Tirana jashtë kupës, tre gola në kthim s’mjaftojnë për ta përmbysur Kukësin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 8, 2012 | 14:03

Tirana jashtë kupës, tre gola në kthim s’mjaftojnë për ta përmbysur Kukësin

TIRANA – KUKËSI  3-2
GOLAT Çota 63′, Morina 64′, G.Lika 85’/ Progni 3′, Allmuça 28′
TIRANA: I.Lika, Sina (G.Muça 14′), Pashaj, Dushku (Kalari 25′), Ferrja, Taku, Limani (Abilaliaj 71′), G.Lika, Duro, Morina, Çota; Trajner: A.Tafaji
KUKËSI: Halilaj, Peqini, Brahja, Malakarne, Hallaçi, Allmuça (Malota 46′), Musolli, Progni (Malo 80′), Biskup, Popoviç (Alikaj 46′), Hoxha; Trajner: A.Cungu
KARTONË TË VERDHË: Çota 7′, Sina 10′, Pashaj 52′, Morina 58′, Duro 67’/ Biskup 80′, Musolli 87′;
KARTONË TË KUQ: Dushku / Brahja
DELEGAT: Petrit Brahja (Tiranë)
VËZHGUES: Pajtim Aliko (Vlorë)
GJYQTARET: E.Peza, D.Rexha, E.Biçaku (Tiranë)

MINUTAT
3′ Popoviç kroson për Prognin, i cili gjuan me kokë dhe e dërgon topin në rrjetë dhe 0-1.
6′ Goditje dënimi për Tiranën, ekzekuton Duro, topi shkon mbi tra.
28′ Gafë e vendësve në mbrojtje, përfiton Progni që kroson bukur te Allmuça dhe tiranasi s’e ka të vështirë që t’u shënojë bardhebluve, 0-2.
38′ G.Lika merr krahun, futet në zonë, gjuan, por grushton Halilaj.
63′ Goditje këndi për Tiranën, G.Lika ekzekuton, duke e dërguar topi në kokën e Çotës, sulmuesi gjuan dhe gol, 1-2.
64′ Aksion i shpejtë i bardhebluve, G.Lika sërish, këtë herë kroson në zonë për Morinën, që në gjysmëkthesë e çon topin në rrjetë dhe barazon shifrat, 2-2.
85′ Aksion i gjatë për Tiranën, Duro kroson nga krahët për G.Likën, që gjuan, duke e dërguar topin në rrjetë dhe 3-2.

Misioni ishte i pamundur dhe kjo dihej tashmë. Sikundër edhe pritej, Tirana eliminohet prej Kukësit të sapongjitur në Superiore nga Kupa e Shqipërisë. Një njollë e zezë kjo, e cila ka për të mbetur gjatë në historinë e bardhebluve. Verilindorët e shohin veten në raundin e tretë të këtij kompeticioni, ndonëse dje humbën me shifrat 3-2. Ekipi i Tafajit përmbysi rezultatin e pjesës së parë nga 0-2, në 3-2, por i duheshin edhe katër gola të tjerë për të prekur mrekullinë e kualifikimit. Një pjesë e parë për t’u harruar për vendësit dhe për t’u mbajtur mend për miqtë, teksa në çdo 2-3 minuta krijonin raste të pastra. Tirana ka ndryshime në 11-she, teksa mungon Pisha, por edhe Sina me Dushkun të rikthyer dolën brenda 18 minutave, pasi u dëmtuan. Verilindorët kanë gjetur që në minutën e tretë golin e parë, teksa Progni, pas një krosi perfekt të Popoviç, e dërgon topin në rrjetë. Në të 28-n vjen një tjetër gol, sërish Progni, por këtë herë kroson te Allmuça, që me një goditje të bukur dyfishon rezultatin në 0-2. Me këto shifra, përmbysja e madhe për fituesit në fuqi të kupës duket si një mirazh, teksa rikujton pokerin e dy javëve më parë. Megjithatë, në 45 minutat e dyta bardheblutë reagojnë duke evituar kështu turpërimin e mëtejshëm përballë kuksianëve. Të ndihmuar ndoshta edhe nga dalja e Brahjas me të kuqe, i cili pati një konfrontim me Dushkun në korridoret e “Qemal Stafes”. Goli i parë vjen në të 63′-n. Goditje këndi për Tiranën, ekzekuton G.Lika, i cili gjen kokën e Çotës dhe sulmuesi e dërgon në rrjetë, 1-2. Një minutë më vonë, është G.Lika sërish, këtë herë kroson në zonë për Morinën, që në gjysmëkthesë e çon topin në rrjetë dhe barazon shifrat, 2- 2. Tirana e merr veten dhe në të 85-n vjen goli i avantazhit. Aksion i gjatë për Tiranën, Duro kroson nga krahët për G.Likën, që gjuan, duke e dërguar topin në rrjetë dhe 3-2, gol që shoqërohet me brohoritjet ironike të tifozërisë kuksiane. Në minutat e fundit Tirana kthehet në “identitet”, por edhe pse krijohen shumë raste, gabohet pa fund para porte, teksa Abilaliaj dhe Çota heqin shansin për thellimin e këtij rezultati, që gjithsesi ishte i pamundur për t’u kthyer.

