Tjetër rinovim te Skënderbeu, mesfushori Gjergji Muzaka mbetet bardhekuq
Kohë rinovimesh te Skënderbeu. I radhës që ka zgjatur kontratën është Gjergji Muzaka. Mesfushori tiranas edhe për një tjetër sezon mbetet i bardhekuqve. Ky duket se nuk do të jetë i fundit, pasi të tjerë priten në vazhdim. Kujtojmë që më herët klubi ka “blinduar” për një tjetër sezon edhe Orges Shehin, Kristi Vangjelin, Marko Radasin, Bajram Jashanicën dhe Tefik Osmanin.
Katër titullarëve u përfundonte kontrata këtë muaj dhe pas bisedimeve me presidentin Ardjan Takaj, gjetën akordin dhe kanë zyrtarizuar marrëveshjet. Mësohet se mbrojtësit kanë rinovuar për një vit me opsion edhe për një sezon tjetër, ndërsa kontrata e portierit është thjesht për 12 muaj, duke qenë se ai pritet t’i thotë lamtumirë futbollit.
Gjithsesi, nuk është çudi që pas përfundimit të angazhimit në Europë, ndonjë prej kontratave të zhbëhet, duke u prishur me konsensus nga palët. Dilemat janë të mëdha, pasi vetë kapiteni Shehi nuk dihet ende nëse do të vazhdojë të luajë edhe sezonin e ardhshëm. Për durrsakun, presidenti Takaj ka gati një post drejtuesi në klub.
Nga ana tjetër, korçarët janë duke punuar për afrimin e një sulmuesi. Burime pranë klubit bardhekuq bëjnë me dije se drejtuesit e klubit janë duke vëzhguar tre lojtarë, mes të cilëve do të zgjedhin një prej tyre për të plotësuar disi repartin e avancuar. Sigurisht që një investim i tillë mund të bëhet me shumë gjasa në turin e dytë.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"