Tirana dhe Vllaznia, barazim mes tensionit. Nikaj: Barazimi ishte rezultati më i drejtë
TIRANA-VLLAZNIA 1-1
GOLAT: Çota 57’/ Hajdari 37′
TIRANA: Çaka, Kërciku, Pashaj, Kaja (Sina 15′), Kalari (Kotobelli 64′), Taku, Karabeci, Limani, Peposhi, Çota, Semedo (Sorra 20′); Trajner: G.Magani.
VLLAZNIA: Vujadinoviç, Gocaj, Kraja, Semina, Boci, Sykaj, Belisha, Bardulla (Dibra 51′), Kruja, Shtubina (Tafili 69′), Hajdari (Gjini 93′); Trajner: S.Nikaj.
KARTONË TË VERDHË: Kërçiku 44′, Karabeci 86’/ Bardulla 24′, Boci 38′, Belisha 44’+65′, Vujadinoviç 81′
KARTON I KUQ: Belisha 65′
VËZHGUES: Besnik Kaimi (Tiranë)
DELEGAT: Besnik Çela (Tiranë)
GJYQTARET: R.Sadiku, D,Rexha (Elbasan), R.Çokaj (Lezhë)
MINUTAT
2′ Limani tenton t’i zërë në befasi shkodranët, por nuk gjen kuadratin.
8′ Hajdari kombinohet me Shtubinën. Ky i fundit i afrohet zonës, gjuan bukur, por topi përfundon jashtë.
10′ Peposhi i afrohet zonës, gjuan, por duke mos krijuar rrezik, topi neutralizohet nga Gocaj.
21′ Bardulla rrezikon Tiranën, por topi përfundon vetëm jashtë.
25′ Rast ideal për vendësit, Taku merr topin nga mesfusha, avancon në zonë, i nxjerr një top perfekt Çotës, por ky i fundit nuk shfrytëzon.
37′ Gabon Sina në mesfushë, përfiton Hajdari. Mbrojtësi mundohet të rikuperojë topin, por shkakton faull. Gjyqtari lë në avantazh Vllazninë, Kruja kroson te Hajdari, i cili shkon në zonë, gjuan në diagonal dhe e dërgon në rrjetë, 1-0.
50′ Kërçiku pason për Çotën. Ky i fundit gjuan, por pret Vujadinoviç.
55′ Dibra gjuan bukur, duke rrezikuar portën e Tiranës, por pret Çaka.
56′ Peposhi kroson për Takun, i cili gjuan me kokën, por topi shkon vetëm mbi tra.
57′ Peposhi kroson nga krahët për Çotën, sulmuesi i ndodhur pranë portës bën më të vështirën, gjuan dhe e dërgon topin në rrjetë dhe 1-1.
60′ Hajdari tenton nga brenda zonës, por topi përfundon jashtë.
67′ Limani provon nga distanca, pret Vujadinoviç.
70′ Rast ideal për bardheblutë, Peposhi gjuan, grushton Vujadinoviç, topi kthehet në këmbët e Pashajit që godet, por rreziku largohet nga mbrojtja mike.
74′ Limani tenton nga jashtë zone, por topi shkon shumë mbi tra.
75′ Kërçiku merret vesh shumë mirë me Pashajin, mbrojtësi godet, por nuk gjen kuadratin.
79′ Kotobelli gjuan fuqishëm nga krahu i majtë, por topi prek vetëm rrjetën anësore të Vllaznisë.
81′ Roveshatë e Sorrës, por vetëm jashtë.
83′ Goditje dënimi për Tiranën, ekzekuton Limani, pret me vështirësi portieri malazez.
89′ Goditje këndi, topi shkon në zonë për Peposhin, që pason te Pashaji, i cili gjuan, por pret Vujadinoviç.
94′ Tri tentativa radhazi për Tiranën, Karabeci, Kërçiku e Sorra godasin portën, por Vujadinoviç grushton në të gjitha rastet.
