Trajneri Bordin vesh tutat për miqësoren, Elbasani “kolaudohet” në Strugë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 11, 2024 | 13:25

Trajneri Bordin vesh tutat për miqësoren, Elbasani “kolaudohet” në Strugë

Prej tri ditësh ekipi i Elbasanit ndodhet në qytetin e Strugës për të bërë fazën përgatitore para startit të kampionatit.

elbasani

Verdheblutë janë stërvitur me nga dy seanca në ditë, me shpresën se të gjithë lojtarët do të marrin ngarkesën e plotë fizike dhe të jenë gati kur të startojë kampionati që është programuar për më 18 gusht. Deri më tani gjithçka ka shkuar mirë dhe nuk ka pasur lojtarë që kanë shfaqur probleme, ndërsa të shtunën do të kenë edhe testin e parë miqësor me ekipin vendas të Voskës.

Në këtë miqësore pritet që të jetë në pankinë edhe trajneri i ri i tyre, Roberto Bordin, i cili pritet të zbarkojë sa më parë në qendrën stërvitore të elbasanasve për të bërë prezantimin dhe iu bashkuar skuadrës. Në Strugë, verdheblutë do të qëndrojnë deri më 20 korrik, për t’u rikthyer sërish disa ditë në Elbasan dhe shkuar sërish në Maqedoninë e Veriut për të përmbyllur përfundimisht edhe fazën përgatitore. Edhe vitin e kaluar verdheblutë qëndruan për tre javë në vendin fqinj, duke përfituar nga temperaturat më të ulëta aty.

MERKATO – Tani që u zgjidh edhe çështja e trajnerit, verdheblutë kanë për detyrë të përforcojnë skuadrën me elementë cilësorë që të jenë konkurrues në elitë. Deri më tani kanë bërë vetëm tre afrime zyrtare, pa harruar edhe afrimin e sulmuesit Kron Abdiu nga të rinjtë dhe Endi Halili që vjen si lojtar i moshave të Kosovës, duke e dërguar numrin në pesë. Duke u parë nga afër është edhe ishsulmuesi i Dinamos, Amarildo Gjoni. Mirëpo, janë larguar plot nëntë lojtarë, ndaj të paktën ata duhet të zëvendësohen.

Për momentin, repartet që duket se kanë nevojë për ndërhyrje imediate janë ato të portës dhe të një sulmuesi. Mësohet se për të dyja rastet, po shihet më së shumti në tregun përtej kufijve të Shqipërisë, pasi bëhet fjalë për dy role tepër specifike dhe që aktualisht ka mungesë në tregun shqiptar, duke përllogaritur nivelin që kërkojnë drejtuesit elbasanas. Gjithsesi, deri në startin e kampionatit ka ende kohë përpara dhe aktualisht është duke u shqyrtuar çdo opsion i mundshëm. Në Elbasan duan me çdo kusht të formojnë një skuadër pretendente dhe të luftojë për trofe.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"