Tirana pezullon Hasanin, zbulohet ultimatumi i Memës. Ja arsyet që mund të kenë nisur sherrin
Është zyrtare. Edon Hasani pezullohet pa afat nga stërvitja e Tiranës. Vendimi është marrë nga drejtuesit e klubit në bashkëpunim me stafin drejtues.
Pas ngjarjes së ndodhur në grumbullim, klubi nuk ka hezituar që të marrë një vendim të ndërmjetëm, derisa të merret vendimi përfundimtar. “KF Tirana ka pezulluar futbollistin Edon Hasani për shkak të një incidenti në stërvitje me futbollistin Agustin Torasa. Pas këtij momenti, Hasani ka debatuar me trajnerin, debat i cili ka sjellë masën disiplinore për lojtarin. Përfshirja e kapitenit Erando Karabeci në këtë histori është e pavërtetë. Karabeci dhe Hasani kanë qenë dhe mbeten miq brenda dhe jashtë fushe”, shkruhej në njoftimin e klubit.
FUTBOLLISTI – Menjëherë sapo ka marrë vendimin e klubit në dorë, futbollisti ka lënë Ohrin. Ai është kthyer menjëherë në Tiranë. Të premten ai është fotografuar me një mikun e tij në një nga kafet pranë stadiumit “Selman Stërmasi”, i relaksuar pas ngjarjeve në Ohër.
TRAJNERI – Ajo që është mësuar këto dy ditë është ultimatumi i trajnerit Ardian Mema. Ky i fundit ka komunikuar me drejtuesit dhe u ka bërë me dije vendimin e tij për të pezulluar pa afat lojtarin, vendim që është konfirmuar edhe nga drejtuesit e klubit. Gjithsesi, trajneri ka vënë veton dhe kërkon largimin e futbollistit. Mësohet që Mema t’u ketë thënë drejtuesve.
“Lojtari nuk kthehet. Në skuadër unë ose ai”. Një ultimatum që duhet të marrë fund ditën e hënë, pasi presidenti Refik Halili duhet të marrë një vendim të vështirë. Të largojë një lojtar me vlerë, apo të thyejë marrëdhëniet me trajnerin. Një vendim goxha i vështirë për presidentin, që sido që të vendosë, do të thyejë ekuilibra në ekip.
PËRSE NDODHI? – Të vërtetën përse ndodhi incidenti te Tirana e di vetëm Edon Hasani, Agustin Torasa dhe Ardian Mema. Fakt është se për Edon Hasanin përflitet një ofertë joshëse nga jashtë Shqipërisë, që do të thotë se Hasani mund ta ketë imponuar këtë përplasje për të shkuar në një ekip më të mirë. Ndodh rëndom mes klubeve dhe lojtarëve.
OLSI AVDIAJ
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"