Tafaj: Nëse vazhdohet kështu, do nxijmë historinë
Trajneri Tafaji nuk ka dashur që të futet në detaje. E kjo me të drejtë, pasi ishte tejet i mërzitur nga rezultati. Megjithatë, për të respektuar edhe rregulloren, ai ka thënë vetëm një fjali për skuadrën që po e drejton prej dy ndeshjesh. Ka marrë fitoren e parë në krye të stolit, por për të nuk mjafton. Ai kërkon prej lojtarëve që të ndryshojnë, pasi nëse do të vazhdohet më të njëjtën ecuri, do nxijnë historinë e këtij klubi legjendar. “Po vazhduan kështu, do të shkruajnë historinë më të zezë të klubit tonë, këtë u thashë lojtarëve në dhomat e zhveshjes në pushim të pjesës së parë dhe këtë dua ta them edhe për mediat. Nuk kam çfarë deklaroj më”, – kanë qenë këto fjalët e Alban Tafajit. E në fakt, tekniku të njëjta gjëra ua ka thënë të tijve edhe në pushim të ndeshjes, ku sigurisht revolta ka qenë më e madhe.

Cungu: Ua dhuruam fitoren, ishin poshtë moralisht
I revoltuar dhe ironik ka qenë në deklaratën e tij trajneri Armando Cungu. Ai është i habitur nga ndëshkimi i Brahjas me të kuq dhe këtë e thotë edhe për mediat. “Pres shpjegim për vendimin e dhënë në pushim të ndeshjes, pasi nuk kuptova gjë. Unë isha në dhomat e zhveshjes, duke bërë llogaritë e mia për pjesën e dytë, por marr vesh që Brahja ishte ndëshkuar. U interesova dhe lojtari më tha se duke dalë i bëri pritë Dushku dhe e goditi, ky është versioni i tij dhe unë i besoj. Jo se është futbollist i skuadrës sime, por pasi është korrekt dhe profesionist. S’e kuptoj lojtarin e Tiranës, që i del para dhe e godet! Me këtë ndodhi i bëmë një dhuratë ekipit kundërshtar, pasi prej kohësh i mungonte një fitore për t’u ringritur në aspektin moral. Jam i lumtur, pasi të eliminosh ekipin më të titulluar në vend, është kulmi i arritjeve në futbollin shqiptar”, – tha Cungu.

Konfrontohen fizikisht në tunel, Peza u jep të kuq
Një debat në minutën e 18-të shoqërohet deri në tunel. Mbyllet pjesa e parë dhe të dyja ekipet dalin nga fusha. Deri këtu nuk ka asgjë normale. Ngërçi fillon pas startit të pjesës së dytë, teksa Kukësi zbret në fushë dhe është me 10 lojtarë. Tifozët u habitën dhe i kërkonin arbitrit të ndalte ndeshjen, por është trajneri Cungu që e jep një shpjegim: “Një lojtar na u ndëshkua me të kuq prej këtyre trimave të Tiranës”. Lojtari në fjalë ishte Brahja. Në korridoret e tunelit, Dushku (ky doli në minutën e 20-të me barelë, pasi u dëmtua) ka pasur konfrontim fizik me Brahjan. Është dashur ndërhyrja e arbitri që të ndaleshin dhe kryesori Ervis Peza u ka treguar të kuqin të dyve. Gjesti ka qenë i rëndë dhe nga sa mësohet, gjyqtarët kanë përgatitur relacion për këtë ndodhi. Vetë Brahja, i pyetur në fund të këtij takimi, ka shpjeguar: “U sqaruam, ishin thjesht nerva në fushë, që u shoqëruan edhe në pushim të takimit, në korridore. Ky ishte kartoni im i parë i kuq. Kam 13 vite karrierë dhe tani e provova të kuqin. Por paska gjithnjë një herë të parë”.

