Magani: Festë kur ta mbyllim matematikisht. Tirana nuk ndalet, bind edhe me Kastriotin
KASTRIOTI-TIRANA 2-3
GOLAT: Turdiu 66′ (11-m), Ferraj 85’/ Peposhi 39′, Muça 40′ (11-m), Limani 82′
KASTRIOTI: Çali (Kukrika 46′), Caca, Xhafa, Hoxha, Doku, Karapici, Muçollari (Sefa 46′), Turdiu, Tepshi, Daja, Malindi (Ferraj 59′); Trajner: N.Dede (në dispozicion: Abraham, Da Silva, Çela, Manuka).
TIRANA: Çaka, Kaja, Muça, Vrapi, Hoxhallari, Koreshi (Kërçiku 79′), Peposhi, Karabeci, Limani (Taku 85′), Deliç (Hoxha 61′), Çota; Trajner: G.Magani. (në dispozicion: Sejdo, Kahata, Ndikumena, Gilberto).
KARTONË TË VERDHË: S’ka
VËZHGUES: Astrit Dervishi (Shkodër)
DELEGAT: Albano Janku (Tiranë)
GJYQTARET: L.Alla, D.Koreshi (Lushnjë), E.Pashaj (Patos)
MINUTAT
17′ Muçollari rrezikon portën e Tiranës, gjuan fort, por grushton Çaka.
18′ Malindi provon nga 25 metra distancë, por portieri reagon në kohë dhe e largon topin në korne.
33′ Çota shkëputet me një sprint të shpejtë, por portieri Çali neutralizon rrezikun.
34′ Provon edhe Peposhi me një kros nga e majta, por largon ndërhyrja me kokë e mbrojtësit Hoxha, shmang gjithçka.
36′ Deliç i afrohet portës mike, por Çali shpëton sërish portën e krutanëve.
39′ Deliç kombinohet me Peposhin, ky i fundit avancon në zonë, gjuan dhe s’e ka të vështirë të shënojë, 0-1.
40′ Deliç ka një rast të artë për të shënuar, por pengohet në zonë nga mbrojtësi Caca. Alla sinjalizon penallti. Ekzekuton Muça nga pika e bardhë dhe 0-2.
55′ Aksion i gjatë i krutanëve, Tepshi në zonë, gjuan fort, por nuk gjend kuadratin.
61′ Kros perfekt i Dajës për Tepshin, që ndodhet pranë portës, por shënjestra e tij është përsëri jashtë kuadratit.
62′ Provon edhe Xhafa të bëjë sulmuesin, me një gjuajtje nga larg, por topi përfundon vetëm jashtë.
63′ Një minutë më vonë provojnë njëri pas tjetrit me gjuajtje të forta Tepshi e Turdiu, por rruga e rrjetës nuk gjendet.
66′ Hoxhallari ndërhyn në zonë ndaj Dokut, dhe kryesori Alla nuk heziton të akordojë penallti, gjuan Turdiu që shkurton distancën në 1-2.
67′ Peposhi kroson për Çotën i cili ngrihet mbi gjithë, gjuan me kokë, por nuk gjen portën.
71′ Ka goditje këndi për Tiranën, ekzekuton Hoxhallari, Kaja provon me kokë, por godet shtyllën traversale.
82′ Vjen edhe goli i tretë i sigurisë për Tiranën, Limani futet në zonë, driblon dhe shënon.
84′ Krutanët kanë mundësi të shkurtojnë rezultatin, me një aksion perfekt të nisur nga Karapici, i cili pason te Daja, ky i fundit kroson te Tepshin, që gjuan, por vetëm jashtë.
85′ Tepshi ul bukur me kokë një top në zonë për Ferrajn, i cili godet dhe shënon dhe 2-3.
