Tirana pikiatë, Zeqiri bën heroin e vlonjatëve. Revoltë e tifozëve bardheblu: Hiqini fanellat!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 3, 2013 | 11:59

Tirana pikiatë, Zeqiri bën heroin e vlonjatëve. Revoltë e tifozëve bardheblu: Hiqini fanellat!

tirana-flamurtari 0-2, Vrapi ne aksionTIRANA-FLAMURTARI  0-2
GOLAT: Zeqiri 53′ (11-m), 81′
TIRANA: Çaka, Sina (Muça 54′), Kaja, Vrapi, Hoxhallari, Karabeci, Kërçiku, Limani, Peposhi (Çaushaj 68′), Çota, Semedo (Hoxha 46′); Trajner: A.Gallo.
FLAMURTARI: Moçka, Sakaj, Dushku, Kuqi, Veliu (Begaj 32′), Mici, Telushi, Lena, Arbri, Zeqiri (Shehaj 90′), Pepa (Liçaj 80′); Trajner: E.Gjoka.
KARTONË TË VERDHË: Hoxhallari 47′, Karabeci 51’/ Arbri 65′
KARTON I KUQ: Lena 56′
VËZHGUES: Ilirian Kristo (Tiranë)
DELEGAT: Besnik Çela (Tiranë)
GJYQTARET: E.Jorgji, R.Preca, A.Latifi (Elbasan)

MINUTAT
5′ Tentativë e Limanit, i cili gjuan nga distanca, por mbi tra.
12′ Limani kroson në zonë për Peposhin, gjuan, por topi përplaset te Moçka.
14′ Veliu kroson për Pepën, i cili del huq, edhe pse i vetëm para porte.
15′ Limani gjuan bukur nga jashtë zone, por Moçka grushton.
16′ Gabon Kuqi, përfiton Semedo, i cili kthen topin te Çota, por nuk gjuan si duhet.
18′ Goditje dënimi, ekzekuton Karabeci, por portieri mik pret pa vështirësi.
31′ Limani hedh një top në zonë, Moçka nuk tregohet i kujdesshëm dhe e lë topin të lirë, por Semedo nuk përfiton.
32′ Pepa kroson një top nga krahët, pretendohet për prekje me dorë nga Kaja, por gjyqtari nuk mendon kështu.
36′ Pepa i vetëm në zonë gjuan, por nuk gjen kuadratin.
38′ Begaj kombinohet me Arbrin, gjuan, por nuk gjen portën.
41′ Rrëmujë në zonë, Zeqiri gjuan, por topi largohet nga mbrojtja e Tiranës.
42′ Rast perfekt për Tiranën, Semedo kombinohet me Çotën. Ky mundohet t’ia kthejë, por nuk ia del.
47′ Zeqiri provon nga larg, por nuk gjen kuadratin.
53′ Arbri pengohet në zonë nga Peposhi, ka penallti. Gjuan Zeqiri dhe 0-1.
55′ Mici gjuan nga distanca, pret në dy kohë Çaka.
72′ Pepa i afrohet zonës, godet, por Hoxhallari largon rrezikun. 74′ Kaja kombinohet me Kërçikun, ky i fundit te Muça, por nuk arrin të godasë.
77′ Çota pason te Hoxha. Ky i fundit bën roveshatë, por topi shkon shumë pak mbi tra.
79′ Goditje dënimi, Begaj gjuan, topi kthehet nga mbrojtja vendëse te Telushi, i cili tenton, por vetëm jashtë.
81′ Zeqiri merr topin në mesfushë, kalon Kajën, galopon në zonë dhe me parabël e dërgon topin në rrjetë 0-2.

