“Tronditet” Flamurtari, Vasil Shkurtaj kërkon 100 mijë euro për rinovimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 28, 2024 | 13:46

“Tronditet” Flamurtari, Vasil Shkurtaj kërkon 100 mijë euro për rinovimin

Në kohën kur në Vlorë po bëhen plane të mëdha për kthimin e skuadrës në elitën e futbollit shqiptar, Vasil Shkurtaj trondit Flamurtarin. Sulmuesi vlonjat kërkon një shifër “të çmendur” në këmbim të rinovimit të kontratës për sezonin 2024-2025.

VASIL SHKURTAJ

“Panorama Sport”, mëson se Shkurtaj ka vendosur në dispozicion të nënshkrimit të kontratës së re jo pak, por 100 mijë euro. Ka qenë drejtori Artim Pollozhani, ai i cili i ka telefonuar Vasil Shkurtaj që po vijon pushimet. Duket se kërkesa e sulmuesit ka qenë e lartë dhe kjo ka bërë që drejtuesit të shtangen përballë saj. “Do të flas kur të rinovoj. Për momentin jam me pushime”. Kështu është shprehur Shkurtaj për gazetën në fillim të muajt qershor. Me sa duket, që atëherë 32-vjeçari e la të hapur mundësinë e rinovimit me kuqezinjtë, por natyrisht me kushte të reja financiare. Pollozhani e ka kontaktuar Shkurtajn duke i thënë se është në planet e klubit.

“Shkurtaj, je në planet e klubit për të vijuar bashkëpunimin. Duhet të ulemi dhe të flasim. Të presim në Vlorë”, mësohet se i ka thënë drejtori Pollozhani futbollistit vlonjat. Por nga ana e sulmuesit ai ka marrë një kërkesë, që duket se është e panegociueshme. Shkurtaj ka kërkuar shumën prej 100 mijë euro për një sezon, që të jetë edhe një vit kuqezi.

VENDIMI I KLUBIT – Shuma e vendosur nga Vasil Shkurtaj për të rinovuar, për drejtuesit e klubit duket më se e ekzagjeruar. “Panorama Sport” zbulon se klubi ka një strategji ndryshe këtë sezon. Edhe pse buxheti është i majmë, mbi 2 milionë euro, duket se ka një “ndëshkim” për lojtarët që do të rinovojnë. Klubi ka vendosur që lojtarëve që mbyllën sezonin e fundit, ku nuk u arrit objektivi madhor, të mos u rritet paga. Disave po u ofrohet e njëjta pagë, ndërsa të tjerëve ulje deri 20-30%.

Ky vendim i klubit nuk është pritur mirë, pasi disa futbollistë po reagojnë negativisht rreth kësaj politike të re të drejtuesve. Kontratat te Flamurtari këtë sezon do të variojnë nga 15 mijë euro deri në 30-40 mijë. Mund të ketë edhe ndonjë përjashtim, por 50 mijë euro në sezon parashikohet të jetë kontrata më e lartë. Gjithsesi, situata edhe mund të ndryshojë në vazhdim, kjo edhe në varësi të emrave që mund të afrohen.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"