Tirana, ja prapaskenat me të huajt. Magani mbledh lojtarët: Në fushë, kush e meriton

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 31, 2014 | 13:00

Tirana, ja prapaskenat me të huajt. Magani mbledh lojtarët: Në fushë, kush e meriton

Tirana, tri blerjet e dimritTirana vazhdon bisedimet për merkaton. S’ka emra të rinj dhe me gjasa orët e fundit nuk do të sjellin surpriza. Megjithatë, dita e djeshme ka qenë e ngarkuar, duke qenë se ka sjellë mjaft zhvillime sa u përket të huajve. Lajmi i mirë vjen për Kahatën, të cilit i ka ardhur leja e kalimit nga Kenia. Sa u përket dy afrikanëve që priteshin të vinin në Shqipëri, me gjasa, vetëm njëri do e marrë rrugën për kryeqytet. Ndikumana do i bashkohet skuadrës, ndërsa transferimi i Kageres ka mbetur ende pezull, pasi skuadra që ka kartonin e tij, Kijovu Sport, e ka bllokuar atë. Nuk është e mbyllur si pistë, pasi ka ende 80 për qind të shanseve që akordi mes klubeve të arrihet gjatë këtyre orëve. Sakaq, për maqedonasin Stojkov, shanset për një kalim të tijin te Tirana sa vijnë edhe zbehen, pasi lojtari po vonon përgjigjen.
Ndikumana Selemani Ndikumana pritet të vijë sot në mbrëmje në Shqipëri. Sikundër pohojnë burime në klub, gjatë ditës së sotme do të marrë avionin. Sulmuesi 26-vjeçar, i cili luante për Vital’o FC, priste vetëm konfirmimin zyrtar në sistem prej federatës së vendit të tij (Burundi) që të quhej zyrtarisht pjesë e kryeqytetasve, dhe po mbrëmë i erdhi edhe kartoni. Në fakt ai e ka firmosur tashmë një kontratë me bardheblutë, e cila e mban të lidhur lojtarin me skuadrën e drejtuar nga Gugash Magani për një vit e gjysmë, pra pjesën e dytë të sezonit, por edhe pasardhësin. Mësohet se lojtari gjatë kësaj periudhe do të përfitojë afro 7 mijë dollarë në muaj.
Kagere Bllokohet transferimi i Medie Kageres drejt Tiranës. Shkak bëhet një klauzolë që lojtari ka në kontratën me Kijovu Sport, skuadër që ka edhe kartonin e tij. Një pikë e marrëveshjes që ai ka nënshkruar me klubin nga Ruanda, e detyron atë që, nëse transferohet në një ekip të huaj, siç është rasti i Tiranës, t’i japë Kijovu Sportit 30 për qind të përfitimeve që ka marrë gjatë periudhës që ka luajtur me këtë skuadër. Lojtari ka arritur akordin me drejtuesit bardheblu, madje edhe për pjesën financiare, por fillimisht duhet të zgjidhë këtë çështje me ekipin e tij, që ky i fundit t’i japë viston. Gjasat janë që ky operacion të realizohet me sukses. Megjithatë, vetëm orët e fundit të merkatos do të zbulojnë se çfarë do të ndodhë.
Kahata Tashmë trajneri Gugash Magani është më shumë se i qetë. Francis Kahata është 100 për qind i gatshëm dhe mund të luajë nesër ndaj Kastriotit. Nga Kenia ka ardhur dokumentacioni dhe kartoni i lojtarit tani është në duart e drejtuesve bardheblu. Mesfushori 22-vjeçar do e nisë ndeshjen si titullar kundër krutanëve, me detyrën specifike që të shërbejë për Morinën, i cili do të luajë si sulmues kryesor. Ankthi zgjati shumë pak orë, pasi leja e kalimit erdhi në kohë, duke mos i ndryshuar planet stafit teknik pak orë para rifillimit të kampionatit.
Stojkov Tirana duket se ka hequr dorë nga Aco Stojkov, pasi ky i fundit nuk ka dhënë ende një përgjigje. Ai e ka zvarritur së tepërmi vendimin e tij, ndaj me gjasa transferimi nuk do të kryhet. Sipas asaj që thuhet në klub, deri tani nuk është bërë asnjë lëvizje në lidhje me këtë futbollist, që përkthehet me mbyllje të kësaj piste. Megjithatë, kurrë nuk i dihet, pasi 24 orët e fundit të merkatos mund të sjellin ndonjë lëvizje.