Mbledh ekipin, Tagani: T’i harrojmë hallet
Në fund të ndeshjes, Tagani zhvilloi një mbledhje në dhomat e zhveshjes, ku u kërkoi lojtarëve që të bëjnë të pamundurën që të kalojnë këtë shok psikologjik. I pyetur nga mediat, ndër të tjera, ai tha: “Zhvillova një mbledhje të shkurtër me ekipin, ku u kërkova që të përqendrohen te puna dhe të lënë gjithçka pas krahëve. Kupa iku, ndaj të mendojmë për kampionatin. Por, po nuk lanë pas problemet, s’kemi për ta rimarrë kurrë veten. Ndaj u bëra thirrje edhe futbollistëve që t’i harrojnë hallet dhe ta kalojnë këtë shok psikologjik. Ndaj, marrë shkas nga e gjithë kjo situatë, që t’i ftoj tifozët. Këta lojtarë me moral të coptuar kanë nevojë për mbështetje, shpresoj që t’u jepet”.

Gilman Lika dëmton kaviljen
Ka qenë një ditë e zezë për Tiranën. Veç eliminimit, bardhebluve u janë dëmtuar tre futbollistë. Sina, Dushku dhe G.Lika. I pari pati një goditje në gju dhe u detyrua të dilte në minutën e 14-të. Vetëm 11 minuta më vonë, Dushku pëson tërheqje muskulare dhe e nxjerrin me barelë. Kur pritej të mbyllej ndeshja, G.Lika nxjerr kaviljen dhe del jashtë, duke e lenë ekipin me 10 lojtarë. Për të tre lojtarët ekzaminimet do të bëhen sot. Mjeku thotë që rreziku nuk është i madh, por gjithçka mbetet për t’u parë.

PIKANTE NGA NDESHJA
Vonesa – Ndeshja ka nisur tri minuta me vonesë, arsyeja ishte mungesa e zjarrfikëses. Mirëpo ajo nuk vonoi dhe zuri vend në “Qemal Stafa”, kësisoj edhe delegati Petrit Brahaj njoftoi se ndeshja mund të startonte, pasi gjithçka ishte në rregull.
Tifozët – Kanë qenë të paktë në shkallët e “Qemal Stafa”-s, të paktën krahasuar me ndeshjen e së dielës në kampionat, ku numri i kalonte një mijë. Megjithatë sot ishin diku te 200 të pranishëm kuksianë, të cilët i mbështetën me zell debutuesit e Superiores. Ndërkohë që grupimi “Tirona Fanatics” e bojkotoi takimin.
Nervat – Ka pasur tension në lojë, teksa vlen të përmenden nervat e minutës së 18-të mes Brahjas dhe Dushkut, për të kaluar në të 22-tën mes Malakarnes e Duros dhe e fundit në të 58-tën, ajo mes Hoxhës dhe Morinës. I vetmi moment që u përkeqësua ishte i pari.
Terreni – Nuk ka qenë në kushte optimale tapeti i stadiumit “Qemal Stafa” dhe kjo me të drejtë, por gjithsesi nuk ndikoi në lojë. Kujtojmë se brenda 4 ditëve janë zhvilluar tri ndeshje. Dy mes Tiranës dhe Kukësit dhe një ndërmjet Partizanit dhe Gramshit.
Përgatitjet – Pa marrë mirë frymë, Tirana do të nisë përgatitjet për një tjetër ndeshje, atë me Vllazninë. Do të jetë një duel deciziv, duke qenë se të dyja ekipet janë eliminuar nga kupa. Në këtë takim bardheblutë do të kenë tri mungesa të konfirmuara.
ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"