Tirana merr një pikë mes tensionit në Vlorë. Jo vetëm debate, grushte në fushë dhe tunel

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 3, 2014 | 13:10

Tirana merr një pikë mes tensionit në Vlorë. Jo vetëm debate, grushte në fushë dhe tunel

Famurtari-Tirana 1-1FLAMURTARI-TIRANA   1-1
GOLAT: A.Shehaj 68’/ Ndikumana 23′
FLAMURTARI: Moçka, Liçaj, Dushku, Kuqi, Veliu, Lena, Telushi, Pepa, G.Lika (Qevjani 84′), Zeqiri (A.Shehaj 46′), Abilaliaj; Trajner: E.Gjoka.
TIRANA: I.Lika, Pashaj, Muça, Vrapi, Kalari, Taku, Karabeci, Kërçiku, Ndikumana (Kahata 59′), Morina (Limani 89′), Gilberto (Çota 87′); Trajner: G.Magani.
KARTONË TË VERDHË: Dushku 56′, Telushi 63′, Shehaj 69’/ G.Muça 47′, Gilberto 51′, Kalari 53′, Ndikumana 56′
DELEGAT: Hito Hitaj (Tiranë)
VËZHGUES: Besnik Kaimi (Tiranë)
GJYQTARET: E.Sino, O.Grabova (Fier), R.Çokaj (Lezhë)

MINUTAT
6′ Gilman Lika provon nga një goditje dënimi, por I.Lika pret pa vështirësi.
12′ Kuqi ngatërrohet me këmbët e veta, humb topin, përfiton Ndikumana që gjuan, por Moçka bën mrekullinë duke evituar një gol të sigurt.
22′ Ndikumana kombinohet me Kërçikun, i cili godet nga distanca, gjen kuadratin, por Moçka pret pa problem.
23′ Një gafë e mbrojtjes vendëse shfrytëzohet më së miri prej Ndikumanës. Telushi humbet topin, sulmuesi nga Burundi tregohet i vëmendshëm, gjuan dhe e dërgon topin drejt e në rrjetë dhe 0-1.
31′ Karabeci ekzekuton një goditje dënimi, Moçka pret dhe e largon rrezikun.
47′ Telushi kroson në zonë, Dushku gjuan me kokë, por Lika s’e kontrollon topin në kohë.
61′ Ka goditje këndi, G. Lika kroson në zonë për Liçajn, i cili gjuan me kokë, por nuk gjen portën.
68′ G.Lika kroson një top të artë në zonë, Ardit Shehaj në pozicion, gjuan fluturimthi dhe realizon një eurogol. Barazohen shifrat në 1-1.
71′ G.Lika kroson nga këndi për Veliun, i cili gjuan me kokë, por Kalari neutralizon rrezikun.
79′ Karabeci në ecje e sipër provon nga lart, por s’gjen kuadratin.
81′ Gilberto pasi mban mirë topin, edhe pse në tokë, pason te Kërçiku, i cili gjuan, por pret Moçka.
92′ Kahata nxjerr të lirë Çotën, i cili kishte shansin të shënonte, por mbrojtja mike tregohet më e shpejtë se sulmuesi.

