Tirana fiton mes tensionit ndaj Lushnjës. Dervishi: Mundëm ekipin që doli në tender

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 13, 2014 | 18:50

Tirana fiton mes tensionit ndaj Lushnjës. Dervishi: Mundëm ekipin që doli në tender

Tirana-Lushnja para ndeshjes kryesoreTIRANA-LUSHNJA  1-0
GOLAT: Kahata 32
TIRANA: Lika, Kërciku, Muça, Kaja, Hoxhallari (Kalari 53′), Karabeci, Koreshi (Taku 54′), Deliç, Kahata, Ndikumana (Çota 88′), Morina; Trajner: K.Dervishi.
LUSHNJA: Spaho, Rr.Sulo, Bjelkanoviç, Bizhyti, Sula, Gjyla, Bakiasi, Topi, Trashi, Fonseka (Petro 46′), Canka; Trajner: A.Bano.
KARTONË TË VERDHË: Deliç 83’/ Trashi 26′, Gjyla 46′, Sula 84′
KARTONË TË KUQ: Sorra 91′ (në pankinë), K.Dervishi 91′ (në pankinë)/ Sula 89′
VËZHGUES: Lirim Çuko (Tiranë)
DELEGAT: Besnik Çela (Tiranë)
GJYQTARET: A.Koçi (Durrës), R.Çokaj (Lezhë), E.Pashaj (Patos)

MINUTAT
4′ Deliç provon nga jashtë zone, por Spaho grushton.
9′ Kahata kthen bukur një top në zonë për Koreshin, gjuan fort mesfushori, por mbrojtja mike devijon topin në goditje këndi.
20′ Fonseka gjuan në drejtim të portës, por Muça largon rrezikon në limit.
23′ Goditje dënimi, tenton Trashi por Lika grushton, topi kthehet në zonë, aty ku provon edhe Bjelkanoviç por portieri i Tiranës reagon sërish, këtë herë me një pritje.
28′ Karabeci provon nga distanca, grushton Spaho.
32′ Goditje këndi për Tiranën, Hoxhallari kroson në mënyrë perfekte në zonë, Kahata me kokë e dërgon topin në rrjetë, 1-0.
43′ Bjelkanoviç gjuan me kokë, por Kaja tregohet i shpejtë dhe largon sferën.
50′ Lushnja pranë barazimit, Canka godet fluturimthi por nuk gjen kuadratin.
56′ Kahata kombinohet me Ndikumanën që futet në zonë, gjuan por topi i tij prek vetëm rrjetën e jashtme.
58′ Kërçiku kroson në mënyrë perfekte për Morinën, i cili provon dy herë radhazi por Spaho ka shpëtuar portën lushnjare në të dyja rastet.
75′ Goditje dënimi, Gjyla gjen portën, pret Lika.
80′ Kahata merr topin, ia pason Morinës, i cili avancon dhe kroson për Ndikumanën, megjithatë Bizhyti spastron shpejt zonën.
81′ Ndikumana kishte rastin e artë të shënonte, por tregohet egoist dhe nuk pason te Morina duke gjuajtur vetë dhe topi largohet nga Spaho.
82′ Taku nuk gjen hapësira, megjithatë pason te Morina i cili gjuan por pret portieri i Lushnjës.

