Tirana ndalet pas dy fitoresh. Vetëm “X” në Shkodër, Bulku nderon bardheblutë në limit
VLLAZNIA-TIRANA 1-1
GOLAT: Shtubina 18’/ Bulku 90+18′
VLLAZNIA: Selimaj, Gocaj, Beqiri, Sykaj, Boci, Tafili, Shala (Mehmetoviç 73′), Shtubina, Kruja (Ciofi 90+3′), Hajdari (Kalaja 90+12), Soza; Trajner: Baldo Raineri. (Në dispozicion: Kampironi, Aguirre, Dibra, Dema).
TIRANA: Frashëri, Kërçiku (Hyshmeri 90+3′), Muça, Curri, Idrizaj (Bulku 56′), Taku (Olaki 87′), Karabeci, Malaj, Kagere, Bakaj, Bushiç; Trajner: Gugash Magani. (Në dispozicion: Çaka, Pashaj, Gavazaj, Kalari
KARTONË TË VERDHË: Shala 52’/ Idrizaj 36′, Frashëri 90+10′
GJYQTARË: L.Alla, D.Koreshi (Lushnjë), O.Grabova (Fier)
VËZHGUES: Besnik Kaimi (Tiranë)
DELEGAT: Astrit Maçi (Tiranë)
Përtej katrahurës që ndodhi në tribuna, ku nuk munguan përleshjet dhe të plagosurit, në fushë pati edhe futboll. Nuk ishte një ndeshje “vitrinë” e futbollit shqiptar, por në Shkodër u prodhua edhe lojë. Nuk është se pati spektakël, por ishte një përballje nën nivelin mesatar që u shoqërua me raste të pastra dhe gola. Pas 109 minutash lojë, në fund Vllaznia dhe Tirana morën vetëm nga një pikë. Goli i Shtubinës u barazua nga Bulku në limit, duke u dhënë mundësi bardhebluve që të mos dalin duarbosh nga “Loro Boriçi”.
Pjesa e parë – Takimi nisi i qetë dhe pa raste. Skuadrat po studionin lojën e njëra-tjetrës dhe për minuta të tëra portierët nuk u vunë në provë. Episodi i parë i rrezikshëm erdhi nga miqtë, teksa në të 11-n minutë Bakaj pasoi për Bushiçin, që ndodhej në zonë, i cili shmang mbrojtjen vendëse, gjuan, por Selimaj pret. Vllaznia mundohet të reagojë, por e ka të vështirë që t’i afrohet zonës së bardhebluve. E megjithatë në të 18-n zhbllokohen shifrat. Goditje këndi për Vllazninë, ekzekuton Shtubina, duke e dërguar topin drejt e në rrjetë dhe 1- 0. Idrizaj, i cili ndodhej në këndin e portës, edhe pse kishte mundësi që të shmangte, nuk ia doli dot. Kuqeblutë fitojnë besim në vete dhe mundohen që të fitojnë terren. Në të 22-n Gocaj avancon në zonë, gjuan, por topi neutralizohet nga Frashëri. Pas 2 minutash Tirana mundohet të kundërpërgjigjet, teksa Bakaj kombinohet me Bushiç, i cili gjuan nga jashtë zone, por topi i tij përfundon shumë larg kuadratit. Në të 25-n ka goditje dënimi, gjuan Bakaj, por Selimaj pret duke ruajtur portën e tij të paprekur. Taku befason në të 27-n me një goditje potente nga distanca. Mesfushori e kontrollon topin me gjoks, por Selimaj largon mrekullisht rrezikun. Ka një pretendim për 11-metërsh nga Vllaznia, pas një dyluftimi të pastër në zonë mes Muçës dhe Krujës, shkodranët kërkojnë penallti, por kryesori Alla nuk mendon kështu. Pak minuta nga fundi i pjesës së parë, në të 43-n konkretisht, Muça merr një top në mesfushë, gjuan nga distanca, por topi devijohet në goditje këndi prej Selimjat, duke shpëtuar portën e Vllaznisë. Ky 45-minutësh i parë mbyllet këtu.