Kriza e Tiranës nuk ka fund. Flamurtari i shkakton një tjetër humbje, këtë herë para tifozëve të vet. Edhe pse me 10 lojtarë në fushë, kuqezinjve u ka mjaftuar dopieta e Hair Zeiqrit, i cili u kthye në heroin e kësaj sfide. Ashtu si një sezon më parë, edhe këtë herë vlonjatët shkaktojnë tërmet në radhët e kryeqytetasve. Qindra tifozë u ngritën në kor, duke u kërkuar futbollistëve që të hiqnin fanellën, pasi nuk e meritonin. Ndërkohë që Alpin Gallo pëson humbjen e dytë si trajner i bardhebluve. Në fushë u pa një skuadër me dy fytyra, e cila në pjesën e parë dominoi dhe krijoi, ndërsa në të dytën stafetën e morën miqtë nga Vlora, të cilët arritën të siguronin një fitore të vlefshme në “Selman Stërmasi”.
Pjesa e parë Tirana e nisi mirë dhe vrullshëm, teksa që në minutat e para po i afrohej me lehtësi portës së mbrojtur nga Moçka. Krijuan pa fund, duke e vendosur disa herë në rrezik portierin mik. Tentativa e parë erdhi prej Limanit, i cili gjuajti nga distanca, por mbi tra. Është sërish kosovari, këtë herë në të 12-ën minutë, por nuk gjen kuadratin. Reagojnë vlonjatët, në minutën e 14-të Veliu kroson për Pepën, i cili del huq, edhe pse i vetëm pata porte. Kundërsulm i shpejtë i bardhebluve, Limani gjuan bukur nga jashtë zone, por Moçka grushton. Flamurtari çalon në fushë, teksa një gabim i Kuqit mund ta ndëshkonte në të 16-ën minutë, përfiton Semedo që e kthen topin te Çota, por nuk gjuan si duhet. Edhe Karabeci provon nga një goditje dënimi në të 18-ën minutë por, edhe pse gjen kuadratin, ndalet nga Moçka. Në minutën e 32-të ka një episod të diskutueshëm, Pepa kroson një top nga krahët, pretendohet për prekje me dorë nga Kaja, por gjyqtari nuk mendon kështu. Pas 6 minutash Pepa tenton sërish, por nuk gjen rrjetën. Minutat e fundit janë voluminoze, por gjithçka mbyllet barazim në këtë 45-minutësh të parë.
Pjesa e dytë Fraksioni i dytë nisi më i nxehtë, pasi dyluftimet janë më të ashpra. E gjithë kjo shoqërohet me kartonë të verdhë, por jo vetëm. Në të 53-ën minutë harkohet një top nga e majta e sulmit mik, topi shkon në zonë, ku Peposhi ndërhyn në mënyrë të gabuar ndaj Arbrit dhe gjyqtari Jorgji akordon penallti. Kontestojnë bardheblutë, por Zeqiri përpos “zhurmës” nuk gabon nga pika e bardhë dhe 0-1. Nuk kalojnë as tri minuta dhe, pas avantazhit, Flamurtari mbetet me një lojtar më pak në fushë. Nijas Lena ndëshkohet me të kuq, pas një debati verbal me Limanin. Kur mendohej se kjo do i jepte dorë Tiranës, ndodhi e kundërta. Vlonjatët marrin më shumë hov, menaxhojnë më së miri rezultatin, por nuk harrojnë as të sulmojnë. Gallo kryen të trija zëvendësimet, lëvizje që nuk është sollën efektivitet në fushë, përkundrazi. Bardheblutë mundohen me anë të Muçës, apo Hoxhës, të futur në faksonin e dytë të lojës, por goli vazhdon të mos gjendet. Por, atë që nuk e bëjnë bardheblutë, e arrin Flamurtari. Në të 81-ën minutë Zeqiri, i cili pas daljes së Veliut mori edhe shiritin e kapitenit, merr topin në mesfushë, kalon me lehtësi Kajën, galopon drejt zonës dhe me parabël e dërgon topin mbi portierin Çaka dhe 0-2. Në fund të lojës Zeqiri përcillet me duartrokitje prej tifozëve që kishin ardhur nga Vlora, ndërsa lojtarët bardheblu me vërshëllima, duke u kërkuar që të hiqnin fanellat. Kryeqytetasit pësojnë humbjen e dytë radhazi, duke u fundosur edhe më keq në tabelë.

MË I MIRI
Hair Zeqiri është pa dyshim protagonisti i vetëm i kësaj sfide. Dy gola të shënuar kanë mjaftuar që ai të kthehet në hero. Mesfushori ishte lojtari më i mirë në fushë. Falë kualitetit të tij, arriti të bënte diferencën në fushë dhe të shënonte dy gola, një me penallti dhe një me parabël. Megjithatë, pas nuk mbeti as Arbri, i cili ishte tepër luftarak gjatë ndeshjes.

