Turbina godet në merkato, firmos ish-sulmuesi i Tiranës
Mirel Çota është goditja e radhës që ka kryer Turbina në këtë merkato. Sulmuesi librazhdas ka nënshkruar për klubin cërrikas dhe tashmë do të jetë pa dyshim ai lideri i ri i repartit ofensiv. Madje, bomberi librazhdas i është bashkangjitur pjesës tjetër të ekipit në seancën stërvitore të ditës së djeshme.
Lajmi konfirmohet edhe nga vetë sulmuesi i njohur në vendin tonë, i cili, në një prononcim për mediat, ka deklaruar: “I jam bashkuar Turbinës në këtë merkato, pasi besoj se ky klub ka një projekt ambicioz në këtë kampionat dhe mendoj se shërbimet e mia do të jenë të vlefshme.
Shpresoj që te Turbina të jap kontributin tim maksimal, në mënyrë që ekipi të arrijë objektivat e vendosura prej drejtuesve”, ka thënë shkurtimisht Çota, i cili pjesën e parë të kampionatit ka luajtur te skuadra e Dinamos, nga ku ka vendosur që të largohet.
Çota ka luajtur në disa ekipe të Kategorisë së Parë dhe asaj Superiore. Krahas merkatos, skuadra po vazhdon përgatitjet me ritëm të lartë dhe ditën e sotme është parashikuar që të luhet një ndeshje miqësore me Shkumbinin në stadiumin “Nexhip Trungu” të Cërrikut.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"