Tirana nis me “samba”, firmosin 2 braziliane
Tirana bën goditje të dyfishtë për ofensivën. Merkatoja bardheblu ka nisur me “samba”. Tratativat e nisura që në dhjetorin e 2015-ës me Hugo Guimaraes Silva Santos Almeida dhe Aleks Uillian Kosta Silva (lajm i publikuar ekskluzivisht nga “Panorama Sport” prej javësh), janë mbyllur me sukses gjatë paradites së djeshme.
Sulmuesi dhe fantazisti kanë nënshkruar zyrtarisht një kontratë 6+1 (6- mujore dhe me mundësi rinovimi për një tjetër vit) me kryeqytetasit, duke u bërë kështu përfundimisht blerjet e para për merkaton e dimrit. Në këtë mënyrë, skuadra e Ilir Dajës përforcon ndjeshëm repartin më problematik të pjesës së parë të sezonit, atë ofensiv.
Afrimi i Almeidës, një “pykë” e mirëfilltë, plotëson boshllëkun e krijuar pas largimit të Gilberto Fortunatos. Pritshmëritë janë të mëdha edhe për Uillian, i cili bën më së miri rolin e organizatorit. Të dy kanë një karrierë të pasur e megjithatë tashmë e vetmja gjë që mbetet është që vlerat e tyre t’i dëshmojnë në fushën e lojës.
Kontrata dhe përfitimet
Të dy brazilianët, pasi kanë nënshkruar marrëveshjet kontraktuale me drejtues të klubit, gjatë seancës së pasdites u vunë nën urdhrat e stafit teknik. Prezantimi i tyre përpara mediave do të kryet sot, të paktën këtë paralajmëroi vetë zyra e shtypit me anë të një njoftimi në faqen zyrtare ku shkruhej: “Klubi ka realizuar goditje të dyfishtë për pjesën e dytë të sezonit.
Dy futbollistë brazilianë, të ardhur para pak ditësh në Shqipëri, pasi kanë kaluar me sukses testet mjekësore, kanë mbyllur marrëveshjen zyrtare për t’u veshur bardheblu. Aleks Uillian dhe Hugo Almeida janë dy futbollistë të Tiranës për gjashtë muajt e ardhshëm.
Marrëveshja është bërë për gjysmën e dytë të sezonit, me opsionin për t’u rinovuar sërish nëse gjërat do të shkojnë mirë. Nesër (sot), të dy futbollistët do të prezantohen në ambientet e klubit”. Ashtu sikundër gazeta pat shkruar para pak ditësh, lojtarët kanë gjetur akordin financiar për të përfituar afro 7 mijë euro në muaj.
Edhe pse u përfol se njëri prej brazilianëve kishte rezultuar me probleme fizike, prej dy operacioneve të vjetra (njëri para 12 vitesh dhe tjetri para 1 viti), është konstatuar se Hugo Almeida është në formë të mirë. Për këtë motiv, kryeqytetasit nuk kanë hezituar dhe menjëherë kanë mbyllur marrëveshjet e para për këtë merkato
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"