirmuar dhe njëherë tjetër se si ne, ashtu edhe Tirana jemi pretendentë për titullin kampion. Mendoj se barazimi ishte rezultati më i drejtë, pasi si ne, ashtu edhe kundërshtari në pjesën e parë kemi luajtur më shumë në mesfushë. Ndërsa në të dytën kemi pasur disa raste për të shënuar, megjithatë barazimi pa gola në këtë takim ishte real”, tha fillimisht kapiteni. Kur pyetet për zëvendësimin, Nexhipi vijon: “Në fakt u zëvendësova në fund (qesh), por mendoj se ka qenë një ndeshje e mirë, jo vetëm për mua, por për të gjithë ekipin. Ky derbi është vërtet i veçantë dhe, nëse do të kishte arritur Fazliu të shënonte, atëherë do ta kishim fituar atë”. Më tej ai sqaron se skuadra nuk ka probleme psikologjike dhe se gjithçka po shkon në ritmin e duhur. “Është folur shumë për problemet psikologjike, megjithatë unë, kur kam luajtur, kam dhënë më të mirën time dhe mendoj se gjithçka është në rrugën e duhur”, shtoi kapiteni, i cili në fund nuk nguron që të japë edhe një koment për mikun e tij Demirin dhe për deklaratat e tij. “Nuk dua të komentoj, pasi me të jam gjithmonë në kontakt. Ai e ndjek Partizanin, sepse ka qenë pjesë e tij”, përfundoi mesfushori.
ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"