Tension në Vlorë, Flamurtari dhe Tirana ndahen në barazim 1-1. Goli i shënuar nga Ndikumana në pjesën e parë është barazuar prej një eurgoli të Ardit Shehajt në fraksionin e dytë. Ndeshja e luajtur dje në orën 17:00 u dominua nga loja e ashpër, pasi nuk munguan as grushtet. Një takim i luftuar, por në fund skuadrat kanë marrë vetëm një pikë, një rezultat ky që më së shumti kënaq bardheblutë, të cilët vazhdojnë të mos e njohin humbjen. E kundërta mund të thuhet për vlonjatët, të cilët kanë harruar që të fitojnë, teksa që prej 2014-ës kanë marrë vetëm tri pikë dhe ato falë barazimeve. Pritej të ishte një ndeshje jo vetëm “ish”-ësh, por dhe miqsh. Mirëpo, në ato 90 minuta, një gjë e tillë nuk u pa, si në fushë ashtu edhe në korridore, ku nuk munguan nervat, debatet dhe grushtet.
Pjesa e parë Loja nis shpejt për të dyja skuadrat, teksa sinjali i parë vjen nga vendësit. Në të 6-ën minutë është Gilman Lika, i cili provon nga një goditje dënimi, por I.Lika pret pa vështirësi. Tirana shfaqet e qartë në fushë, ndonëse rastin e parë konkret dhe të rrezikshëm e ka në të 12-ën minutë. Kuqi ngatërrohet me këmbët e veta, humb topin, përfiton Ndikumana që gjuan, por Moçka bën mrekullinë duke evituar një gol të sigurt. Bardheblutë fitojnë siguri, çka u jep më shumë hov dhe në të 22-ën minutë Ndikumana kombinohet me Kërçikun, i cili godet nga distanca, gjen kuadratin, por Moçka pret pa problem. Megjithatë, goli nuk vonon. Në minutën e 23-të, një gafë e mbrojtjes vendëse shfrytëzohet më së miri nga Ndikumana. Telushi humbet topin, sulmuesi nga Burundi tregohet i vëmendshëm, gjuan dhe e dërgon topin drejt e në rrjetë dhe 0-1. Në këto momente shtohen nervat dhe kjo shoqërohet edhe me ndërhyrje të ashpra herë pas here. Në të 27-ën minutë vlonjatët tentojnë me anë të Kuqit, por Lika është i pakalueshëm. Bardheblutë janë zotë në mesfushë, ndërkohë që kuqezinjtë mbyllen në zonën e tyre. Karabeci në të 31-ën minutë ekzekuton një goditje dënimi, Moçka pret dhe e largon rrezikun. Provon edhe Morina sërish nga goditja e dënimit në minutën e 45-të, por portieri pret. Kjo pjesë mbyllet me një rast të vlonjatëve, në të 47-ën minutë Telushi kroson në zonë, Dushku gjuan me kokë, por Lika s’e kontrollon topin në kohë.
Pjesa e dytë Një lëvizje efikase e Gjokës në pushim të ndeshjes rezulton efikase. Del Zeqiri dhe në vend të tij futet Ardit Shehaj. Sakaq, për Tiranën nuk ka ndryshime: Magani i beson të njëjtit grup, të paktën deri në të 59-ën minutë, kur nxjerr Nikumanën dhe aktivizon Kahatën. Loja nis me Tiranën në sulm, në të 51-ën minutë Morina galopon në zonë, pason te Ndikumana, por gjuajtja e sulmuesit nuk krijon kurrfarë rrezikshmërie për Moçkën. Reagojnë vlonjatët me anë të G.Likës në të 58-ën, shkodrani i afrohet zonës, kombinohet me Shehajn, i cili gjuan dhe shënon, por anësori kishte sinjalizuar pozicion jashtë loje. Dy minuta më vonë ka goditje këndi, G.Lika kroson në zonë për Liçajn, i cili gjuan me kokë, por nuk gjen portën. Tentativat vazhdojnë për vlonjatët, por pa gjetur rrjetën. Megjithatë, në të 68-ën minutë vjen edhe goli. G.Lika kroson një top të artë në zonë, Ardit Shehaj në pozicion, gjuan fluturimthi dhe realizon një eurogol dhe barazohen shifrat në 1-1. Minutat në vazhdim më së shumti luhen me goditje standarde, apo dënimi, kjo si pasojë e ndërprerjeve të shumta. Në të 71- ën minutë G.Lika kroson nga këndi për Veliu, i cili gjuan me kokë, por Kalari neutralizon rrezikun. Kundërsulm i Tiranës, Kërçiku kishte një rast të artë për të shënuar, por nuk e gjuan siç duhet topin e ardhur nga mesfusha. Miqtë vihen në kërkim të golit të avantazhit, teksa në të 79-ën Karabeci në ecje e sipër provon nga lart, s’gjen kuadratin. Në të 81-ën minutë ka sërish një tentativë, Gilberto pasi mban mirë topin, edhe pse në tokë kthen pason te Kërçiku, gjuan, por pret Moçka. Minutat po kalonin dhe dukej se ndeshja do të mbyllej pa ndryshime në rezultat. Rastet nuk munguan, por pa krijuar rrezikshmëri. Në të 82- ën minutë G.Lika tenton nga distanca, por pa krijuar rrezik te porta e Tiranës. Ka një rast në të 86-ën minutë edhe prej G.Muçës, i cili provon nga jashtë zone, por pa gjetur kuadratin. Katër minutat që u dhanë shtesë, nuk prodhuan asgjë. Në kushte të tilla, Flamurtari e Tirana u ndanë me një barazim, që i mban të dyja ende në ujëra të turbullta në renditje.

