Trajneri Shkëmbi është i dyzuar për sulmuesin titullar, Tirana bën ndryshime nesër kundër Torpedos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 17, 2024 | 9:28

Trajneri Shkëmbi është i dyzuar për sulmuesin titullar, Tirana bën ndryshime nesër kundër Torpedos

Tirana ka edhe një ditë kohë për të përgatitur ndeshjen e kthimit me Torpedo Kutaisin, por stafi teknik e ka pak a shumë të qartë se si do ta përballojë kundërshtarin në “Elbasan Arena” për të synuar kualifikimin.tiranaBarazimi 1-1 në ndeshjen e parë u jep besim bardhebluve, të cilët i dinë më mirë tashmë cilësitë e gjeorgjianëve dhe këto ditë janë përpjekur të marrin masat e duhura. Trajneri Bledi Shkëmbi do të japë sot udhëzimet e fundit për të tijtë, për ata që pritet të zbresin në fushë nga minuta e parë. Sipas informacioneve të “Panorama Sport”, trajneri korçar i Tiranës ka një dilemë sa i takon formacionit, ku nuk do të mungojnë surprizat. U mendua se ndryshimi i vetëm në krahasim me ndeshjen e parë në Gjeorgji do të ishte Ismajli në vend të Jakut, por mund të ketë më shumë lëvizje, pasi trajneri Shkëmbi dhe stafi i tij i kanë përzierë “kartat”.

DILEMA – Maja e sulmit është dilema e madhe në kampin bardheblu për ndeshjen e nesërme. Ka një balotazh mes Admir Bajroviç dhe Valid Zharmunit sa i takon një fanelle titullari në këtë sfidë të rëndësishme. Bajroviç luajti në formacion një javë më parë kundër Torpedos, për t’ia lënë vendin në pjesën e dytë pikërisht “rivalit” të tij Zharmuni. Ky i fundit dha sinjale mjaft pozitive për ato 25 minuta që luajti në transfertë, duke e bërë stafin teknik që ta mendojë seriozisht aktivizimin e tij nga minuta e parë nesër në “Elbasan Arena”. Por kjo gjë nuk është e sigurt, sepse gjithçka varet nga gjendja fizike e sulmuesit francez. Nëse sot ai do ta kalojë “testin fizik”, me shumë mundësi do të luajë që në fillim kundër Torpedo Kutaisit, në të kundërt do të aktivizohet nga stoli në pjesën e dytë dhe titullar do të jetë sërish Bajroviç.

FORMACIONI – E sigurt duket në formacionin e Tiranës prania e Qëndrim Ismajlit. Anësori i majtë mungoi në ndeshjen e parë në Gjeorgji, për shkak se nuk iu dha viza për në këtë vend. Ismajli është gati të zbresë në fushë si titullar në ndeshjen e nesërme, duke qenë kështu një “forcë e shtuar” për trajnerin Shkëmbi. Tirana pritet që të luajë me një mbrojtje të ngjeshur në Elbasan, me 5 lojtarë, të cilët mund të jenë Isuf, Kola, Mici, Përgjoni dhe Ismajli. Një surprizë në formacion mund të jetë Fatmir Prengaj, një lojtarë i shpejtë që mund të ndihmojë skuadrën në një ndeshje si kjo me gjeorgjianët. Të sigurt në formacion duket se janë Meta, Jonuzi, Soler dhe Haxhiu, ndërkohë që mbetet dilema mes Bajroviçit dhe Zharmunit. Kuptohet që situata edhe mund të ndryshojë pas stërvitjes së sotme.

STRATEGJIA – Tirana ka një skuadër të re, me shumë lojtarë që kanë ardhur gjatë merkartos së verës dhe normalisht nuk ka veprime të automatizuara mes tyre në nivelin që duhet. Në këto kushte, bardheblutë do të ndjekin strategjinë e një loje të kujdesshme për ndeshjen e nesërme me Torpedon. Është shumë e rëndësishme që kryeqytetasit të mos pësojnë, për të shfrytëzuar në anën tjetër mundësitë që do të krijohen në zonën kundërshtare. Janë ndeshje që vendosen nga episodet dhe te Tirana shpresojnë që të kenë edhe fatin në anën e tyre për të shkuar në turin e dytë eliminator të Ligës së Konferencës, ku do të ndesheshin me qipriotët e Omonia Nikosias.

20

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"