Tirana barazon 1-1 kundër Vllaznisë në “Qemal Stafa”. Një 90-minutësh që, edhe pse ishte larg “klasikes” së zakonshme, ofroi jo pak tension, luftë sportive, kartonë të verdhë e të kuq, si dhe përplasje mes lojtarëve në fushë, por edhe nga pankinat. Një pikë që më shumti u shërben shkodranëve, duke qenë se vendësit mbeten sërish të fundit dhe ky barazim më së shumti i shërbeu ekipit të drejtuar nga Magani për moral. Pjesa e parë foli për miqtë, të cilët kaluan në avantazh me anë të Hajdarit pas një gabimi të Sinës në mbrojtje, kurse e dyta për bardheblutë, të cilët i detyruan shkodranët që të mbylleshin në zonën mike. Madje, në të 56-ën minutë, Tirana edhe pse nuk fitoi, gjeti Mirel Çotën, i cili u zhbllokua pas 13 javësh “shterpësi”.
Pjesa e parë Tirana e nis keq lojën, pasi brenda 19 minutave humbet dy futbollistë, kjo si pasojë e ndërhyrjeve të rënda të lojtarëve shkodranë. I pari që u dëmtua, ishte Kaja, ndërsa më pas Semedo. Të dy largohen me barelë nga fusha, çka e kushtëzoi Maganin që jo vetëm të bënte zëvendësime të detyruara, por edhe të ndryshonte skemë, pasi nga 4-4-2 kaloi në 3-5-2. I pari që tenton portën mike është Limani, por nuk gjen kuadratin. Në të 8-ën minutë reagon Vllaznia, Hajdari kombinohet me Shtubinën, ky i fundit i afrohet zonës, gjuan bukur, por topi përfundon jashtë. Shkodranët në këtë moment janë më të organizuar në fushë dhe ushtrojnë vazhdimisht presion te Tirana. Por, në të 25-ën minutë, janë bardheblutë shumë pranë golit. Rast ideal për vendësit, Taku merr topin nga mesfusha, avancon në zonë, i nxjerr një top perfekt Çotës, por ky i fundit nuk shfrytëzon. Por atë që s’e bëjnë dot vendësit, e bëjnë miqtë. Në të 37-ën minutë gabon Sina në mesfushë, përfiton Hajdari. Mbrojtësi mundohet të rikuperojë topin, por shkakton faull. Gjyqtari lë në avantazh Vllazninë, Kruja kroson te Hajdari, i cili shkon në zonë, gjuan në diagonal dhe e dërgon në rrjetë, 1-0. Minutat e mbetura nuk sjellin asnjë ndryshim.
Pjesa e dytë Ky 45-minutësh nis shumë ndryshe dhe me një Tiranë më agresive dhe luftarake në fushë. Në të 50-ën minutë Kërçiku pason për Çotën, ky i fundit gjuan, por pret Vujadinoviç. Pak minuta më vonë edhe Peposhi kroson për Takun, i cili gjuan me kokë, por topi shkon vetëm mbi tra. Në të 57-ën Tirana ngre peshë të gjithë të pranishmit në stadium. Peposhi kroson nga krahët për Çotën, sulmuesi i ndodhur pranë portës, bën më të vështirën, gjuan dhe e dërgon topin në rrjetë dhe 1-1. Pas golit bardheblutë marrin zemër dhe “zaptojnë” gjysmëfushën e shkodranëve, duke qenë se këta të fundit mbetën me një lojtar më pak në fushë pas ndëshkimit me të dytin të verdhë të kapitenit Belisha. Pas këtij momenti, rastet për Tiranën nuk kanë të sosur, por e kanë të pamundur për të gjetur kuadratin, kjo sa për ngërç të vetin, aq edhe për meritë të portierit Vujadinoviç. Minutat e fundit janë shumë të vrullshme, në të 81-ën roveshatë e Sorrës, por vetëm jashtë. Dy minuta më vonë, goditje dënimi për Tiranën, ekzekuton Limani, pret me vështirësi portieri malazez. Mirëpo, nuk mbaron me kaq, në të 89-ën minutë ka goditje këndi për kryeqytetasit, topi shkon në zonë për Peposhin që pason te Pashaji, i cili gjuan, por pret Vujadinoviç. Kur pritej vërshëllima e arbitrit, në të 94-ën minutë, Tirana pati tri tentativa radhazi, Karabeci, Kërçiku e më pas Sorra godasin portën, por Vujadinoviç grushton në të gjitha rastet. Gjithçka mbyllet këtu dhe të dyja skuadrat ndahen me një barazim, të arritur mes tensionit dhe nervave.