Tirana nuk di të ndalet, fiton 2-3 edhe në Krujë. Bardheblutë kanë mposhtur dje Kastriotit, duke u ngjitur kështu në vendin e 6-të të renditjes. Me 6 fitore radhazi, tashmë kryeqytetasit e shohin vetën thuaje të shpëtuar, madje matematikisht u mjafton vetëm një pikë për të mbyllur hesapet me mbijetesës. Në fakt ky 90-minutësh edhe pse dhuroi gola, nuk ka pasur shumë histori, duke ditur që Kastrioti ka rënë nga kategoria. Ndaj bardheblutë ishin të destinuar për të marrë trepikëshin e radhës. Trajneri Magani e ka nisur lojën me një formacion ndryshe, i kushtëzuar nga mungesat, si edhe lojtarët që ishin me nga dy kartonë. Për pasojë sulmin ia besoji Çotës, ndërsa Ndikumana e Gilberto ishin në stol. Golat e Peposhit, Muçës dhe Limanit kanë mjaftuar, duke zhvlerësuar kështu edhe golat Turdiut me Ferrajt.
Pjesa e parë Loja nis qetë, megjithatë me një Kastriot më këmbëngulës. Rasti i parë konkret vjen në të 17-n dhe pikërisht nga vendësit. Muçollari rrezikon portën e Tiranës, gjuan fort, por grushton Çaka. Pak sekonda më vonë provon edhe Malindi nga 25 metra distancë, por portieri reagon në kohë dhe e largon topin në korne. Tirana zgjohet në të 33-n, teksa Çota shkëputet me një sprint të shpejtë, por portieri Çali neutralizon rrezikun dhe ruan të paprekur portën e tij. Tenton edhe Peposhi me Deliçin në harkun e tri minutave, por në të dyja rastet mbrojtja e vendësve largon rrezikun. Megjithatë, tentativat e Tiranës gjejnë rezultat në të 3-n, kur Deliç kombinohet me Peposhin, ky i fundit avancon në zonë, gjuan dhe s’e ka të vështirë të shënojë, 0-1. Pa kaluar pak sekonda, bardheblutë kundërsulmojnë shpejt me anë të Deliç, i cili ka një rast të artë për të shënuar, por pengohet në zonë nga mbrojtës krutan Caca. Kryesori Alla sinjalizon penallti, ekzekuton Muça nga pika e bardhë dhe 0-2. Minutat e mbetura të 45-minutëshit të parë nuk sjellin ndryshme.
Pjesa e dytë Pjesa e dytë fillon me dy zëvendësime për vendësit, përveç Kukrikës që zuri vendin e Çalit të dëmtuar, në fushë u fut Sefa në vend të Muçollarit. Gjuajtja e parë e krutanëve regjistrohet në minutën e 55-ën nga Tepshi, pas një aksioni të gjatë të krutanëve, por pa gjetur kuadratin. Krutanët fitojnë terren dhe në kushte të tilla vihen në kërkim të golit, dhe tentativat janë të njëpasnjëshme. Në të 61-n kros perfekt i Dajës për Tepshin, që ndodhet pranë portës, por shënjestra e tij është përsëri jashtë kuadratit. Disa sekonda më vonë provon edhe Xhafa të bëjë sulmuesin, me një gjuajtje nga larg, por topi përfundon vetëm jashtë. Megjithatë, goli vjen vetëm në të 66-n, por nga pika e bardhë, pas një ndërhyrjeje në zonë të Hoxhallarit ndaj Dokut. Alla nuk heziton të akordojë penallti, gjuan Turdiu që shkurton distancën në 1-2. Tirana nuk mund ta linte me kaq. Në të 67-n Peposhi kroson për Çotën, i cili ngrihet mbi të gjithë, gjuan me kokë, por nuk gjen portën. Në të 71-n gjuan edhe Kaja me kokë, por gjuajtja e tij ndalet vetëm nga shtylla. Ritmi i lojës bie, por gjithsesi golat nuk mungojnë. Në të 82-n Limani futet në zonë, driblon dhe shënon, 1-3. Kur loja po shkonte drejt fundit, konkretisht në të 85-n Tepshi ul bukur me kokë një top në zonë për Ferrajn, i cili godet dhe çon rezultatin në 2-3. Fundi i kësaj ndeshjeje nuk rezervon më surpriza, dhe festa është e gjitha për miqtë bardheblu.
