Tirana fiton në Elbasan ndeshje bamirësie; bindin sulmuesit bardheblu, Çota dhe Morina

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 23, 2014 | 12:10

Tirana fiton në Elbasan ndeshje bamirësie; bindin sulmuesit bardheblu, Çota dhe Morina

Elbasani-Tirana, ndeshje miqesoreELBASANI-TIRANA 0-2
GOLAT: Çota 24′, Morina 77′
ELBASANI: Kotorri, Mehmetaj, Dushku, Jaupi, Merxha, Isaji, Toçi, Gava, Hila, Lamçja, Dalipi; Trajner: I.File. (U aktivizuan: Selimaj, Myftarago, Turhani, Cenkoja, Gjorga, Çapja, Rezi, Duka, Kuçi.)
TIRANA: Çaka, Kërçiku, Pashaj, Vrapi, Kaja, Taku, Karabeci, G.Muça, Gilberto, Morina, Çota; Trajner: G.Magani. (U aktivizuan: Peposhi, Rastoka, Deliç, Kotobelli, Saraçi, Korreshi, Limani, Morina, Kahata)
GJYQTARË: D.Muça, E.Shkodrani, K.Bodurri (Elbasan)

Elbasani-Tirana ka përfunduar 0-2 në favor të bardhebluve. Çota dhe Morina kanë vulosur rezultatin, duke shënuar secili nga një gol për çdo pjesë. Kjo ndeshje nuk ishte thjesht një miqësore në fakt, pasi u zhvillua për bamirësi. Mbi 300 të pranishëm në tribunën e “Ruzhdi Bizhuta”- s kishin prerë biletë. Por jo vetëm, pasi shumë të tjerë, edhe pse nuk u ulën në shkallët e stadiumit, blenë bileta, duke dhënë kontributin e tyre simbolik. Paratë e mbledhura, që shkojnë në afro 4 milionë lekë të vjetër, do të depozitohen në llogarinë e hapur në emër të studentes së gazetarisë, e cila duhet të kurohet jashtë vendit.
Pjesa e parë Ndeshja ka filluar me një ritëm të mirë nga të dy ekipet, që ishin në fushë me formacionet më të mira. Elbasani privohej nga mungesat e dy prej lojtarëve më kyç të saj, si Pisha dhe Bylykbashi, ndërsa për miqtë nga Tirana ranë në sy mungesat e Sinës, Likës dhe Kalarit, të lënë pushim nga Magani. Ekipi bardheblu u shfaq më kërkues që në fillim, ndonëse terreni i lagësht prej reshjeve të dendura nuk i la të dyja ekipet të dilnin në lojën e tyre më të mirë. Rasti i parë ideal erdhi nga vendësit. Toçi rrezikon, portieri Çaka u mundua të reagonte, por nuk e zotëroi siç duhet topin. Megjithatë, ai e korrigjoi gabimin e tij në goditjen e dytë të Hilës, duke e shpëtuar portën e tij nga një gol i sigurt. Pas këtij rasti, edhe miqtë u shfaqën rrezikshëm, por Kotorri nuk la mundësi për të shënuar. Duhej të vinte minuta e 24-t e takimit që ndeshja të zhbllokohej. Aksion i gjatë për miqtë: Çota, i ndodhur farë pranë portës, nuk e kishte të vështirë të realizonte dhe 1-0. Minutat e mbetura sollën sulme e kundërsulme, por pa gjetur rrjetën. Duhet theksuar se lojtari, i cili ra më shumë në sy në këtë pjesë të parë, ishte sulmuesi i rikthyer te Tirana, Mario Morina.
Pjesa e dytë Ky fraksion startoi me ndryshime të shumta në formacione. File zëvendësoi thuajse gjithë ekipin, duke u dhënë mundësi të rinjve që janë në provë për të treguar veten, ndërsa edhe Magani bëri lëvizje për të provuar një skemë të re. Loja rinisi me bardheblutë në sulm, të cilët krijuan, por gabuan në finalizim. Më tej, trajneri i Tiranës bëri lëvizjet e tij, duke hedhur në fushë edhe lojtarët e ardhur së fundmi në ekip, Koreshin dhe Kahatën. Dy futbollistë që i dhanë akoma më shumë freski mesfushës, duke rritur kështu edhe nivelin e lojës së bardhebluve, teksa loja e kenianit ra më shumë në sy. Elbasani, ndonëse luante me djem të rinj, pati rastet e veta për të shënuar, pavarësisht se lojtarët verdheblu nuk u treguan të saktë përpara portës. Në minutën e 77-të është Morina, i cili i dyfishoi rezultatin. Pas një aksioni të kenianit Kahata, që pasoi te Morina, ky i fundit nuk e pati të vështirë të realizonte dhe t’i dërgonte shifrat në 0-2. Bardheblutë patën edhe raste të tjera me Deliç dhe Limanin, por u ndalën nga portieri verdheblu. Kjo ndeshje përfundoi me fitoren e Tiranës, e cila duket qartë se nuk është ai ekip i fazës së parë, duke treguar që ka bërë progres. Ndërkohë që edhe Elbasani ka bindur me lojën e vet, duke mos treguar edhe aq shumë diferenca me një ekip Superlige.

