Tregon frikën që pati kur mori ekipin, Bubeqi skanon Besën: Sezon i dështuar, ja pse rrezikova karrierën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 24, 2024 | 14:11

Tregon frikën që pati kur mori ekipin, Bubeqi skanon Besën: Sezon i dështuar, ja pse rrezikova karrierën

Kavajasit mbijetuan në Kategorinë e Parë falë fitores në “play out” kundër Luftëtarit. Në stolin verdhezi ishte një “doktor” i ndeshjeve shtesë, si Dorjan Bubeqi, që nuk e kishte “play out”-in e parë si trajner. Në 2015 ishte ai që mposhti në stolin e Besës skuadrën cërrikase, 2-0.

TRAJNERI I BESES, DORJAN BUBEQI

Sezonin e shkuar ishte po Bubeqi në bankinën e Burrelit që mposhti Pogradecin në “play out”. Në fakt, një kampionat për t’u harruar ky për Besën, që prej një dekade vuan në Kategorinë e Parë. I pyetur se si e çmon ai sfidën me Luftëtarin, sezonin e Besës dhe çfarë do të ndodhë me fatin e tij në krye të ekipit, por edhe të tjera, trajneri Dorjan Bubeqi përgjigjet për “Panorama sport”.

Përtej fitores në “play out”, askush nuk pranoi ta merrte drejtimin e Besës në ato kushte. Po ju pse pranuat?

Nuk e di se kujt i është drejtuar Bizhdili para meje, por di t’u them se askujt nuk i djeg fati i Besës më shumë sesa ne kavajasve. Jemi rritur me këtë fanellë, mes këtyre tifozëve kavajas e kuptohet se të sakrifikosh atëherë kur Besa është keq. Këtë e bën vetëm ai që e do këtë fanellë e këtë qytet. Nuk e fsheh se kur e mora Besën, pakkush besonte se mund t’ia dilnim. E nisa në Burrel, aty ku tri pikët vlenin shpëtimin e një sezoni të tërë. Mora përsipër rrezikun e karrierës sime, pasi nëse dështonim, do të ishte turp i madh për të gjithë. Në këto raste dihet fajtori, gjithmonë mbetet trajneri. Riskova me dëshirë, besim e përgjegjësi si kavajas. Zoti ishte me mua.

Patët frikë para ndeshjes me Luftëtarin se mund të ndodhte më e keqja?

E thashë edhe para ndeshjes, se në një takim të vetëm mund të ndodhë gjithçka. Jo se tashmë ka mbaruar gjithçka, por kisha besim absolut te fitorja duke njohur vlerat e lojtarëve të mi. E ndoqa Luftëtarin në dy takime dhe e dija se si duhet të luanim e si t’i neutralizonim sulmuesit gjirokastritë. Larg modestisë, pjesa e parë duhet të dilte së paku 4 apo 5-0. Fitorja ishte më e thjeshtë se sa e prisnim.

Në tërësi, çfarë paraqiti Besa në sezonin që lamë pas?

Besoj se pati dy tablo. Deri në janar u gabua e u falën shumë pikë, sidomos në fushën tonë. Më tej pati disa largime e afrime, dhe natyrisht çdo grup thuajse 50% i riformatuar kërkon kohë kolaudimi. Unë e mora ekipin tepër vonë dhe punuam fort për të mos arritur në më të keqen. Në tërësi, gjykoj se ishte sezon i dështuar për vetë emrin, historinë dhe ambicien që ka ky qytet. Më e keqja është se po mbushet një dekadë, që Besa i mungon Superiores dhe s’duhet ta normalizojmë më të keqen si diçka, hajt vitin tjetër do jemi ndryshe.

Cili do të jetë fati i Dorjan Bubeqit në krye të Besës?

Për momentin po pushoj, pas atij stresi që kalova për javë të tëra bashkë me ekipin. Pushimi na relakson dhe do të rikthehemi me energji të reja për vazhdimësinë. Deri në këto momente nuk kam pasur ndonjë komunikim me presidentin Bizhdili, lidhur qoftë me fatin tim, apo atë të ekipit.

FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"