Tirana “tris” Korabit, Muça kthehet me gol
Tirana bën “tris” ndaj Korabit në miqësore. Ndeshja e luajtur dje në “Skënder Halili” është dominuar totalisht nga bardheblutë, si në lojë edhe në rezultat. Tre gola u kanë mjaftuar kryeqytetasve për të dëshmuar se tashmë skuadra ka marrë formë dhe është thuajse gati për startin. Edhe pse përballë një kundërshtari modest që militon në të Parën, ra në sy se Muça ka ndërtuar një ekip kompetitiv. Gilberto, Vucaj dhe Bakaj u stërvitën të diferencuar, ndërsa i rikthyeri Kërçiku pati minutat e veta në pjesën e dytë.
Ndeshja Ndeshja nisi në orën 18:04, por pa kaluar as 8 minuta loja u ndal. Shiu i rrëmbyer detyroi gjyqtarin Erik Kaso që të bënte një pauzë, derisa reshjet të pushonin. Dhe kështu ndodhi, pas 7 minutash ekipet u futën në fushë dhe rastet e para krijohen nga Fukui e Smjali. Sigurisht që terreni i rënduar nuk lejoi që skuadrat të bënin më të mirën, pasi pellgjet e ujit pengonin aksionet. Dibranët luajtën pothuajse të barabartë, madje edhe rrezikuan. Në të 42-ën, Mile depërton fuqishëm në zonë dhe Pashaj i pakalueshëm nuk e lejon kalimin e tij brenda zonës. Sulmuesi beratas pretendon për 11-metërsh dhe gjyqtari i nxjerr kartonin e kuq për kontestim. Por, Shkëlqim Muça bën “kavalierin” dhe i lejon Korabit që të aktivizojë Bërdufin, duke e lënë kështu ekipin mik me 11 lojtarë. Pa kaluar shumë, në të 47-ën Gilman Lika i rrëmben një top Muçollarit dhe, nga 18 metra, ka gjuajtur tokazi dhe 1-0. Fraksioni i dytë sjell në fushë Gentjan Muçën dhe të riun Florian Kadriu, i cili është në provë. Qendërmbrojtësi, në të 54- ën, gjuan në diagonal dhe dyfishon shifrat. Por, nuk ka përfunduar këtu, pasi në të 61-ën është Kadriu, që me një gjuajtje mjaft të fortë nga krahu i djathtë i sulmit, mposht portierin Kotorri dhe 3-0. Nga ndërprerja e ndeshjes, në 20 minutat e fundit të saj impianti u zaptua nga “terri”, ndonëse menduan 400 tifozë të “Tirona Fantaics” për të ndezur ambientin.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"