Tirana humbet Ilion Likën, 2 portierë në garë për vendin e titullarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 22, 2018 | 10:19

Tirana humbet Ilion Likën, 2 portierë në garë për vendin e titullarit

Ilion Lika kryen rezonancën magnetike. Portieri ka zhvilluar një kontroll të specializuar dje për të zbuluar më konkretisht se çfarë ndodhi me gjurin e tij pas asaj goditjeje që mori në ndeshjen e fundit. Përgjigjja parapake dëshmon se nuk ka vend për “panik” dhe me këtë duam të themi që nuk bëhet fjalë për ndonjë rrezik të madh, që mund ta mbajë për një kohë të gjatë lojtarin jashtë nga fusha apo ndonjë ndërhyrje e mundshme kirurgjikale.

Lika Ilion Tirana

Megjithatë, me dhimbjet që nuk janë larguar ende, e sigurt është që portieri nuk do të zbresë në fushë kundër Apolonisë. Duke përfituar edhe nga pushimi që i rezervon kalendari pas kësaj ndeshjeje, stafi teknik dhe ai mjekësor shpresojnë që 37- vjeçari të jetë gati të paktën për Bylisin. Megjithatë, edhe kjo është për t’u parë.

ilion lika

Edhe pse përshtypja fillestare pas rezonancës magnetike jep shpresë, duhet thënë që fjalën e fundit do të japë mjeku ekspert që do ta lexojë. Vetëm ai ka aftësinë për përcaktuar njëherë e mirë diagnozën. Pikëpyetjet janë të mëdha, edhe pse vetë lojtari duket optimist. Ai shpreson në një riaftësim të shpejtë, paçka  se e ka të qartë se vendimi tashmë mbetet në duart e mjekut që do të “zbardhë” rezonancën. Sigurisht edhe dje nuk mund të stërvitej dhe pritet që situata të vijojë e njëjtë, derisa të marrë diagnozën përfundimtare. Në kësi kushtesh, Ze Maria ka nisur që të mendojë për zëvendësuesin.

tirana

Alesio Abibi dhe Princ Çali kanë nisur tashmë “garën” për të bindur Egbonë dhe rrjedhimisht trajnerin brazilian për një fanellë titullari. Në mungesë të Likës, stafi teknik përforcoi grupin me dy të rinj nga akademia, konkretisht Marvin Kodra dhe Drilon Mati.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"