Pjesa e dytë – Ky fraksion nis me tjetër ritëm dhe me ndryshime në formacionin e Tiranës, teksa vendin e Idrizajt e zë kapiteni Bulku, i cili ishte në stol për probleme fizike. Në të 54-n tenton Bushiç, largon Selimaj. Topi kthehet te Kagere, por goditja e tij neutralizohet prej Shtubinës. Minuta pasuese shton presionin në portën e mbrojtur nga Selimaj, teksa provon Bakaj, por portieri vërtetoi për të disatën herë se është shpëtimtari i Vllaznisë. Në të 56-n Tafili lëshon një goditje nga 30 metra distancë, por Frashëri grushton, duke shmangur një gol të sigurt. Rasti që ndikoi jo vetëm në rezultat, por edhe në tensionin e ndodhur në fushë ishte ajo e të 63-s. Curri pason te Bakaj, Beqiri ndërpret sulmuesin në zonë, pretendohet penallti, por Alla nuk mendon kështu. Loja vazhdon dhe Vllaznia ka rastin që të dyfishojë me anë të Sozës në të 74-n, por gjuajtja e uruguaianit nuk ishte në lartësinë e duhur, ndaj pritet nga Frashëri. E 85-ta minutë sjell një gol të anuluar, për pozicion jashtë loje. Kërçiku kroson për Takun që pason te Kagere, sulmuesi shënon, por goli anulohet për pozicion jashtë loje. Minutat pasuese shoqërohen me sulme e kundërsulme, por pa rezultat. Goli vjen në të 108-n minutë, kur një top i Muçës në zonë kontrollohet me qetësi prej Bulkut që gjuan dhe shënon. Pas një minute mbyllet kjo sfidë, e cila u jep nga një pikë Vllaznisë dhe Tiranës.
MË I MIRI
Lojtarët e krahëve te Vllaznia bënë diferencën dje. Flasim këtu për Bocin dhe Gocaj, të cilët shpeshherë krijuan rrezikshmëri. Ata avanconin lehtësisht, teksa dallonin për shpejtësinë dhe saktësinë në goditje. Një notë të lartë meriton edhe Selimaj, pasi ishte pa dyshim shpëtimtari i shkodranëve me ndërhyrjet e tij decizive. Megjithatë pas nuk mbetet as Bulku, që dha shpirtin në fushë.MË PAK AKTIVI
Endrit Idrizaj nuk ishte në ditën e tij më të mirë. Madje shkaktar për atë gol të shënuar direkt nga goditja e këndit prej Shtubinës ishte ai. Mbrojtësi mund ta shmangte mjaft mirë atë top, por nuk ia doli dot. Nga ana tjetër, Tomislav Bushiç vazhdon të mos jetë efektiv në vijën e parë. U bë e treta ndeshje që ai nuk e gjen rrjetën, ndonëse rastet nuk i kanë munguar.
Arbitri Laver Alla u mohon një penallti bardhebluve
Gjyqtarët vazhdojnë të jenë protagonistë. Ashtu siç ndodhi të mërkurën në Laç, kur kryesori Bardhyl Pashaji i mohoi një penallti të pastër Kukësit pas një ndërhyrjeje flagrante në zonë ndaj Pejiçit, historia u përsërit edhe dje në Shkodër. Një penallti e mohuar ndaj bardhebluve, pas një ndërhyrjeje të pastër të Beqirit ndaj Bakajt në zonë. Moment që ndikoi jo pak në rezultat, pasi Tirana ishte në disavantazh. Mirëpo ky ishte vetëm një episod, pasi raste të tjera për moviolë nuk munguan. Megjithatë, në këto raste, bazuar edhe te pamjet filmike, Laver Alla ka vepruar drejt. Në të 37-ën minutë, pas një dyluftimi të pastër në zonë mes Muçës dhe Krujës, shkodranët pretendojnë penallti, por kryesori sinjalizon vazhdimin e lojës. Në të 85-ën anulohet një gol i Tiranës, për pozicion jashtë loje. Kërçiku kroson për Takun, i cili pason te Kagere, sulmuesi shënon, ndonëse ishte dukshëm në pozicion jo të rregullt.