Magani: Kahata më bindi, e kaloi provën
Gugash Magani shpreh hapur elozhet e tij për mesfushorin e ardhur nga Kenia, Francis Kahata. Sipas trajnerit, kanë mjaftuar 45 minuta lojë për të dhënë verdikin, teksa deklaron hapur se lojtari e tashmë ka kaluar provën. Nga ana tjetër, ai tregon se skuadra e tij po pëson rritje të vazhdueshme në lojë. “Ishte një ndeshje që e kishim vlerësuar, pavarësisht se lojtarët nuk u shprehën siç duhet edhe për shkak të ngarkesës. Ekipi ka bërë mjaft progres, por e shoh se kemi ende për të përmirësuar, çka do e bëjmë ditë pas dite. Për sa u përket lojtarëve që kemi afruar, ndihem i kënaqur. Po veçoj këtu mesfushorin Francis Kahata, i cili me aq sa dha sot (dje) në fushë e ka kaluar menjëherë provën. Ndaj mund ta quajmë zyrtarisht pjesë të skuadrës sonë kenianin. Është një lojtar që ka aftësi të mira dhe do të na ndihmojë shumë në pjesën e mbetur të sezonit. Gjithashtu kemi afruar edhe lojtarë të tjerë, të cilët do të jenë pjesë e rëndësishme e Tiranës, dhe emrat e tyre nuk janë aspak të panjohur për kampionatin tonë”, – përfundoi trajneri. Sakaq, dje u provua për 10 minuta edhe boshnjaku Morinko Rostaku, por nuk bindi dhe u largua pas ndeshjes.

“Paraqitje e mirë, drejt kolaudimit”
Ilirjan File shprehet i kënaqur me atë çka ekipi dha në fushë. Përtej rezultatit, ai është marrë me paraqitjen e futbollistëve. Për mediat, në fund të takimit, trajneri i verdhebluve tha: “Ishte një ndeshje miqësore, e cila na shërbeu edhe për të provuar lojtarët. Tirana është më përpara se ne me përgatitjet, çka u vërejt edhe në fushë. Ekipi bëri një performancë të mirë, sidomos në pjesën e parë, nisur edhe nga fakti që jemi ende në fazë përgatitore. Shpresojmë që ditët në vijim grupi të kolaudohet për të qenë sa më në formë për fillimin e sezonit. I uroj mikut tim, trajnerit Magani, suksese te Tirana!”.

Magani do edhe një sulmues
Tirana deri më tani ka bërë 6 afrime: konkretisht Ilion Likën për portën, Ivan Deliçin, Erlind Koreshin dhe Francis Kahata për mesfushën, Mario Morinën dhe Gilberto Fortunaton për sulmin. Por ndërkaq priten afrime të tjera, konkretisht në ofensivë. Të paktën këto janë kërkesat e trajnerit Gugash Magani. Tekniku pret edhe një “pykë”, pra një lojtar që luan në majën e sulmit. Gjatë kësaj kohe menaxherë të ndryshëm kanë sponsorizuar disa emra, por ende nuk ka diçka konkrete. Sigurisht që peqinasi pret kualitete, pasi e kanë thënë edhe më herët se nuk do të mbajnë më lojtarë për provë. Ideale do të ishte pista e Salihit ose Çanit, por shpresat janë të pakta në këtë drejtim.

Morina ende pezull, Takaj s’jep OK-in
Mario Morina prej ditësh është bërë pjesë e Tiranës, por jo zyrtarisht. Lojtari ende nuk ka hedhur të zezën mbi të bardhë, pasi fillimisht pritet që presidenti i Skënderbeut, Arjdan Takaj, të japë OK-in final. Vetëm më pas mund të konkretizohet ky transferim. Pritet që kjo situatë të marrë zgjidhje vetëm pasi skuadra korçare të kthehet nga faza përgatitore. Këta të fundit ndodhen në Spanjë dhe, vetëm pasi të kthehen në Shqipëri, do të përcaktojnë fatin e sulmuesit kryeqytetas. Megjithatë te Tirana nuk shqetësohen në këtë drejtim dhe mendojnë që ky operacion të marrë zgjidhje. Sakaq, Morina në miqësoret që ka zhvilluar, ka dëshmuar se është një element i vlefshëm.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"