MË PAK AKTIVI
Nga mbrojtja në sulm zhgënjyen. Mbrojtja pasi nuk diti të evitonte golin e dytë, ndërsa sulmi sepse nuk arriti të shënonte, edhe pse në 45 minutat e para kishte raste pa fund. Ardit Peposhi ishte larg pritshmërive në këtë takim. Ai gaboi në çdo kros dhe shkaktoi 11-metërshin, ndërkohë që edhe Semedo e kishte të vështirë që ta dërgonte topin në rrjetë.

Tifozet ne derbiRevoltë e tifozëve: Hiqini fanellat!
Fundi i ndeshjes ësh të shoqëruar me protesta të tifozëve të Tiranës. Fill pas dolën nga stadiumi, ultrasit bardheblu u mblodhën dhe po prisnin daljen e futbollistëve. Kjo humbje e pësuar cilësohet jo vetëm e turpshme prej tyre, por madje në kor u kanë kërkuar lojtarëve që t’i hiqnin fanellat, pasi nuk i meritojnë. Bardheblutë, pasi mësuan se mbi 500 tifozë ndodheshin para “Selman Stërmasi”- t dhe po i prisnin, u organizuan të gjithë së bashku që të dilnin nga stadiumi për të kaluar situatën e sikletshme. Teksa dolën një e nga një, koret kundër tyre nisën të vërshonin. “Kjo nuk është Tirana! Ju nuk e meritoni këtë bluzë! Largohuni më mirë dhe hiqini fanellat! Herën tjetër vishni fanella të zeza”. Pati edhe nga ata që i drejtoheshin donatorit të skuadrës kryeqytetase, Ndriçim Babasit, i cili ishte aty pranë, duke i kërkuar që ekipi të mos paguhet, pasi nuk e meriton me atë që është duke dhënë në fushë. Ndërkohë që pati edhe nga ata ultras që nxorën parà dhe u drejtoheshin lojtarëve duke u thënë: “Mund t’i merrni, nëse vuani për këtë!”. Situata e krijuar ishte e pakëndshme, pasi edhe vetë futbollistët rrinin kokulur dhe ndiheshin të turpëruar. Kishte nga ata që u larguan menjëherë, për t’i shpëtuar këtij momenti të pazakontë, por nuk munguan as lojtarët që qëndruan aty, madje deri sa ikën tifozët. Në formë respekti ndaj ultrasve, që i kanë mbështetur për javë të tëra, ata nuk u larguan. Gjithçka zgjati mbi 15 minuta dhe më pas tifozët u larguan në qetësi dhe pa zhurmë. Pas tyre, ikën edhe futbollistët.
Mbledhja Pasi u mbyll 90-minutëshi, pati një mbledhje në dhomat e zhveshjes. Donatori Babasi ishte i revoltuar me ekipin, për atë çka pa në fushë. Një Tiranë me dy fytyra, e cila funksionon në pjesën e parë dhe krijon, ndërsa në të dytën jo vetëm që nuk shënon, por çekuilibrohet e gjithë. Sponsori është shfaqur kërkues, por tashmë të gjithë janë të vetëdijshëm që nuk kanë çfarë të bëjnë. Ai u largua dhe, teksa doli jashtë, pa një numër të madh tifozësh që po prisnin ekipin. Aty u kthye sërish në dhomat e zhveshjes, ku realizoi një mbledhje të dytë. Më pas dolën të gjithë së bashku, për t’u përballur me ultrasit.

GJOKAGjoka entuziast: Kjo fitore, më e bukur se 6-3
Ernest Gjoka e cilëson këtë një fitore të bukur, madje edhe më të bukur se ajo e një viti më parë me shifrat 6-3. Për mediat, ai shprehet se muaji nëntor ka nisur mirë për Flamurtarin e tij, ndaj shpreson te vazhdimësia. “Kjo fitore është më e bukur se ajo 6-3, sepse jemi në momente të tjera, me vështirësi e probleme. Kjo më shijoi më shumë se një sezon më parë. Ishte një fitore e rëndësishme, pas një muaji të vështirë siç ishte tetori. Themi se nëntori ka hyrë mirë për ne dhe po na bën punë. Jemi në një moment të mirë. morëm tri pikë edhe ndaj Tiranës, tashmë na duhet veç vazhdimësi. Pjesa e parë ishte më e hapur. Edhe ne patëm rastet tona, ashtu si Tirana, shpëtuam mirë nga episodet e kundërshtarit. Megjithatë pjesën e dytë mendoj se shkoi më mirë, pavarësisht se na doli Lena me të kuq. U munduam të ndryshonim disa gjëra brenda ekipit, për të mos ndjerë edhe inferioritet numerik. Ishim më mirë në fazën mbrojtëse dhe kjo na ndihmoi, më pas ishte aftësia e Zeqirit që dyfishoi shifrat. Këtë vit nuk kemi pretendimet të mëdha, thjesht duam që të jemi në vendet elitare. Kjo fitore u dedikohet të gjitha çunave dhe sigurisht presidentit Gjika, për situatën që po kalon. Për respektin që kemi ndaj tij, kemi kohë që sakrifikojmë, por sot fitorja ishte meritë totale e futbollistëve në fushë. Ky kampionat është i vështirë dhe i paparashikueshëm, për arsye se një humbje të ndëshkon, ndaj tani duhen vetëm fitore që të konsolidojmë pozitat”, – përfundoi Gjoka.