MË I MIRI
Erando Karabeci ka qenë pa dyshim një ndër lojtarët më të mirë në fushë dje. Mesfushori ka qenë pikë kyçe e skuadrës, pasi bashkë me Takun e detyruan Flamurtarin që të mbetej në zonën e vet. Për t’u vlerësuar ishte edhe Ardit Shehaj, i cili megjithëse u fut si zëvendësues në fushë, ndryshoi lojën e vlonjatëve, e për më tepër arriti të realizonte një eurogol me vlerën e një pike.

MË PAK AKTIVI
Hair Zeqiri ka qenë në hije për 45 minuta lojë, duke mos krijuar kurrfarë rreziku për skuadrën mike. Lojtari është larg pritshmërive, e për pasojë Gjoka e zëvendësoi në pushim të ndeshjes. Sakaq Liçaj dhe Telushi nuk ishin më lart. I pari bëri më shumë një lojë force sesa logjike, ndërsa i dyti pati faj te goli i pësuar. Ishte pikërisht ai që ia pasoi topin Ndikumanas.

tirana-flamurtari 0-2, Gjoka ne stol“Pika nuk vlen, gabuam në mbrojtje”
Për trajnerin e Flamurtarit, Ernest Gjoka, barazimi është një rezultat që nuk vlen dhe se ekipi duhet ta kalojë këtë ngërç psikologjik. “Barazimi për ne nuk vlen, do të isha i kënaqur me fitoren. Ishte një pjesë e parë jo e mirë, ku gabuam në disa raste. Në fushën tonë janë disa raste që jemi në disavantazh dhe ky është një shqetësim për ne. Mendoj se pjesa e dytë kishte një tjetër shfaqje. Arritëm të barazonim dhe të kërkonim me ngulm golin. Kishim rast edhe për të shënuar golin e dytë, por kështu është futbolli. Unë mendoja se do ta kishim kaluar këtë ngërç psikologjik, por sot (dje) treguam se nuk jemi ende të qetë për të ecur përpara. Çdo gjë na duket e zezë nga gjykimi, e në fakt kjo nuk është vetëm bindja jonë, pasi ishte evidente. Mendoj se pësuam një gol, dhe faji ishte i yni, pasi gabuam në mbrojtje. Pozicioni im? S’ka asnjë problem, jam i qetë”, – tha Gjoka.

Magani“Barazimi më kënaq, ashtu si shkoi loja”
Trajneri i Tiranës, Gugash Magani, shprehet i kënaqur edhe me barazimin për vetë mënyrën se si shkoi loja. “Mendoj se ashtu siç shkoi loja, jam i kënaqur. Ishte një ndeshje e luftuar për të dyja skuadrat dhe rezultati mund të quhet pozitiv për ne, ndonëse ne erdhëm në Vlorë për ta fituar këtë takim. Nuk jam fort i kënaqur me një përqindje shumë të vogël të lojtarëve. Patjetër që do të qëndrojmë në Superiore, këtë gjë as që e vëmë në diskutim. Sa i përket tensionit, ashtu si është situata e ekipeve në renditje, ishte i pashmangshëm, ndonëse asnjëherë nuk janë të këndshme. Janë nerva loje që kalojnë për pesë minuta”, – tha fillimisht Magani. Më tej ai sqaron se skuadra e tij po të ishte shfaqur më e kujdesshme, edhe mund të fitonte. “Krijuam shumë dhe ishim superiorë kundrejt Flamurtarit, ndaj mund të kishim fituar. Megjithatë nuk ia dolëm, pasi shpërdoruam”, – përfundoi trajneri.