MË I MIRI
Dorian Kërçiku ka qenë lojtari më i mirë në fushë për të dyja skuadrat. Mesfushori i bardhebluve ka bërë diferencën në këto 90 minuta, duke luftuar për çdo rast dhe qenë iniciator për pjesën më të madhe të aksioneve të Tiranës. Vlerësim meritojnë edhe dy autorët e golave, Hajdari e Çota, të cilët bënë detyrën si sulmues dje para portave kundërshtare. MË
PAK AKTIVI
Mensur Limani ka qenë në një ditë të keqe dje. Mesfushori kosovar në 90 minuta që u aktivizua ka humbur thuajse çdo rast, madje në momentin që kishte kontrollin e topit, kurrë nuk e nxori ekipin në sulm. Sakaq, edhe mbrojtësi Elvis Sina gaboi në momentin e pësimit të golit. Ndonëse më pas u mundua të kompensonte, duke dhënë maksimumin në fushë në pjesën e mbetur.
Përballje e luftuar, gjyqtari Sadiku nxjerr jashtë Grimën
Dyluftime të ashpra në fushë pati vetëm fillimi, sepse më pas tensioni u spostua te tifozët e policët dhe u përmbyll me arbitrin Sadiku e drejtorin teknik Grima. Ky 90- minutësh ka qenë për t’u mbajtur mend, dhe jo aq prej futbollit të bukur, sesa për episodet që shënoi. Takimi nisi vrullshëm dhe i ashpër. Në të 13-tën minutë Kaja dëmtohet në zonën e Tiranës nga një mbrojtës mik dhe del me barelë nga fusha. Pa kaluar as katër minuta, në mesfushë dëmtohet Semedo, i cili shoqërohet gjithashtu po me barelë. Në të 44-ën, një dyluftim mes Belishës e Kërçikut shoqërohet me të verdhë për të dy lojtarët, i pari për shkelm ndaj kundërshtarit, ndërsa i dyti pasi shkaktoi faull. Në të 46-ën Bardulla shkaktoi faull ndaj Kërçikut, mirëpo gjyqtari ia akordoi atë Vllaznisë. Në të 65-tën Belisha mori të dytin karton të verdhë, pas një ndërhyrjeje kundër Karabecit. Pasi Tirana shënoi, festa e tifozëve u ndal prej policëve, të cilët patën një përplasje për disa minuta. Nga fundi, Armir Grima po kontestonte gjyqtarin Sadiku, i cili ndali lojën dhe e largoi nga pankina. Gjë që nuk u mirëprit nga drejtuesi i skuadrës shkodrane, ndaj e shoqëroi me debat këtë vendim për pak minuta.
Nikaj: Barazimi rezultati më i drejtë, nuk u dorëzuam
Samuel Nikaj, i cili dje bëri trajnerin në mungesë të Agim Canajt, që është i pezulluar, pas ndeshjes u shpreh i kënaqur me rezultatin, duke e cilësuar barazimin si rezultatin më të drejtë. “Ishte një pikë e vlefshme, sidomos kur merret përballë Tiranës. Ishte barazim i vuajtur në fakt, por që e merituam. Është një fat i keq që dy skuadra të mëdha si Tirana dhe Vllaznia gjenden në këto pozita. Nevoja për rezultat rriti tensionin në fushë, e detyrimisht na u desh të mos luanim si duhet, siç në të vërtetë jemi mësuar të gjithë ta shohim një përballje të tillë. Edhe terreni la për të dëshiruar. Kjo pikë na vlen për të parë përpara dhe për të qëndruar larg zonës së ftohtë të tabelës. Vlen akoma më tepër kur mendon që kishim mungesa si ajo e Bushiç, Rajoviç apo kapitenit Berisha, e për më tepër kur na u desh të luanim për shumë minuta me një lojtar më pak, pas daljes me të kuqe të Belishës. Ky rezultat pozitiv duhet ndarë me të gjithë, ndaj dhe ne ndihemi mirë tani që ndeshja ka përfunduar. Përpara kemi dy takime të vështira, ku shpresojmë të marrim pikë të plota për të rikthyer qetësinë dhe rifituar komoditetin në renditje, pse jo të jemi në mesin e tabelës. Nëse arrijmë këtë, atëherë në janar na mbetet të bëjmë përforcimet e duhura, në mënyrë që skuadra të jetë në lartësinë e duhur në pjesën e dytë të sezonit”, – përfundoi zv.trajneri i Vllaznisë.