Zeqiri“Tri pikë antikrizë, dopieta për tifozët dhe familjen time”
Hair Zeqiri, heroi i kësaj sfide, është i lumtur për fitoren e arritur ndaj Tiranës. Mesfushori vlonjat, i cili dje mbajti edhe shiritin e kapitenit pas daljes së Veliut, përtej golave që shënoi, ndalet te pikët dhe kthesa. “Përtej golave, që sigurisht më gëzojnë, e rëndësishme është fitorja, pasi na duheshin këto pikë për vetë pozitat në tabelë. Pas fitores me Kukësin që na ngriti moralin, tashmë u konfirmuam duke mposhtur edhe Tiranën në kryeqytet”, – shprehet fillimisht. Më tej ai thotë se goli u dedikohet veçse tifozëve, të cilët kishin udhëtuar nga Vlora, por nuk lë pas as familjen e tij. “Goli shkon për tifozët, që ishin të shumtë në kryeqytet, si dhe për familjen time”. Lidhur me ecurinë dhe luhatjet e skuadrës, ai thekson se Flamurtari i tij kurrsesi nuk do rrezikojë rënien, përkundrazi do qëndrojë në Superiore, pse jo edhe në një pozicion të mirë. “Nuk do e diskutojmë kurrsesi rënien, edhe pse kemi pasur shumë luhatje gjatë këtij sezoni. Përtej krizës që është e njohur prej të gjithëve, te ne morali ka ndryshuar dhe dëshira për të ecur përpara është shtuar ndjeshëm. Lojtarët e dinë të gjithë, përfshi këtu edhe veten, se ky Flamurtar meriton shumë. Shpresojmë që ta ruajmë vazhdimësinë dhe të kapim majat e renditjes, ashtu si i shkon për shtat këtij klubi. Ne do t’ia dalim, ndaj nuk kemi për t’u dorëzuar kurrë”, – përfundon mesfushori vlonjat, i cili me atë dygolësh të realizuar i dha një trepikësh të qartë skuadrës kuqezi.

tirana-flamurtari 0-2, Gallo bertet nga stoli“Gabuam në pjesën e dytë, fajtorë jemi të gjithë”
Alpin Gallo mendon se faji është i të gjithëve. Kriza e rezultateve dhe humbja e pësuar nga Flamurtari, është një faturë që i takon gjithkujt që është pjesë e këtij ekipi. Megjithatë, ai thotë se në këto momente Tirana nuk mund të bëjë asgjë, duke qenë se edhe merkatoja hapet në janar. Në një deklaratë të dhënë për mediat në fund të sfidës, ai analizon lojën, gabimet e bëra dhe zgjedhjet e tij. “Normale që është për të ardhur keq, pasi bëmë 45 minuta të mira. Pikërisht atëherë kur e menduam se mund ta fitonim këtë përballje, e pësuam. Ndërsa në pjesën e dytë ishte një Tiranë që nuk dha, dhe kjo më bën që të ndihem pesimist. E kishim shansin tonë për t’ia dalë, pasi mund të realizonim dhe të menaxhonim gjithçka, por nuk e shfrytëzuam. Në pjesën e dytë u ndëshkuam nga një penallti që i dha avantazh Flamurtarit dhe na çekuilibroi ne. Pas këtij episodi ne vuajtëm shumë, deri në përfundim të pjesës së mbetur të lojës. Sa u përket tifozëve, nuk është problemi të ndihemi keq apo jo, pasi ne e dimë që ata kërkojnë shumë nga ne, dhe me të drejtë. Kjo situatë nuk është parë ndonjëherë te Tirana, ndaj ata e vuajnë. Fajtorë për këtë situatë jemi të gjithë së bashku, nuk ka individë të veçantë. Sa i përket zgjedhjeve që bëra, nxora Semedon dhe futa Hoxhën, pasi doja t’i jepja ritëm, sepse portugezi nuk e ka përgatitjen e duhur fizike. Megjithatë nuk mendoj se puna çaloi te sulmi. Pas kësaj që ndodhi, nuk kemi çfarë të bëjmë, pasi merkatoja është në janar, lojtarët janë po këta dhe këtyre do u besojmë. E vetmja gjë që na mbetet në vazhdim është të mbledhim forcat, të shtojmë besimin në ekip dhe t’i marrim maksimumin Tiranës”, – përfundoi numri një i stolit, i cili dje pësoi humbjen e dytë si trajner i Tiranës.