NdikumanaGrushte në fushë dhe tunel, goditen arbitri dhe Ndikumana
Tension në fushë dhe jashtë saj. Ndeshja e luajtur në Vlorë është shoqëruar me debate dhe grushte. Një gjë e tillë në fakt mund të dallohej lehtësisht në fushë, por skuadrat nuk u mjaftuan me kaq, pasi nervat vijuan edhe në tunel, ku për minuta të tëra pati përplasje dhe u desh ndërhyrja e forcave të rendit që të sheshohej sherri. I prekur nuk ishte vetëm Kalari, i cili mori dy grushte në sytë e arbitrit dhe anësorëve, por edhe vetë Emirjon Sino dhe Selemani Ndikumana, të cilët u sulmuan në pushim dhe në fund të ndeshjes.
Tensioni – Loja nisi e ashpër dhe tepër e luftuar, por pa kaluar limitet. Megjithatë, me kalimin e minutave situata po agravohej, ku nuk munguan as grushtet, të cilat u panë e ripanë nga pamjet vizive. E çuditshme ishte heshtja e kryesorit Sino, i cili edhe pse i shihte nuk reagonte. Me ose pa dashje, kjo mbetet ende një dilemë, por fakt është që gjyqtari nga Fieri fali për minuta më radhë disa futbollistë, duke mos i ndëshkuar. Minuta e 43-të duhet të sillte karton për Liçajn, pas një ndërhyrjeje të ashpër ndaj Gilbertos, mirëpo Sino e fali mbrojtësin. Të njëjtën gjë bëri edhe në të 46-ën minutë me Takun, i cili në tentativë për roveshatë ngriti takat ndaj Lenës, por kryesori nuk e ndëshkoi.
Pushimi – Teksa ekipet iu drejtuan dhomave të zhveshjes në pushim, burime të sigurta pranë Tiranës për “Panorama Sport” tregojnë se është sulmuar edhe arbitri Sino. Disa persona që kanë lidhje me skuadrën e Flamurtarit u futën në dhomën e arbitrave dhe e kanë kapur prej fyti, duke i bërë presion. Skenë që është parë edhe nga zyrtarët e ndeshjes, ndaj pritet që të shënohet në relacion. Mirëpo vlen të theksohet se Sino, ndonëse nuk është gjyqtar i FIFA-s, prej javësh po drejton ndeshjet më të rëndësishme të kampionatit shqiptar.
Grushtet – Pjesa e dytë do të kthehej në një arnë lufte, ku pati grushte, por në asnjë moment të kuq. Në të 52- ën minutë Liçaj në një dyluftim me Kalarin, mbrojtësi e grushton në shpinë lojtarin e Tiranës, kur ai ishte i shtrirë në tokë dhe me kurriz. Sino jep vetëm të verdhë për Kalarin, pas faullit që shkaktoi. Në minutën e 54-t, teksa Flamurtari po përgatitej për të gjuajtur një goditje dënimi, Dushku provokon Ndikumanën dhe sulmuesi iu përgjigj duke e goditur me kokë. Për pasojë lojtari çahet në buzë, ka kartonë të verdhë për të dy protagonistët. Kulmi arriti në të 74- ën minutë, kur Telushi godet hapur me grusht në fytyrë Kalarin, duke e mbajtur me njërën dorë dhe e gjuajtur me tjetrën. Sino është aty, e kthen kokën, dhe e sheh qartazi këtë episod, por nuk ka të kuq.
Tuneli – Në korridoret e stadiumit ka tension dhe debate. Telushi dhe Kalari vazhdojnë debatin, ndërsa nga ana tjetër Erjon Dushku me trajnerin e Tiranës Gugash Magani. Në debat gjithashtu është përfshirë edhe Ardit Shehaj. I pyetur për këtë incident, trajneri Magani u shpreh: “Janë nerva loje, ne jemi pjesë e futbollit dhe gjatë gjithë kohës duhet të shfaqim shenja paqe, që edhe tifozët të jenë më të qetë”. Por ai që u sulmua në dhomat e zhveshjes kur gjithçka kishte mbaruar ishte Selemani Ndikuama. Lojtarët dhe anëtarë të stafit teknik të Flamurtarit kanë gjuajtur sulmuesin nga Burundi. Mësohet se Ndikumana ka mbetur i shokuar nga kjo, madje u ka thënë lojtarëve bardheblu që pse e lanë vetëm dhe nuk e përkrahën në atë moment. Por kur e gjitha kjo po ndodhte, 11-shja e Tiranës ishte duke përshëndetur tifozët që ndodheshin në Vlorë.

