Trajneri Agim Canaj “zbërthen” Korabin pas miqësores së parë me Laçin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 26, 2024 | 16:14

Trajneri Agim Canaj “zbërthen” Korabin pas miqësores së parë me Laçin

Pas shkëputjes së marrëveshjes me trajnerin Shpend Kumbarçe, Agim Canaj ka marrë frenat e Korabit, ku ka rënë dakord që të drejtojë skuadrën dibrane në sezonin 2024-2025. Edicionin e fundit trajneri kryeqytetas e mbylli tek Iliria e Fushë-Krujës, që konkurronte në Kategorinë e Dytë.

Agim Canaj

Në drejtimin e Canajt dibranët kanë filluar fazën përgatitore dhe vetëm pas tri ditësh stërvitje kanë zhvilluar testin e parë miqësore kundër Laçit. Ndeshja u luajt në Laç dhe u fitua nga vendësit, që shënuan katër gola në portën e Korabit, me këtë të fundit që nuk mundi të gjente portën kundërshtare as edhe një herë të vetme. Rezultati për trajnerin Canaj nuk ishte primar. Sipas tij, ky takim i ka shërbyer shumë për të parë gjendjen e titullarëve, si dhe të disa lojtarëve të rinj, që duan të bëhen pjesë e Korabit dhe i janë bashkuar ekipit në stërvitje.

Në një prononcim dhëne për “Panorama Sport”, trajneri Canaj u shpreh: “Tri ditë pasi nisa punën me skuadrën e Korabit zhvilluam edhe ndeshjen e parë miqësore ndaj laçianëve. Aktivizova të gjithë futbollistët që kam në dispozicion nga 30 minuta secili. Kjo, për të parë gjendjen aktuale të titullarëve të sezonit të kaluar, por dhe disa të rinjve, që duan të bëhen pjesë e Korabit. Erdha te Korabi me dëshirën për të bërë më të mirën. U binda nga projekti i klubit dhe po punojmë së bashku për ndërtimin e një skuadre konkurruese me ambicie për ngjitjen në Superiore.

Pjesa dërrmuese e titullarëve do të vazhdojnë të kontribuojnë edhe këtë sezon për Korabin. Përgjithësisht jam i kënaqur nga pjesa dërrmuese e futbollistëve, por ka dhe nga ata që do të seleksionohen duke filluar nga kjo javë”. Nga burime pranë klubit dibran, mësohet se kanë rinovuar deri tani portieri Qyrani, Mziu, S. Lilaj, V. Lila, Kasalla, Kryemadhi, Shehu, T. Marku dhe pritet që në vijim numri i atyre që do të hedhin firmën në kontratë të shtohet. Korabi nga sot do të shpërngulet nga Tirana në Peshkopi për të vijuar përgatitjet për dy javë.

SHKËLQIM HASANI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"