Trajneri Agostineli: Flamurtari sfida ime, japim maksimumin dhe ngjitemi në elitë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 16, 2024 | 11:20

Trajneri Agostineli: Flamurtari sfida ime, japim maksimumin dhe ngjitemi në elitë

Trajneri Andrea Agostineli zbarkon në Vlorë, kështu që merr fund edhe pritja për “timonierin” e Flamurtarit të sezonit 2024-2025. Italiani rikthehet në Shqipëri pas 8 vitesh dhe dje u prezantua si trajneri i ri i vlonjatëve.

agostineli idrizi

Pas aventurave te Partizani dhe Skënderbeu, Agostinelit i duhet tashmë që të bëjë maksimumin në Vlorë, ku objektivi është madhor, ngjitja në Kategorinë Superiore në fund të sezonit. Në karrierën e tij ka drejtuar disa skuadra të njohura në Itali, si Napoli, Triestina, Vareze, Livorno, ndërsa e fundit që ka trajnuar përpara se të rikthehej në vendin tonë, është Benevento. Sikundër “Panorama Sport” paralajmëroi ditë më parë, Agostineli mbërriti gjatë paradites së djeshme në ambientet e klubit. Rreth orës 8:00 të mëngjesit, tekniku ka qenë në zyrën e Sinan Idrizit në katin e dytë të godinës. Trajneri ka firmosur edhe kontratën ndërsa së bashku me administratorin kanë bërë fotot e rastit të prezantimit.

Në vijim italiani u prezantua edhe përpara skuadrës nga administratori Sinan Idrizi dhe sekretari i klubit, Alfred Ferko. Agostineli shoqërohej nga Dario Leva që do të jetë përgatitës atletik. Ky i fundit ka shtrënguar duart me të gjithë futbollistët që gjendeshin në katin e parë të stadiumit. Edhe trajneri Agostineli është përshëndetur me futbollistët. Në fakt ra në sy një takim i përzemërt mes tij dhe Ardit Hoxhajt. Madje ishte vetë trajneri italian që i flet Hoxhajt dhe së bashku shtrëngojnë duart dhe përqafohen, një ritakim mes tyre, pasi kanë bashkëpunuar më herët te Skënderbeu. Ferko e prezanton Agostinelin edhe me përgatitësin e portierëve Luan Birçe.

Vlonjati Gersi Diamanti që do të vijojë të qëndrojë edhe këtë sezon tek Flamurtari, pasi shkoi e takoi Agostinelin menjëherë pas Birçes. Pas prezantimeve të rastit, stafi teknik dhe futbollistët hipën në autobusin e parkuar përpara stadiumit dhe u nisën drejt Pogradecit ku do të qëndrojnë për 12 ditë, për pjesën e parë të fazës përgatitore.

DEKLARATA- Aventura te Flamurtari, për trajnerin Andrea Agostineli është një sfidë më vete. Në fjalët e para si trajner i Flamurtarit, për gjatë prezantimit, Agostineli tha se ndihej i kënaqur për uljen në pankinë  e vlonjatëve dhe kjo aventurë do të jetë një sfidë e vërtetë për atë. “Jam shumë i kënaqur që arritëm marrëveshjen dhe sot(dje) unë prezantohem si trajner i Flamurtarit. Falënderoj presidentin Sinan Idrizi që jam këtu. Ishte një nga dëshirat e tij që ne të nisnim këtë bashkëpunim.

Për mua kjo do të jetë një sfidë. Unë i di pritshmëritë që kanë të gjithë këtu në Vlorë dhe do të japim maksimumin për ta realizuar. Flamurtari është një emër i madh dhe duhet të jetë mes ekipeve më të mira të futbollit shqiptar. Të gjithë së bashku do të bëjmë më të mirën për të arritur qëllimin që kemi. Kemi kohë të mjaftueshme për të punuar sa më mirë dhe për të njohur njëri-tjetrin. Nga sot (dje) do të fillojmë rrugëtimin tonë me angazhim maksimal për të bërë më të mirën për Flamurtarin”, deklaroi Agostineli.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"