Trajneri Shpend Kumbarçe shpalos Korabin e sezonit të ri: Prisni sërish ekip pretendent

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 29, 2024 | 18:03

Trajneri Shpend Kumbarçe shpalos Korabin e sezonit të ri: Prisni sërish ekip pretendent

Korabi e mbylli sezonin e fundit në Kategorinë e Parë me një paraqitje dinjitoze. Dibranët u renditen në 6 ekipet e kreut, për të tretin vit radhazi. Korabi arriti deri në “play off” ku u eliminua pas një barazimi pa gola nga Flamurtari.

Kumbarce

 

Trajneri Shpend Kumbarçe drejton ekipin për të tretin vit dhe për “Panorama Sport” ai bëri një rezyme të paraqitjes të klubit dibran në sezonin që sapo u mbyll.

Kumbarçe, a jeni i kënaqur me ecurinë e Korabit në sezonin që lamë pas?

Korabi ka realizuar 100% objektivat e vëna nga presidenca në fillim të sezonit 2023-2024. Nga fillimi i kampionatit e deri në fund, ekipi i ka pasur objektivat të qarta. Jemi përgatitur si duhet nga starti i fazës përgatitore. Kemi zhvilluar lojëra dinjitoze, që kanë ardhur gjithmonë në rritje dhe kemi qenë një ekip i fortë e brenda të gjitha pritshmërive.

Çfarë mund të na thoni për punën e bërë në grup?

Jam shumë i kënaqur nga puna që kemi bërë si skuadër. Jemi mbështetur fort nga bashkia dhe presidenca, që kanë qenë shumë korrekt. Morëm atë çfarë prisnim nga puna jonë. Në këto dy vite e gjysmë që unë drejtoj Korabin, kemi arritur për të tretin sezon radhazi në “play off”. Kjo më kënaq, edhe pse dëshira e madhe ishte ngjitja në elitë. Nuk ia dolëm edhe për shkak të formulës. Ekipet më lart në renditje favorizohen e kanë privilegjet e skemës si fusha barazimi. Jemi përballur me ekipe të fortë e të mirëorganizuara, si Flamurtari me buxhet të madh dhe lojtarë me cilësi. Gjithsesi, kemi bërë ndeshje dinjitoze.

Cila do të jetë e ardhmja e Korabit?

Momentalisht të gjithë janë me pushime. Nuk kemi filluar bisedimet për ndërtimin e ekipit të sezonit të ri. Shumë shpejt pres të ulem me presidentin e të flasim për të ardhmen e ekipit, por baza do të jetë kjo ekzistuesja. Shpresoj te kemi një ekip konkurrues. Disa lojtarë janë larguar dhe ka të tjerë që kërkojnë largimin. Ne u evidentuam si një ekip që punon fort me talentet e rinj. Mund të përmend mes tyre Kasallën, Henri Markun, Gecin. Një vlerësim të lartë mori dhe portieri Qyrani, një nga pikat më të forta sa i takon mbrojtjes së portës. Korabi ishte, është dhe do të jetë një ekip pretendent.

SHKËLQIM HASANI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"