MË I MIRI
Ardit Peposhi dhe Ivan Deliç ka qenë lojtari më aktiv në fushën e lojës. Mesfushori ka qenë tepër i lëvizshëm, duke i dhënë frymëmarrje mesfushës bardheblu. Sakaq edhe Kaja meriton notë pozitive, mbrojtësi ka fituar thuaje çdo dyluftim në ajër. Nga Kastrioti spikati Malindi për 45 minutat e para, aq sa edhe luajti, por edhe Turdiu që ishte luftarak gjatë gjithë ndeshjes.MË PAK AKTIVI
Mbrojtja e Kastriotit ishte në një ditë të errët dhe këtu përfshihet i gjithë reparti. Sulmi i bardhebluve e kishte shumë të thjeshtë që të dilte në sulm, pasi shpesh herë nuk gjente rezistencë nga prapavija e vendësve. Ndërsa te Tirana, larg pritshmërive ishte Korreshi, i cili u pa pak në fushë, për këtë arsye trajneri Magani e zëvendësoi në të 79-n.
“Luajtëm me fragmente, ekipi s’ka motiv”
Nevil Dede, trajneri i Kastriotit, në fund të takimit deklaroi se e ka të pamundur që të motivojë një ekip të dorëzuar tashmë. Tekniku saktësoi se skuadra shfaqi grintë vetëm në disa fragmente të lojës. “Mungon motivimi, dhe kjo shihet qartazi jo vetëm te skuadra në fushë, por edhe tifozët e paktë që vijnë në stadium për të na ndjekur. Është kjo gjendja dhe duhet pranuar se është e vështirë që të karikosh një ekip në këto kushte. Fati ynë është shkruar tashmë. Skuadra luajti vetëm në disa fragmente, ky është realiteti, murit me kokë nuk i biem dot”, – përfundoi Dede.
“Festojmë kur ta mbyllim matematikisht”
Gugash Magani është pa dyshim i kënaqur për fitoren e 6-të radhazi në këtë kampionat. Tirana e tij merr një tjetër trepikësh sigurie, megjithatë trajneri sqaron se matematikisht asgjë nuk është mbyllur. “Tirana edhe me këtë rezultat nuk mund të konsiderohet akoma e shpëtuar. Ne do ta konsiderojmë veten jashtë rrezikut vetëm kur këtë të na sigurojë matematika. Më bëri përshtypje se Kastrioti, i cili edhe pse i rënë, luajti ndershëm, duke mos krijuar diferencë në fushë. E rëndësishme është që ne ia dolëm, edhe pse sot (dje) luanim me mungesa të rëndësishme”.
Merkato, Mustafa në planet e bardhebluve
Tirana interesohet për Argjend Mustafën, dhe transferimi pritet që të realizohet gjatë muajve të verës. Ka qenë vetë mesfushori kosovar i Besës, që e ka konfirmuar një lajm të tillë për gazetën “Arena”. Ai ka pranuar bisedimet me klubin kryeqytetas, por ka sqaruar se e ardhmja e tij do të vendoset vetëm pas përfundimit të kampionatit. “Jam në bisedime me Tiranën, por që nuk ka ndonjë marrëveshje. Çdo gjë varet pas përfundimit të sezonit, ku do të dihet a do të mbetemi në Superiore me Besën apo jo”, – theksoi Mustafa. Lojtari ka luajtur me skuadra si Prishtina, Trepça, e Llamkos Kosova, dhe së fundmi është pjesë e verdhezinjve të Besës.
MURAT ARUÇI