Trajneri Deliallisi drejt largimit nga Shijaku, Kahrimanoviç falënderon Erzenin pas “divorcit”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 30, 2024 | 13:30

Trajneri Deliallisi drejt largimit nga Shijaku, Kahrimanoviç falënderon Erzenin pas “divorcit”

Trajneri Alfred Deliallisi është në prag të largimit nga skuadra e Erzenit. Pritet të zhvillohet një takim i fundit me drejtuesit e klubit, ku do të vendoset përfundimisht për të ardhmen e tij. Madje, takimi do të jetë vendimtar për të dyja palët.

deliallisi

Trajneri ka një reputacion dhe eksperiencë dhe kjo e bën atë të dëshiruar nga disa klube si përforcim të stafit teknik. “Panorama Sport” mëson se Deliallisi ka marrë oferta nga klube nga brenda dhe jashtë vendit, kryesisht në Kosovë, duke e bërë ndoshta të pashmangshëm vendimin për të kërkuar sfida të reja në karrierën e tij. Pavarësisht situatës së vështirë, Deliallisi ka dhënë gjithçka nga vetja për të shpëtuar skuadrën e Erzenit. Në vijim do të shohim se cili do të jetë hapi i radhës për Alfred Deliallisin dhe si do të ndikojë kjo lëvizje në ecurinë e skuadrës së Erzenit në të ardhmen.

Letra e Kahrimanoviçit- Mesfushori Amir Kahrimanoviç, i cili në sezonin e ardhshëm do të luajë për Vllazninë, i ka dhënë lamtumirën Erzenin përmes një letre falënderuese për të gjithë aktorët, duke filluar nga presidenca deri te tifozët. Mes të tjerash, 25-vjeçari kroat shkruan: “E nderuara familja ime Erzeni. Ndërsa i jap lamtumirën këtij kapitulli të jashtëzakonshëm të jetës sime, jam i mbushur me një ndjenjë të thellë mirënjohjeje dhe nostalgjie. Të jesh pjesë e Erzeni ka qenë më shumë se vetëm të luash futboll. Ka qenë një udhëtim rritjeje, miqësie dhe kujtimesh të paharrueshme.

Falënderoj shokët e skuadrës për betejat e vështira në fushë dhe mbështetjen e palëkundur si brenda dhe jashtë fushës. Për trajnerët dhe stafin. Udhëzimi, inkurajimi dhe besimi juaj tek unë ka qenë thelbësore në zhvillimin tim si lojtar dhe si person. Përkushtimi juaj ndaj klubit dhe ndaj secilit prej nesh është vërtetë frymëzues. Për fansat. Mbështetja dhe entuziazmi juaj i palëkundur ka qenë gjithmonë forca jonë lëvizëse. Brohoritjet tuaja na kanë ngritur në kohë të vështira dhe kanë festuar me ne gjatë fitoreve. Ju jeni zemra dhe shpirti i këtij klubi dhe unë do të jem gjithmonë çun Shijaku. Klubit i uroj suksese duke shpresuar që rrugët tona të kryqëzohen sërish në të ardhmen”.

ERALD DERVISHI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"