Agim Canaj e drejtoi ekipin nga… dhomat e zhveshjes
I dënuar për të dytën herë këtë sezon prej Komisionit të Disiplinës, Agim Canaj është detyruar ta drejtojë Vllazninë e tij në rrugë alternative. Një herë me telefon, ndërsa dje nga dhomat e zhveshjes së skuadrës shkodrane. Me dritare hapur, numri një i pankinës së kuqebluve ka qenë gjithë kohës duke parë ndeshjen e zhvilluar dje kundër Tiranës. Ai ka komunikuar vazhdimisht me zëvendësin e tij, Samuel Nikaj, i cili kishte rolin e trajnerit dje. Mësohet se Canaj ka qenë i kënaqur me këtë pikë që arriti skuadra e tij, e sidomos pasi mbetën me 10 lojtarë në fushë. Kreu i ekipit kuqeblu edhe në sfidën e radhës është i detyruar që të mos qëndrojë në pankinë.
“Pikë shumë e vlefshme, edhe mund të humbnim”
Arsen Hajdari i gëzohet golit. Sipas sulmuesit shkodran, ai ishte i vlefshëm, pasi i dha një pikë skuadrës së tij. Në deklaratën e dhënë për “Panorama Sport” pas ndeshjes, ai sqaroi se barazimi ishte rezultati më i drejtë, sepse Vllaznia mund të kishte humbur, sidomos kur mbeti me 10 lojtarë. “Ishte një ndeshje e luftuar, kjo si pasojë e gjendjes që po kalojnë ekipet tona, pra si ne ashtu edhe Tirana. Megjithatë, për mënyrën se si shkoi loja, mendoj se barazimi ishte rezultati më i drejtë, ndaj nuk na mbetet gjë tjetër veçse t’i gëzohemi. Edhe mund të kishim humbur, sidomos kur mbetëm me një lojtar më pak në fushë, por fatmirësisht nuk u ndëshkuam, kjo edhe për meritën e ekipit tonë. Nuk është se jemi në pozitat më të mira, ndaj vetëm fitorja do të na kishte bërë punë. Megjithatë, kur kanë mbetur edhe dy javë për t’u luajtur nga ky vit, po të marrim minimalisht katër pikë të tjera, do ishim në rregull. Të paktën do i afrohemi mesit të tabelës. E lehtë nuk është, por në futboll asgjë nuk është e pamundur”, – përfundoi sulmuesi shkodran Hajdari.
PIKANTE NGA TIRANA-VLLAZNIA
Tribuna – Edhe pse jemi mësuar që kur ndeshet Tirana dhe Vllaznia stadiumi të jetë gjithnjë i mbushur, dje numri i të pranishmëve ka qenë i ulët. Kjo gjë u ndje edhe në tribunën VIP, e cila nuk ishte plot si zakonisht, ndonëse nuk munguan as drejtuesit dhe donatorët e Tiranës, as ata kuqeblu.
Shkodranët – Teksa shihje dje formacionin e Vllaznisë të binte në sy fakti se nga 11 lojtarët që kishin zbritur në fushë, 10 prej tyre ishin shkodranë, pa përfshirë këtu edhe treshen që e nisi takimin nga stoli. I vetmi “jabanxhi” ishte Miroslav Vujadinoviç, malazezi i portës së kuqebluve.
Kalendari – Për të dyja skuadrat, dy javët e fundit për këtë vit kalendarik nuk janë aspak të lehta. Nëse Vllaznia synon të kapë mesin e tabelës, Tirana do tentojë t’i largohet fundit. Bardheblutë kanë dy sfida ferri, duke filluar nga transferta në Korçë për ta mbyllur me Teutën në shtëpi.
Shpërblimi – Në tri javë radhazi që Tiranës i është premtuar shpërblim, asnjëherë nuk ka fituar. Në dy transferta ku mund të përfitonte nga 10 milionë lekë të vjetër ajo humbi, ndërsa dje që kishte 5 milionë vetëm barazoi.
ADELA MERKO