Tirana vuan, por fiton me Lushnjën. Një triumf që i dedikohet trajnerit Gugash Magani, i cili këtë takim e ka ndjekur nga shtëpia e tij në Peqin. Ndeshja nisi qetë dhe pa ritëm, madje rastet në të dyja kampet kanë qenë sporadike, ndonëse nuk i shpëtuan tensionit dhe nervave. Fundi i lojës degjeneroi në sharje, debate në distancë dhe me tre kartonë të kuq. Gjithsesi, ajo që ndodhi nuk ua prishi festën bardhebluve, që në fund kanë festuar me tifozët që po i prisnin në sheshin “Nën Tereza”. Me këtë trepikësh kryeqytetasit e shohin veten në vendin e 7-të dhe përkohësisht jashtë zonës së rrezikut, pavarësisht se dje në “Qemal Stafa” ata hasën rezistencën e Lushnjën, që edhe pse e dorëzuar, ka shfaqur grintë dhe shumë dëshirë për t’u marrë pikët kryeqytetasve.
Ndeshja Takimi nis me një stadium të zbrazët, ku zërat e vetëm që dëgjoheshin vinin nga pankinat respektive. Megjithatë Tirana shfaqet më këmbëngulëse. Rasti i parë konkret vjen në të 9-ën minutë. Kahata kthen bukur një top në zonë për Koreshin, gjuan fort mesfushori, por mbrojtja mike devijon topin në këndore. Kundërpërgjigja serioze e miqve vjen në të 20-ën teksa Fonseka gjuan në drejtim të portës, por Muça largon rrezikon në limit. Pas këtij momenti, Lushnja fiton disi terren dhe vë në rrezik portën e mbrojtur nga Lika. Në të 23-ën ka goditje dënimi, tenton Trashi, por Lika grushton, topi kthehet në zonë, aty ku provon edhe Bjelkanoviç por portieri i Tiranës reagon sërish, kësaj here me një pritje. Pas 5 minutash provon edhe Karabeci nga distanca, por grushton Spaho. Megjithatë në të 32- ën bardheblutë zhbllokojnë rezultatin. Hoxhallari kroson nga këndorja në mënyrë perfekte, Kahata me kokë e dërgon topin në rrjetë dhe 1-0. Pjesa e parë mbyllet me një rast të rrezikshëm të Bjelkanoviç, i cili gjuan me kokë por ndërhyrja e Kajës është vendimtare. Sakaq, e dyta nis sërish me Lushnjën të rrezikshme, teksa Canka godet fluturimthi por nuk gjen kuadratin. Në të 56-ën, Kahata kombinohet me Ndikumanën që futet në zonë, gjuan, por topi i tij prek vetëm rrjetën e jashtme. Rasti më flagrant është ai të 58-ës, teksa Kërçiku kroson në mënyrë perfekte për Morinën, i cili provon dy herë radhazi por Spaho ka shpëtuar portën lushnjare në të dyja rastet. Minutat në vazhdim sjellin raste, megjithatë loja shoqërohet me shumë faulle në mesfushë si pasojë e dyluftimeve të ashpra mes lojtarëve. Lushnja nuk ka forcën që të befasojë, e për pasojë Tiranës i mjaftoi goli i Kahatës për të marrë këtë fitore të rëndësishme.
Tensioni Ndeshja u karakterizua nga nervat. Kulmi erdhi në të 90-ën teksa Sula po debatonte me Morinën. Më tej, mbrojtësi i Lushnjës e spostoi vëmendjen te pankina e Tiranës, ku u kap me fjalë me zv.trajnerin Dervishi dhe pas këtij momenti gjithçka degjeneroi në sharje. Kryesori Koçi ndëshkon me të kuq Renato Sulën, por tensioni nuk u ndal, pasi Aratna Bano me stafin tij kërkonin që të ndëshkoheshin edhe vendësit. Në këtë moment ndërhyri delegati Besnik Çela, i cili i kërkoi Dervishit por edhe Sorrës, i cili u përfshi në debate me pankinën mike, që të largoheshin nga pankina. Loja rifilloi, por vetëm për 5 minuta, aq sa u dhanë edhe minuta shtesë. Deri në momentin kur skuadrat shkuan në dhomat e zhveshjes, pati nerva dhe ofendime banale, madje pati edhe një përplasje mes Bizhytit dhe portierit të dytë Çaka. Në fund gjithçka u qetësua dhe bardheblutë shkuan të festonin me tifozët.

MË I MIRI
Francis Kahata meriton notën maksimale në këtë takim. Lojtari me golin e shënuar u dha një trepikësh me vlerë bardhebluve. Në fakt ai nuk e nisi mirë ndeshjes, por me kalimin e minutave pësoi rritje, madje u shfaq tepër luftarak. Në një ditë të mirë ishte padyshim edhe Lika, i cili shpëtoi portën me disa pritje.

