Trajneri i Çelsit pas disfatës me Sëlltikun, Mareska: Vuajtëm gjendjen fizike, po përmirësohemi hap pas hapi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 29, 2024 | 18:58

Trajneri i Çelsit pas disfatës me Sëlltikun, Mareska: Vuajtëm gjendjen fizike, po përmirësohemi hap pas hapi

Enco Mareska beson se gjendja fizike e skuadrave ishte faktori kryesor në humbjen 4-1 të Çelsit ndaj Sëlltikut, ndërkohë që pranon se ka ende fusha ku ekipi i tij duhet të përmirësohet. Skuadra e italianit, e cila ngushëlloi veten vonë me një gol të Nkunkusë, bëri 23 goditje ndaj 14 të Sëlltikut dhe kishte pothuajse dy të tretat e zotërimit të topit.

Enzo-Maresca

Por skuadra e Brendën Roxhersit mund të kishte fituar me një diferencë më të madh golash, sepse edhe ata kishin disa shanse të mëdha të cilat nuk arritën t’i shfrytëzonin. “Rezultati është gjithmonë i rëndësishëm, por me siguri në këtë moment, ne duhet ta analizojmë lojën në përgjithësi. Në lojën me top skuadra ishte dhjetë herë më e mirë se kundër Rekshamit, sepse ne mund të shohim numrin e rasteve që patëm në pjesën e parë dhe në pjesën e dytë. Në lojën pa top, sigurisht, ne duhet të përmirësojmë gjërat. Mund të shihni që ndonjëherë ne ngatërrojmë kur duhet të luajmë shkurt dhe kur duhet të luajmë pak më gjatë, por kjo është pjesë e procesit.

Ne po provojmë kaq shumë gjëra dhe nuk kemi pasur mundësinë të provojmë gjithçka, sepse kemi nisur vetëm 15 deri në 20 ditë më parë. Mendoj se pas pesë minutash patëm dy ose tri raste për të shënuar gol dhe në pjesën e dytë, deri në golin e tretë, skuadra jonë ishte shumë mirë, duke krijuar sërish raste. Për mua është e rëndësishme të kuptoj diferencën mes nesh dhe Sëlltikut në gjendjen fizike. Ju mund të shihni se ata kishin luajtur tashmë katër ndeshje në para-sezon dhe ata do të nisin sezonin e tyre zyrtar shumë shpejt. Ndërsa për ne kemi vuajtur pak fizikisht. Sigurisht që ne duhet të përmirësojmë shumë gjëra kur nuk e kemi topin. Ne ende po ngatërrojmë disa gjëra me top dhe pa top. Është normale në këtë moment kur ne po përpiqemi të bëjmë diçka të re.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"