Trajneri Bicaj pret afrime të reja dhe cilësore te Burreli, disa futbollistë në provë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 18, 2024 | 16:00

Trajneri Bicaj pret afrime të reja dhe cilësore te Burreli, disa futbollistë në provë

“Pavarësisht se në skuadër kemi afruar disa futbollistë, ne jemi në lëvizje për të sjellë edhe lojtarë të tjerë”. Kështu shprehet për “Panorama Sport”, numri një i pankinës matjane, Ditmar Bicaj. Trajneri lezhjan gjatë prononcimit të tij nuk specifikoi se në cilin repart e ka të nevojshëm përforcimin skuadra, por la të kuptohet se afrimi i futbollistëve cilësorë konsiderohet i domosdoshëm.

Malaj dhe Bicaj, burreli

Duke ditur që sezoni i ri parashikohet të ketë rivalitet dhe luftë të fortë sportive në Kategorinë e Parë, kërkohet cilësi në ekip. Merkatoja e Burrelit është shoqëruar me afrime dhe largime dhe nga fillimi i kësaj jave ekipi ka nisur përgatitjet për edicionin e ri. Stafi ka menduar që kjo javë të mbyllet me nga një seancë në ditë, për shkak edhe të temperaturave të larta, dhe nga e hëna ngarkesa do të rritet pasi puna do të vijojë me nga dy seanca në ditë.

Sipas kalendarit, skuadra matjane ndeshjen e parë do ta zhvillojë në transfertën e vështirë të Vlorës. Edicionin e kaluar, me golin e shënuar në Vlorë, Burreli mori një trepikësh me vlerë në luftën për mbijetesë. “Kalendari më duket i favorshëm. Ndeshja e parë nuk është tregues për një skuadër, pasi është vazhdimësia që flet për këtë”, u shpreh trajneri i ri i Burrelit, Ditmar Bicaj, në lidhje me shortin e hedhur.

NDERIM GOCI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"