MË PAK AKTIVI
Sulmi i Lushnjës nuk bëri thuajse asgjë dje kundër bardhebluve. Kate Fonseka nuk ishte në një ditë të mirë. Sulmuesi brazilian i Lushnjës në 45 minuta lojë nuk u shfaq asnjëherë i rrezikshme në portën e Tiranës. Për këtë arsye, edhe trajneri Bano e zëvendësoi duke futur në fushë të riun Petro.

Spektakël jashtë stadiumit, tifozët e bëjnë festë
Ashtu sikundër edhe patën paralajmëruar, dje tifozët e Tiranës e kanë ndjekur ndeshjen së bashku nga një ekran gjigand i cili u vendos te sheshi “Nën Tereza”, më konkretisht te Universiteti i Tiranës. Të shumtë në numër, aq sa janë shpeshherë edhe në stadium. Mbi 600 ultras kanë parë Tirana- Lushnja, mes këngëve dhe brohoritjeve. Ngjyrat bardheblu kishin zaptuar sheshin, ndërkohë zëri i tyre oshtinte deri në stadium, aty ku skuadra e tyre e zemrës po luante takimin e javës së 28-të. Kulmi arriti në të 32-ën kur Kahata zhbllokoi rezultatin dhe në një moment të krijohej ideja se stadiumi ishte jashtë dhe jo aty ku zhvillohej takimi. “Tirona Fanatic” e kthyen në festë ku nuk munguan birrat dhe as zgara. Megjithatë, fundi i 90- minutëshit ishte pjesa më speciale pasi të gjithë futbollistët, drejtuesit dhe donatorët shkuan që të përshëndesnin tifozët e tyre, që si gjithnjë dinë të dhurojnë surpriza. Dukej sikur Tirana kishte fituar ndonjë trofe në fakt, pasi nuk munguan as fotografitë e rastit, madje për disa minuta lojtarët e ndjenë vetën heronj.

Lushnja pretendoi 2 penallti
Ndeshja pati raste të shumta për diskutim. Vlen të theksohet se skuadra verdhejeshile në dy episode ka pretenduar penallti, por gjyqtari nuk e mendoi kështu. Në të 6-ën, Muça në dyluftim me Fonsekës i merr topin por Lushnja pretendon 11-metërsh, megjithatë gjyqtari vazhdon lojën. Në të 13-ën, miqtë pretendojnë sërish penallti. Canka futet në zonë dhe në një dyluftim trup më trup me Kajën rrëzohet, por kryesori nuk mendon se ka faull. Sakaq, pati dy raste ku gjyqtari Andi Koci u fali kartonin e dytë të verdhë Trashit e Gjylës. I pari pas një ndërhyrjeje ndaj Kahatës në të 62- ën minutë, ndërsa i dyti kundër Deliçit në të 80-ën.

Klodian Dervishi“Triumfuam ndaj një ekipi që ka dalë në tender”
Klodian Dervishi i cilësoi tepër të vlef shme pikët ndaj Lushnjës. Zv.trajneri i Tiranës, i cili drejtoi skuadrën dje, u shpreh se bardheblutë fituan përballë një skuadre që ka dalë në tender. Gjatë fjalës që dha për mediat, ai ia dedikoi suksesin Maganit, që dje e ndoqi ndeshjen nga shtëpia.
Një tjetër fitore që ju ngjit të 7-ët…
Në këtë ndeshje vetëm pikët kanë qenë të rëndësishme për ecurinë e skuadrës në arritjen e objektivit tonë. Fundi i lojës ka degjeneruar në incidente.
Çfarë ndodhi?
Incidentet dhe tensionet janë pjesë e futbollit, si dhe e një ndeshjeje të luftuar. Më vjen keq që më ndodhën mua, pasi ka qenë ndeshja ime e parë si trajner.
Tirana vuajti në fakt, çfarë nuk shkoi si duhet?
Nga ana jonë mund të them se kam parë nënvlerësim të takimit, por gjithashtu kam parë edhe një vlerësim maksimal nga skuadra e Lushnjës. Kemi pasur edhe disa ndryshime në formacion pasi ruajtëm disa lojtarë prej kartonëve. Pastaj sot kishim dy mungesa shumë të rëndësishme, trajnerin Magani dhe tifozët. Për ta shkon fitorja.
Pas pushimit prisni Vllazninë, do jetë kjo ndeshja vendimtare për mbijetesën?
Ndaj Vllaznisë do jemi të plotë dhe me Maganin në stol, prandaj do të jemi disi më të qetë. Këtë javë do të qëndrojmë në pritje të rezultateve që do të marrin skuadrat e tjera, pasi ne i kemi pikët e plota dhe më pas do të luajmë takime me të vërtetë të rëndësishme dhe të vështira. Ne vijojmë në rrugën tonë të rezultateve pozitive, ndërsa sot mendoj se kemi luajtur ndaj një skuadre që ka dalë në tender.

