Tuhel përplaset sërish me drejtuesit e Bajernit, fajin e ka… sulmuesi i Napolit
Ka kaluar më tepër se një muaj kur Tomas Tuhel mori “frerët” e Bajernit, aty ku qëllimet nga letra në fushë ndryshuan sa hap e mbyll sytë, aq sa filluan të merrnin trajtën e ekipit mesatar, pavarësisht emrit dhe historisë. 49-vjeçari gjerman e ka shprehur shpeshherë se kërkon siguri në fazën ofensive, e përkthyer me garantimin e “pykës” së denjë, pasi në kontingjentin ekzistues nuk i plotëson kriteret e goleadorit.
Gnabri ka bërë mirë në javët e fundit dhe është cilësuar me të drejtë si promotor i ringritjes në kampin e rekordmenëve, megjithatë fiziku dhe aftësitë poseduese të Serzhit nuk kanë lidhje me numrin 9. E njëjta tablo vlen edhe për “kolegët” si Myler, Mane apo Çupo-Moting. Futbollisti kamerunas ka dhënë sinjale në momente të caktuara, ndonëse larg pretendimeve të trajnerit në radhët e kampionëve të Bundesligës.
FRAZAT E TUHELIT- ”Dëshira mbi udhëheqësin e përkryer në majë të fazës ofensive do të ishte me fizik të madh, i shpejtë, finalizues, 20- 25 gola në sezon, kontrollues i mirë i topit”, pohonte trajneri i kryesuesve në ligën vendëse kur u pyet nga mediat se si e profilizonte 9 e ardhshme në “Allianz Arena”. Fjalët e mësipërme i përshtaten kryeshënuesit të Serisë A, Viktor Osimhen.
INTERPRETIMI I “BILD”-Nga analiza e kryer prej specialistëve të prestigjiozes “Bild”, Tuhel është admirues i Osimhenit dhe mbetet i preferuar nga “timonieri” i gjigantëve nga Mynihu. Nga krahu tjetër, presidenti Aurelio de Laurentis ia ka bërë të qartë çdo skuadre që do shërbimet e 24-vjeçarit, fillimisht duhet të “paketojë” 150 milionë euro drejt Napolit. Binomi Kahn-Salihamixhiç nuk e kanë ndërmend të ndërmarrin hapa konkretë rreth situatës së mësipërme, konkretisht shpenzimit të një shifre kaq të lartë.
Herri Kejn dhe Randall Kolo Muani janë elementët e tjerë të piketuar nga mediumet pranë klubit. Mosha e konsiderueshme në shpinë e Kejnit nuk e bind Tomasin, sikurse statura e Kolo Muanit. Edhe pse ish-trajneri i Çelsit u lavdërua që në fjalët e para kur zbarkoi në Mynih, duket se tensionet kanë filluar të ndizen. Ende i qartë është objektivi në rolin e udhëheqësit të munguar prej lëvizjes surprizuese nga Levandovski në Barcelonë.
SAIMIR MBËRSI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"