“Trafik” i kuq, vetëm Cara pa… konkurrent. Ja si pritet të rreshtohet Partizani kundër Iberias

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 24, 2024 | 11:15

“Trafik” i kuq, vetëm Cara pa… konkurrent. Ja si pritet të rreshtohet Partizani kundër Iberias

Pavarësisht një numri të konsiderueshëm largimesh, te Partizani janë përpjekur të zëvendësojnë dhe të shtojnë sa më shumë elemente cilësore nga merkatoja, ku deri më tani kanë arritur të afrojnë lojtarë që nuk kanë shkëlqyer, por kanë qenë të afirmuar në ish ekipet e tyre.PARTIZANINëse do t’i bënim një skaner të gjitha lëvizjeve që janë bërë te Partizani deri më tani, mund të themi se të kuqtë mbeten një nga skuadrat më të populluara dhe me më shumë “trafik” nëpër reparte. Mesfusha është për rekord, teksa sulmi ka nevojë ende për afrime.

MBROJTJA – Partizani ka në portë Pano Qirkon, por në stol qëndron një si Alban Hoxha, legjendë e klubit dhe ende një portier që do të luante titullar në çdo klub tjetër në rajon. Në mbrojtje nga e djathta është një si Hadroj, teksa alternativë për të renditet Zuna, i rikthyer së fundmi pas largimit të Zekollit. Në qendër Sembene dhe Bytyçi pritet të jenë titullarë në pjesën më të madhe të ndeshjeve, teksa si opsione konsiderohen Janjeva dhe Preka, i cili aktualisht është i dëmtuar. Në anën e djathtë pritet Buxhelaj titullar, me Zguron si një opsion luksi pas largimit të Atanaskoskit. Klubi e quan të mbyllur merkaton në difensivë.

MESFUSHA – Edhe në këtë sezon të ri, ky repart vijon të jetë i mbipopulluar me lojtarë stoli, që mund të jenë titullarë në secilin klub të Superiores. Treshja Murataj, Rrapaj dhe Maget janë titullarë fiks, me Mehmetin dhe Ismailin, të cilët mund të marrin rol më kryesor pas dëmtimit të Muratajt. Pavarësisht mbipopullimit, mesfusha pritet të ketë lëvizje në dalje, me Maget dhe Rrapajn, që presin ofertën e duhur. Nga ana tjetër, po punohet edhe për afrimin e një lojtari të nivelit të lartë në këtë repart.

SULMI – Ofensiva është “e blinduar” në qendër, por e hapur nga krahët. Carës nga e majta e sulmit i duhet minimalisht një konkurrent për 11-shen, teksa në krahun tjetër, përveç Rifës dhe Zekës, kërkohet edhe një tjetër afrim. Qendra e sulmit është çështje e mbyllur. Me pak fjalë, Partizani aktualisht ka një ekip të dubluar, me Carën si të vetmin lojtar që nuk ka garë për 11-shen, të paktën për momentin.

0

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"