MaganiMagani mbledh lojtarët: Në fushë, ata që e meritojnë
Dje te Tirana është zhvilluar një mbledhje. Jo në zyrë, por në fushë. Pak para se ekipi të niste stërvitjen e parafundit para Kastriotit, trajneri e mblodhi rreth vetes të gjithë grupin dhe u mundua që t’i karikonte lojtarët dhe nga ana tjetër t’i paralajmëronte. Me ton të ulët, por shumë kritik është shfaqur tekniku. Ai është ndalur te ndërhyrjet, duke u kujtuar futbollistëve se nuk pret kurrfarë telefonate për përfshirje në grumbullim dhe aq më pak në formacion. “Gara për ne po nis dhe unë pres ‘luftëtarë’ në fushë, të cilët do të japin shpirtin në fushë. Ne vetëm pikët na shpëtojnë dhe këtë ta keni të qartë, ndaj mos e harroni kurrë. Duke qenë se kemi një objektiv jo të lehtë, në fushë do të luajnë më të mirët dhe kush e meriton. Të gjithë lodheni dhe derdhni djersë, por do të luajnë vetëm ata që japin më shumë se 100 përqindëshi. Ndaj, kur të bëj listën e grumbullimit, nuk pres telefona më pas, me numër apo anonime qofshin ato. Nuk dua ndërhyrje, jam unë që vendos këtu dhe për të mirën e të gjithëve dhe qëllimit që i kemi vënë vetes, duhet që të veprojnë kështu”, – u ka thënë të tijve Magani dhe fill pas këtyre fjalëve i udhëzoi për stërvitjen. Seancë që ishte e larmishme, gjatë të cilës lojtarët punuan jo vetëm me topin dhe vendosjen në fushë, por edhe me goditjet nga distanca. Sakaq, gjatë ditës së sotme, stërvitja do të zhvillohet gjysmë orë më herët se sot, pra në 13:30.

Morina titullar, por Korça vendos sot
Mario Morina është programuar si titullar për ndeshjen e nesërme në Krujë. Në kampin bardheblu kanë bindjen se nga Korça nuk do të vijnë pengesa për transferimin e lojtarit te Tirana. Megjithatë, nga sa mësohet, nuk ka ende diçka konkrete. Pasi, përpos fjalëve apo premtimeve që diskutohen e janë dhënë mes palëve, tashmë në klub kërkojnë lejen e kalimit, në mënyrë që ky operacion të quhet i mbyllur me sukses dhe të kenë mundësinë që lojtarin ta federojnë. Pasditen e djeshme Skënderbeu mbërriti në kryeqytet dhe nga sa mësohet ka pasur disa kontakte mes drejtuesve, për ta mbyllur këtë çështje. Gjasat janë që gjithçka të shkojë mirë dhe Morina nesër të ketë mundësinë të zbresë në fushë.

Grumbullohen 20 lojtarë para Krujës
Tirana dje ka nisur grumbullimin, ndonëse ndryshe nga çdo herë tjetër, 48 orë përpara ndeshjes. Fakti që është ndeshja e parë e kampionatit, drejtuesit kanë menduar që skuadra të “ngujohet” para Kastriotit, në mënyrë që të jetë sa më larg zhurmave dhe më e përqendruar te takimi. Pas stërvitjes që u zhvillua dje në fushën sintetike të “Skënder Halili”-t, trajneri u komunikoi lojtarëve se kush ishte i grumbulluar. Këtë herë nuk ishin 18, por 20 futbollistë që u akomoduan në një prej hoteleve të kryeqytetit. Nuk ka pasur ndonjë surprizë në këtë listë, përveç mungesës së Kotobellit dhe Hoxhës.
ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"