Babasi: Jam pa fjalë, prisni janarin
Ndriçim Babasi është shprehur i shokuar pas humbjes. Kur u pyet nga mediat nëse do të jepte ndonjë deklaratë, ai tha: “Nuk kam çfarë të them, më kanë ikur fjalët. Do ishte e kotë të flisja në këtë moment”. Ndërkaq gjatë dialogut të gjatë që pati me tifozët, ai mirëkuptoi reagimin e tyre, por nga ana tjetër u kërkoi që të presin janarin, pasi atëherë gjithçka do të ndryshojë. “Keni të drejtë, u zhgënjyem të gjithë, ju, por edhe ne. Mirëpo tani nuk kemi çfarë të bëjmë. Nuk na mbetet tjetër veçse të presim merkaton e janarit, dhe atëherë do të ndërtojmë një Tiranë të fortë, e cila do na nderojë të gjithëve dhe do të dalë nga kjo krizë. Tani edhe po të duam, nuk dimë si të veprojmë”.

Veliu e Muça largohen të dëmtuar
Franc Veliu dhe Gentjan Muça nuk e zhvilluan të plotë sfidën e djeshme. Që të dy u dëmtuan dhe u detyruan që të linin fushën, pasi nuk mund të përballonin dot. Të dy patën problem në gju, që mendohet të jenë jo të rënda, megjithëse gjithçka do të verifikohet pas kontrolleve të hollësishme. Në të 32-ën minutë kapiteni i Flamurtarit u largua, pasi u përplas në tokë dhe gjuri nuk mbajti më. Sakaq, në të 89- ën Muça, zv.kapiteni i Tiranës, pas një dyluftimi u detyrua që ta linte ekipin me 10 lojtarë, duke qenë se të tri zëvendësimet ishin kryer, ndonëse vetëm 1 minutë kishte mbetur nga koha e rregullt.

10 gola brenda një viti Tiranës
Flamurtarit të Ernest Gjokës duket se i sjell fat jo vetëm Tirana, por edhe stadiumi “Selman Stërmasi”. Edhe dje, ashtu si një vit më parë, konkretisht në mars 2013, vlonjatët jo vetëm që i mposhtën bardheblutë, por i futën në krizë. Nëse një sezon më parë u shkaktuan humbjen më të thellë gjatë historisë së tyre, me shifrat 3-6, këtë herë u ka mjaftuar një 0-2 për ta fundosur kundërshtarin dhe për ta vënë kundër tifozëve më fanatikë të kryeqytetasve. Brenda këtij viti kanë triumfuar dy herë ndaj të njëjtit kundërshtar dhe i kanë shënuar 10 gola, ndërsa kanë pësuar vetëm tre të tillë.

Tifozët tejmbushin tribunën qendrore
Mbi 1 mijë tifozë ishin të pranishëm dje në stadiumin “Selman Stërmasi”. E gjithë tribuna qendrore, e cila është e vetmja që hapet në këtë impiant, ishte e tejmbushur. Grupimi vendës “Tirona Fanatics”, që për gati 89 minuta e mbështeti ekipin bardheblu edhe pse ishin në disavantazh, në fund iu kundërvunë. Ndërkohë, ata që u larguan të lumtur ishin ultrasit bregdetarë, të cilët kishin udhëtuar nga Vlora për të mbështetur ekipin e zemrës. Në fakt Flamurtari ua shpërbleu duke u dhuruar një fitore në transfertë me dy gola. Heroi i tyre ishte Hair Zeqiri, i cili u duartrokit për minuta me radhë.
ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"