Tirana drejt Pukës vetëm me 18 lojtarë, trajneri Nevil Dede skarcon 6 në provë
Tirana ka nisur dje zyrtarisht fazën përgatitore në Pukë, ku do qëndrojë për 10 ditë. Stafi teknik ka menduar një fazë të tillë përgatitore, e cila pritet të mos jetë e vetmja deri në fillimin e kampionatit, në mënyrë që lojtarët e grumbulluar deri në këto momente të stërviten fizikisht dhe të jenë të gatshëm për të përballuar një kampionat të gjatë. Mësohet se pas miqësores së zhvilluar pasditen e së shtunës ndaj Tirana U- 19, trajneri Nevil Dede ka bërë një listë të atyre futbollistëve që udhëtuan dje drejt Pukës. Kështu, nga 24 lojtarë që ai ka pasur në dispozicion gjatë stërvitjeve në “Skënder Halili”, gjatë javës së shkuar, vetëm 18 prej tyre janë përzgjedhur nga Dede. Sipas shefit të klubit, bëhet fjalë për dy portierët Marsel Çaka dhe Xhino Sejdo. Për mbrojtësit: Erion Hoxhallari, Entonio Pashaj, Antonio Marku, Renaldo Kalari dhe Elvis Sina. Për mesfushorët: Erando Karabeci, Gentian Muça, Ardit Peposhi, Afrim Taku, Algi Lapardhaja, Enri Tafaj dhe Dhimitri Strakosha, si dhe për sulmuesit: Mirel Çota, Ergys Sorra, Ilir Kastrati dhe Albi Llënga. Sakaq, nga grupi janë skartuar: Florian Hoxha, Gentian Prela, Enkelejd Cankja, Edison Plaka, Mikel Hoxha dhe Edison Qafa. Që të gjashtë këta lojtarë, duke qenë se janë lënë në kryeqytet, pra nuk kanë udhëtuar me ekipin, konsiderohen si të panevojshëm, ndaj edhe do jenë të lirë që të kërkojnë një skuadër tjetër për sezonin e ri futbollistik. Ndërkohë, mësohet se Tirana, veç përgatitjeve intensive që do të bëjë në Pukë, do mundohet që të zhvillojë edhe ndonjë ndeshje miqësore me skuadrën vendëse të Tërbunit ose edhe me ndonjë ekip verior, si Ada e Velipojës apo edhe Vllaznia, gjithnjë nëse këto skuadra do jenë të interesuara ose të grumbulluara gjatë këtyre ditëve. Gjithsesi, sipas drejtuesve të klubit, kjo është ende e pakonfirmuar, pasi më shumë sesa nga Tirana, varet nga programi i këtyre skuadrave. Në të kundërt, është menduar që trajneri Dede të fokusohet më shumë tek ushtrimet atletike, me qëllim që të gjithë lojtarët të marrin ngarkesën e duhur fizike. Kjo është hera e dytë që Tirana zhvillon në Pukë një fazë përgatitore, pasi përpara pak vitesh ka qenë në këtë qytet për të zhvilluar përgatitjet fizike, kur ende drejtohej nga ish-presidentidonator, Refik Halili.
Java e padive
Disa prej titullarëve të sezonit të shkuar, që nuk kanë qenë të pranishëm as në seancat stërvitore të kësaj jave në “Skënder Halili”, pritet që këtë javë t’i drejtohen Dhomës së Zgjidhjes së Konflikteve për pagat e prapambetura dhe zgjidhjen e kontratës. Nga ana e klubit deri në këto momente nuk ka asnjë lëvizje, ndërkohë që futbollistët që kanë dy vite kontratë me klubin, pritet të shkojnë në grup në zyrat e tij për të marrë edhe lejekalimet. Ata që kanë një vit kontratë, duhet të arrijnë një akord dhe ndoshta të sakrifikojnë diçka nga rrogat.
Merkato
Ish-mbrojtësi i Dinamos dhe Vllaznisë, Antonio Marku, është blerja e vetme e Tiranës deri në këto momente. Drejtuesit janë përqendruar më shumë te zgjidhja e problemeve me lojtarët e larguar, disa prej të cilëve kanë dalë të lirë pas ankesës së bërë në DHZK. Edhe pse trajneri Dede mësohet të ketë kontaktuar me disa futbollistë brenda vendit, por edhe në kampionatin kosovar e maqedonas, i cili gjithmonë e më shumë po furnizon me lojtarë ekipet shqiptare, përsëri deri tani nuk ka pasur asnjë zyrtarizim.
LEONARD KARAJ