Tirana-Vllaznia 0-0, Kalari me Gocajn ne sfondKalari: Nuk provokova askënd, grushtet u panë nga të gjithë
Ka qenë pa dyshim protagonist në këtë ndeshje, por jo për futboll. Renaldo Kalari ishte ai që mori dy grushte në fushë, të parin nga Liçaj dhe të dytin që ishte edhe më flagranti nga Telushi. Në të dyja rastet askush nga “agresorët” nuk u ndëshkua, por ai vetë e mori një të verdhë edhe për faull. I kontaktuar nga “Panorama Sport” pasi gjithçka kishte përfunduar, mbrojtësi i Tiranës sqaron se nuk ka provokuar kënd, madje një gjë e tillë mund të vërtetohet lehtë. “E habitshme, unë nuk kam provokuar askënd. Dhe kjo mund të vërtetohet. Grushtet u panë nga të gjithë, një e mora në shpinë dhe tjetrin në fytyrë. Dhe në të dyja rastet nuk kisha kurrfarë faji. Momenti i parë ishte dyluftim i pastër, dhe ndjeva një grusht në kurriz, aty u ndëshkova me të verdhë, por nuk reagova. Më tej, kur ndaj Gilbertos po shkaktoheshin faulle të shumta, sikundër ndodh në futboll, bashkë me lojtarët po i thoshim arbitrit se përse nuk i ndëshkon. Mirëpo aty vjen Telushi, të cilin nuk e njoh fare, ndaj nuk kisha si ta provokoja, dhe më godet me grusht. Kryesori edhe pse e pa, nuk bëri asgjë. Pretendimet e vlonjatëve se unë isha iniciator bien shumë shpejt poshtë, mjafton të shihen pamjet”, – tha Kalari. Më tej mbrojtësi u shpreh se është e para herë që i ndodh atij personalisht që të pritet kaq keq në Vlorë. “Unë te Flamurtari njoh vetëm Dushkun, G.Likën dhe Moçkën, tjetërkënd nuk njoh. Me këtë dua të them se nuk kisha arsye të merresha me një person që nuk kam asnjë muhabet. Megjithatë, kjo është hera e parë që unë vi të luaj në Vlorë dhe shoh këto lloj skenash. Jam realisht i shokuar, kryesisht prej rasteve ku unë isha edhe ‘viktima'”, – përfundoi Kalari.

Telushi: E godita se më provokoi
Pas ndeshjes pati disa incidente. Rasti më flagrant ishte ai i Bruno Telushit, i cili godet me grusht Kalarin në minutë e 74-t. Lojtari ia hodhi paq, pasi nga ana e kryesorit nuk erdhi asnjë karton i verdhë. Megjithatë, me mbylljen e 90-minutëshit debati vazhdoi edhe në korridor të stadiumit, ku u desh ndërhyrja e lojtarëve të të dyja skuadrave që të qetësohej ky konfrontim. I kontaktuar për këtë ngjarje nga gazeta, mesfushori i skuadrës vlonjate, Bruno Telushi, u shpreh se është provokuar, ndaj edhe grushtoi. “Kalari më ofendoi gjatë ndeshjes, madje edhe në fund të saj, kur po shkonim në dhomat e zhveshjes. Por më pas ai erdhi së bashku me portierin Lika dhe më kërkoi falje, duke u sqaruar për atë që ndodhi”, – tha Telushi.

“Na duhej fitorja, goli për vëllanë”
Një eurogol të cilin ia vlen ta shohësh disa herë, megjithatë për Ardit Shehajn në fund ka vlerë rezultati, dhe ai barazim nuk ka lënë shije të mirë në Vlorë. Autori i golit të Flamurtarit, Ardit Shehaj, i cili u fut në fushë si zëvendësues, thotë se rezultati më i mirë do të ishte fitorja. “U zhgënjeva nga rezultati pasi isha i përgatitur për fitore në këtë ndeshje, por edhe barazimi nuk ishte ndonjë rezultat i keq, përkundrazi pozitiv. Nuk duhet ta bëjmë dramë këtë barazim, sepse në fund të fundit kishim përballë një kundërshtar të fortë dhe që lufton për mbijetesën. Golin ia dedikoj babait tim që më ndjek hap pas hapi, ashtu si edhe vëllanë tim, Lorencin”, – tha Shehaj.

