Trajneri i Partizanit/ Nga aventura më e gjatë, te ajo më e suksesshme! “Rebeli” në stolin e kuq që tërboi skocezët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 9, 2023 | 21:05

Trajneri i Partizanit/ Nga aventura më e gjatë, te ajo më e suksesshme! “Rebeli” në stolin e kuq që tërboi skocezët

Nëse kërkon në “Google” emrin e Zoran Zekiçit, që pritet të emërohet si trajner te Partizani, del një shkrim i “The Sun”, që në foto kryesore ka imazhin e trajnerit me gishtin e mesit lart. Për të kujtuar këtë moment duhet të kthehemi në vitin 2018, kur Osijek dhe Rejxhërsi i Stiven Xherrard përplaseshin në turin e dytë të Europa Ligës. Ndeshja e parë në Kroaci qe mbyllur me shifrat 0-1 për skocezët, teksa e dyta përfundoi 1-1. Në fund, Zekiç u provokua nga 50 mijë tifozët në “Ibrox” dhe nuk ia përtoi, duke i nxjerrë gishtin e mesit, një imazh, që bëri xhiron e botës.

zoran zekic

Pikërisht kjo foto tregon shumë mbi personalitetin e trajnerit. “Kërkoj falje për sjelljen time të papërshtatshme, por ju tashmë më njihni. Ju e dini që jam emocional. Ishte një moment ku veprova me kokën e nxehtë. Koka më pas u ftoh, por zemra mbetet e nxehtë”, mbrohej Zekiç pas ndeshjes. Partizani ka marrë një strateg me përvojë, por dhe një “luftëtar”, i gatshëm t’i japë përgjigje çdo rivali.

KARRIERA – Si një futbollist luante në qendër të sulmit dhe pjesën më të madhe të karrierës 49-vjeçari e kaloi në Kroaci me skuadra të ndryshme si Osijek, Dinamo Zagreb, Rijeka, Istra apo Maksimir. Shansin e parë për t’u bërë trajner ia dha Maksimir, të cilën e drejtoi për një vit si lojtartrajner dhe për dy vite nga stoli. Por shpërthimin Zekiçit e regjistroi në Moldavi, aty ku në sezonin 2014-2015 drejtoi Sherif Tiraspolin dhe fitoi Kupën. Në katër sezonet pasardhëse, ish-sulmuesi u kthye në atdhe për të drejtuar Osijekun, me të cilin arriti vazhdimisht të kualifikohej në Europë.

Ai qëndroi plot 152 ndeshje në krye. Për t’u kthyer te trofetë, u desh rikthimi te Sherifi, ku në 2018-2019 fitoi titullin kampion, teksa për koincidencë këtë e bënte edhe Partizani në Shqipëri. Sezonin trajneri e kurorëzoi me trofeun e Kupës. Në Champions, Sherifi pa përballë Partizanin, me Zekiçin, që vinte në Tiranë dhe fitonte 0-1, teksa ankohej për vapën e gushtit. Në sfidën e parë, lojtari i Sherifit, Liridon Latifi, luante një pjesë. E dyta mbyllej 1-1. Më pas erdhi një aventurë pa shumë shkëlqim në Hungari te Dijozgor, përpara se të kalonte dy vite te Slaven Belupo. Këtë sezon e shpëtoi skuadrën nga rënia.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"