Trajneri Josa “zbërthen” projektin e Besës: Afrojmë lojtarë me përvojë elite për Superioren

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 25, 2024 | 13:25

Trajneri Josa “zbërthen” projektin e Besës: Afrojmë lojtarë me përvojë elite për Superioren

Besa, si asnjë ekip tjetër në Kategorinë e Parë, ka hyrë fuqishëm në merkaton e verës. Në ekip janë afruar lojtarë cilësorë me përvojë në Kategorinë Superiore, si Mazrekaj, Mëllugja, Goxhaj, portieri Mehidri, por edhe Frashëri e Stafa.

qosja, josa, bizhdili besa

Ndërkohë, te Besa kanë ardhur edhe lojtarë të perspektivës nga Kosova, Maxhuni dhe Ibrahimi. “Timonieri” i ri i Besës, Mirel Josa, disa herë kampion i Shqipërisë, është optimist për afrimet e bëra dhe këtë gjë e shprehu në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”. “Është hera e parë që drejtoj në Kategorinë e Parë, e kjo u arrit falë projektit të presidentit Bizhdili e mbështetjes së kryebashkiakut Fisnik Qosja. E pranova këtë eksperiencë sepse më bindi objektivi dhe emri që Besa ka”, u shpreh fillimisht trajneri. Së bashku me presidentin Bizhdili, Josa është ideatori dhe njeriu që jep “OK”-in për çdo afrim, ndaj ai shprehet i kënaqur lidhur me afrimet e bëra.

“Kemi synuar të afrojmë lojtarë me përvojë elite, pasi objektivi ynë është Superiorja. Nuk e teproj të them, se grupi do të trajtohet njësoj sikur po garon në Superiore, si alternativa e vetme për të arritur objektivin. Kemi plotësuar reparte si prapavija, mesfusha dhe po punojmë për të afruar edhe sulmues me përvojë. Duke qenë se në garë me ne do jenë ekipe me emër si Flamurtari, Kukësi, Erzeni, Apolonia dhe të tjerë, atëherë vetëm një grup i fortë me përbërje cilësore e që di të administrojë çdo situatë, mund të na japë garanci për suksesin. Natyrisht, nuk do të jetë e lehtë. Për këtë po punojmë çdo ditë, që të kemi atë Besën që dua unë, Bizhdili dhe mbi të gjitha tifozët”, vijoi Josa. Duket se një trajner kampion si Mirel Josa ka të tjera parametra lidhur me cilësinë e futbollistëve, ndaj shprehet se secili duhet ta rishohë lojën e tij edhe në aspektin personal.

“E thashë që në fillim, se është përvoja ime e parë në Kategorinë e Parë dhe do të kërkoj që çdo futbollist ta shohë veten në cilësinë e lojës që duhet të bëhet në Superiore. Janë të gjitha kushtet, mundësitë që vetë futbollistët të japin atë cilësi që do u vlente së pari atyre në karrierë. Prandaj, siguroj se nga dita e parë stërvitore e deri në startin e kampionatit do të kemi të detajuar çdo gjë që, nga mënyra si do luajmë, konkurrencën e fortë në ekip dhe mentalitetin fitues të secilit që do zbresë në fushë. Besa ka qëndruar shumë gjatë në Kategorinë e Parë dhe vërtet që i mungon Superiores dhe mbetet ndër ekipet më me vlera, histori e traditë në elitën e futbollit shqiptar”, përfundoi Mirel Josa.

FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"