Tirana sfidon vlonjatët për Debatik Currin, lojtari në dilemë. Malaj vishet bardheblu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 4, 2014 | 17:58

Tirana sfidon vlonjatët për Debatik Currin, lojtari në dilemë. Malaj vishet bardheblu

CurriTirana sfidon Flamurtarin në merkato, teksa synon të afrojë në organikën e Gugash Maganit mbrojtësin e Kombëtares shqiptare, Debatik Curri. Lajmi bëhet i ditur nga burime të sigurta pranë klubit bardheblu. Dje ish-donatori Refik Halili (pritet të marrë zyrtarisht drejtimin e klubit si president, pas vendimit të Këshillit Bashkiak për privatizimin e 66 për qind të aseteve), ka udhëtuar drejt Kosovës dhe në Prishtinë ka takuar edhe Currin. Me këtë të fundit është folur mbi mundësinë e afrimit të tij te 24 herë kampionët shqiptarë, por duket se palët janë ende larg. Shkak është jo oferta e Tiranës, e cila për kushtet e kampionatit shqiptar është tejet e lartë, porse Curri është ende në bisedime me një klub në Azerbajxhan.
Oferta – Ndonëse bisedimet do të vijojnë dhe termat financiarë mund të ndryshojnë në varësi të kushteve të ofruara sa nga njëra palë dhe tjetër, mësohet se Halili ka qenë i gatshëm t’i paguajë Debatik Currit 10 mijë euro rrogë në muaj plus akomodimin në Tiranë, një shifër goxha e mirë po të mendosh financat shqiptare dhe se kemi të bëjmë me një mbrojtës. Të njëjtën shifër i ofroi mbrojtësit kosovar edhe Flamurtari, por bardheblutë mund të përfitojnë nga dy aspekte: së pari për faktin se lojtarit mund t’i jepet një shumë e konsiderueshme paradhënie, direkt me firmosjen e kontratës dhe së dyti se vetë Curri preferon më së shumti jetën e kryeqytetit se sa atë të Vlorës. Megjithatë, 29-vjeçari për momentin ka kërkuar kohë, duke qenë se menaxheri i tij ka nisur bisedimet me një ekip në Azerbajxhan.
Karriera – Kujtojmë se të gjithë lojtarët shqiptarë (përfshi edhe kosovarët) preferojnë të luajnë jashtë, kjo natyrisht jo thjesht për kushtet shumë më komode që ofrohen, por edhe për rrogat më të larta që mund të marrin. Ndaj edhe afrimi i Debatik Currit shihet si i vështirë dhe mund të ndodhë vetëm nëse lojtari mbetet pa skuadër. Gjatë karrierës së tij mbrojtësi, i cili ka luajtur shpesh edhe në rolin e mesfushorit shkatërrues, është aktivizuar për Prishtinën, ku edhe ka nisur futbollin, Vorskla Poltavën në Ukrainë, Gençlerbirliginë në Turqi, Hoverla Uzhhorodin dhe së fundmi me Sevastopolin, sërish në kampionatin ukrainas. Kulmi për të si lojtar ka qenë kalimi para katër vitesh te Gençlerbirligi në Turqi, por qe i pafat, sepse u dëmtua dy herë rëndë në gju, çka i kushtëzoi karrierën.

Curri u largua nga Ukraina prej… Rusisë
Debatik Curri e nisi sezonin te Hoverla Uzhhorod, por pas vetëm dy muajsh, për shkak të përplasjes me trajnerin, u detyrua të stërvitej me ekipin e të rinjve. Në merkaton e janarit ai u largua përfundimisht te Sevastopol, sërish në Ukrainë. Por, lufta që plasi në mars në këtë vend, si dhe referendumi që solli aneksimin e Krimesë (Sevastopoli i përket pikërisht kësaj krahine) nga Rusia, bëri që Curri të mendonte largimin. Në një deklaratë para tre muajsh, ai e pohoi se nëse Sevastopoli do kërkonte të luante për edicionin 2014-2015 në kampionatin rus, ai do të prishte kontratën dhe natyrisht kjo gjë ndodhi në qershor, kur u mor edhe vendimi. Curri prishi kontratën me klubin, e cila i përfundonte në vitin 2015. Ai e ka përjashtuar kategorikisht mundësinë që të luajë në Rusi, duke u vënë në kërkim të një skuadre të re.

Zyrtare, Malaj firmos për Tiranën
Argjend Malaj është zyrtarisht një lojtar i Tiranës. Mesfushori i talentuar i Prishtinës ka firmosur dje kontratën dhe pritet që javën tjetër të vihet nën urdhrat e trajnerit Gugash Magani. Mësohet se ai ka nënshkruar një kontratë njëvjeçare me të drejtë rinovimi, ndonëse nuk bëhen të ditura shifrat. Jo zyrtarisht mesfushorit do t’i paguhet akomodimi dhe të gjitha shpenzimet dytësore nga ana e klubit, si dhe një rrogë që shkon nga 2000-2500 euro neto në muaj. 22-vjeçari i rritur te Prishtina shihet si një nga talentet më të mirë të dekadës së fundit në Kosovë, ndaj duket se me këtë afrim Tirana ka siguruar një lojtar cilësor. Te kryeqytetasit e Kosovës ai ka luajtur si organizator në mesfushë, por është i aftë të luajë edhe në të majtë, duke qenë se është mëngjarash. Me këtë afrim, duket se bardheblutë janë më se të kompletuar në repartin e mesfushës, madje gati-gati i mbipopulluar, duke qenë se aty luajnë edhe Ervin Bulku, Glori Hoxha, Frensis Kahata, Erando Karabeci, Dorian Kërçiku, Erlind Koreshi, Ardit Peposhi, Afrim Taku, Madire Kagere, Arbër Prekazi dhe Ledion Muçaj.

Zyrtarizohet edhe kosovari tjetër, Prekazi
Duhet thënë se, përveç Argjend Malajt, Tirana ka marrë nga Kosova edhe Arbër Prekazin, kontrata me të cilin është mbyllur para disa ditësh. Qendërmbrojtësi ka qenë në Tiranë para dy javësh, ku foli me drejtuesit e klubit, duke rënë dakord për të nënshkruar një kontratë sezonale, me të drejtë rinovimi. Edhe për këtë lojtar nuk janë bërë të ditura detajet financiare të marrëveshjes, por mësohet se edhe ai, sikundër Malaj, do t’i bashkohet grupit aktual që drejtohet nga Magani, javën tjetër. Kujtojmë se Prekazi ka luajtur në Kosovë për Drenicën, Trepçën dhe së fundmi për Llamkos Kosova.

“Gashi” në Kosovë, Dervishi në katedër
Trajneri i Tiranës, Gugash Magani, ka qenë dje së bashku me Refik Halilin në Kosovë, ndaj stërvitja e djeshme, e dyta për nga radha për këtë edicion të ri, është bërë nën drejtimin e zëvendëstrajnerit Klodian Dervishi. Ashtu si një ditë më parë, te kompleksi “Skënder Halili” zbritën vetëm 14 lojtarë, të cilët vijuan për rreth 1 orë e 30 minuta një seancë me karakter më së shumti relaksues. Programi i ditëve të para te Tirana është përqendruar kryesisht në ushtrime, pa ngarkesa, pasi këto të fundit do të vijnë pas datës 20 korrik, kur grupi i lojtarëve do të niset për fazë përgatitore jashtë Shqipërisë (në Austri ose në Slloveni).
LEONARD KARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"