Bano Artan, trajneri i Lushnjes“Luajtëm me grintë, po projektojmë Lushnjën e re”
Artan Bano në fund të takimit u shfaq i kënaqur për lojën dhe grintën e të tijve, edhe pse Lushnja tashmë nuk ka më shpresa. “Ne kemi dalë nga objektivat dhe është e vështirë ta motivoj ekipin. Sot (dje) luanim me mungesat, megjithatë lojtarët e dinë që janë profesionistë dhe duhet të respektojnë kontratën dhe fanellën që mbajnë veshur. Ata janë në merkato dhe çdo ndeshje e mirë që zhvillohet është në të mirën e tyre. Tashmë ne po punojmë për të ndërtuar skuadrën për vitin tjetër, me ose pa mua në krye të pankinës, sepse është herët për të folur. Do ta respektojmë kampionatin deri në fund. Skuadra e vitit tjetër jam i bindur që do të na sigurojë ngjitjen në Superiore për sezonin pasardhës. Jam i kënaqur nga loja kundër Tiranës dhe sa i përket tensionit, ai është i pashmangshëm në futboll”, – tha trajneri. Kur u pyet për mënyrën sesi iu drejtua Koreshit, trajneri deklaroi: “Ishte me humor, pasi ai është një lojtar mbi nivelet mesatare. E ka pasur të vështirë që të përshtatet siç duhet tek Tirana për një periudhë prej tre muajsh. Absolutisht që nuk ishte ofendim, pasi Koreshi është futbollist i shkollës lushnjare të futbollit dhe mik i yni, gjithashtu një mik i imi”.

Pankarta në vend të tifozëve
Si gjithnjë dinë të befasojnë. Edhe pse dje nuk ishin në stadium, kishin bërë diçka që të ndihej prezenca e tyre. Në tribunën D2, “Tirona Fanatics” kishte vendosur dhjetëra pankarta ku ishin skicuar njerëz. Kjo për të treguar se edhe ata ishin aty, përpos dënimit që iu dha nga Disiplina. Megjithatë ata nuk qëndruan shumë, pasi zyrtarët e takimit urdhëruan që të largoheshin. Ishin pikërisht punëtorët e stadiumit të cilëve iu ngarkua kjo detyrë.

Magani drejtoi me telefon
Ndeshja e djeshme ka qenë ndoshta më e vështira për të, pasi e ka parë nga shtëpia dhe jo pankina ku është mësuar që të qëndrojë gjithnjë. Gugash Magani, i cili vetëm pak ditë më parë kreu një ndërhyrje kirurgjikale të apendicit, edhe pse jo fizikisht, gjatë gjithë kohës ka qenë në kontakt me pjesën tjetër të stafit. Trajneri, ndonëse ndodhej në Peqin, me anë të telefonit ka folur me stafin teknik duke i udhëzuar vazhdimisht. Madje, në momentin që Kahata shënoi golin, ishte Eduart Gjini që u tregoi kamerave një bluzë me foto të Maganit, duke i dhënë trajnerit mesazhin se goli ishte për të.
ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"