“Kaq mjafton, i lumtur për golin”
Selemani Ndikumana ka shënuar sërish, por dje goli i tij ka pasur vetëm vlerën e një pike. Sulmuesi nga Burundi, i kontaktuar nga “Panorama Sport” në fund të takimit, është shprehur i kënaqur për golin, edhe pse rezultati më i mirë do të ishte vetëm fitorja. “Në total bëmë një lojë të mirë dhe dominuam thuajse të gjithë takimin. Por ky barazim na hyn në punë gjithsesi. Edhe pse do të doja që të fitonim, pasi na duhej shumë ai trepikësh, për vetë pozitat që kemi në renditje. Por ashtu si shkoi kjo transfertë, kjo pikë mund të konsiderohet pa dyshim e kënaqshme, pasi kishim përballë një skuadër të fortë si Flamurtari. Jam i lumtur që arrita ta ndihmoj sadopak skuadrën me golin e shënuar”, – përfundoi sulmuesi.

JA RASTET PËR MOVIOLË
Minuta 43 – Liçaj për karton të verdhë, ndërhyn ashpër ndaj Gilbertos, Sino fal mbrojtësin.
Minuta 46 – Taku në tentativë për roveshatë ngre takat ndaj Lenës, kryesori nuk e ndëshkon.
Minuta 52 – Liçaj për të kuq, në një dyluftim me Kalarin, mbrojtësi e grushton në shpinë lojtarin e Tiranës, kur ai ishte i shtrirë në tokë dhe me kurriz. Sino jep vetëm të verdhë për Kalarin, pas faullit që shkaktoi.
Minuta 54 – Teksa Flamurtari po përgatitej për të gjuajtur një goditje dënimi, Dushku provokon Ndikumanan, sulmuesi i përgjigjet duke e goditur me kokë dhe për pasojë lojtari çahet në buzë, ka kartonë të verdhë për të dy protagonistët.
Minuta 74 – Në një ndërprerje të lojës, pas një faulli, Telushi godet hapur me grusht në fytyrë Kalarin, duke e mbajtur me njërën dorë dhe goditur me tjetrën. Sino është aty, e kthen kokën dhe e sheh qartazi këtë episod, por nuk jep të kuq për Telushin.

PIKANTE
1. Një tifoz në tribunën qendrore hedh një lumë ofendimesh ndaj trajnerit Ernest Gjoka. Donatori Idrizaj dhe kryebashkiaku Gjika u kërkuan forcave të rendit që ta largonin dhe ashtu ndodhi. Policia ka ndërhyrë, duke e shoqëruar tifozin problematik.
2. Flamurtari inauguroi dje fanellat e reja, të cilat mbajnë logot e kompanive turke “TRK” dhe “AtlasJet”. E ndërsa kishin njoftuar pjesëmarrjen e tyre në këtë ndeshje, donatorët turq nuk ishin të pranishëm në tribunë, pasi kishin angazhime pune.
3. Presidenti i Flamurtarit, Shpëtim Gjika, priti në hyrje të stadiumit donatorët e Tiranës. Pas shkëmbimit të përqafimeve të përzemërta nuk munguan as batutat. Më pas, kryebashkiaku i Vlorës u ul në kafe me drejtuesit bardheblu.
4. Forca të shumta të policisë në stadiumin e Vlorës. Krerët më të lartë të policisë qenë të mobilizuar në këtë ndeshje. Ato drejtoheshin nga shefi i komisariatit, Artur Selimi, duke qenë në gatishmëri gjatë gjithë kohës.
5. Lumë parash për një trepikësh. Flamurtari do të merrte 20 milionë lekë të vjetër, ndërsa Tirana 10 milionë. Mirëpo ndeshja u mbyll barazim, ndaj si vlonjatët, ashtu edhe bardheblutë nuk përfituan nga shpërblimet e dhëna.
ERMAL SIKA / ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"