Turi i 69-të Çiklistik, risitë e këtij edicioni
Turi i 69-të çiklistik i Shqipërisë do të nisë rrugëtimin e tij më 12 qershor. Mes problemeve pa fund me financat jo të mjaftueshme, si shumë federata shumësportëshe në vend, në mbulimin e këtij evenimenti tejet të rëndësishëm, Federata Shqiptare e Çiklizmit nuk do të tërhiqet nga planifikimi i saj në kalendar, e konfirmuar zyrtarisht kjo edhe nga vetë presidenti Skënder Anxhaku. Sipas sekretarit të përgjithshëm të Federatës, Alfred Tahiraj, këtë edicion kanë konfirmuar pjesëmarrjen nga Shqipëria ekipet e Tiranës, Partizanit, Teutës, Vllaznisë, Apolonisë, Flamurtarit, Elbasanit dhe Burrelit, Kombëtarja e Kosovës e Maqedonisë si dhe skuadra gjermane e Profiline (pjesëmarrëse e rregullt në turin çiklistik) dhe Amore Vita e Italisë. “Federata Shqiptare e Çiklizmit ka kënaqësinë t’ju informojë se në bazë të kalendarit kombëtar sportiv të vitit 2012, në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë, bashkitë e qyteteve të Tiranës, Fierit, Vlorës, Sarandës, Përmetit, Korçës dhe Pogradecit dhe klubet shumësportëshe respektive do të zhvillohet nga 12-18 qershor Turi i 69-të Çiklistik i Shqipërisë. Lista e sportistëve pjesëmarrës duhet të paraqitet para datës 6 qershor në FSHÇ. Klasifikimi i përgjithshëm do të jetë individual. Në ndryshim nga edicioni i 2011-s, këtë vit turit çiklistik i është shtuar etapa Tiranë- Fier dhe kronometri individual në Korçë”, deklaroi për “Panorama Sport” sekretari i Federatës, Tahiraj. Sikurse në pedalimet e kaluara të një ndër tureve më të vjetra në Evropë, drejtuesit e federatës u shprehën se sërish parashikohet të zhvillohen gara emocionuese dhe interesante mes çiklistëve pjesëmarrës. Turi i 69-të do të nisë me 10 xhiro cirkuit në bulevardin e kryeqytetit. Etapa e fundit, që do të kurorëzojë edhe kampionin e 2012-s, do të jetë ajo Pogradec-Fier, 135 km e gjatë. Federata Shqiptare e Çiklizmit po vijon punën e saj në përmbushjen e të gjitha kushteve për mbarëvajtjen normale të evenimentit.
ITINERARI
DATA 12 QERSHOR
10 xhiro cirkuit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” 10:00
Tiranë-Fier 100 km 11:30
DATA 13 QERSHOR
Fier-Vlorë 125 km 10:00
DATA 14 QERSHOR
Vlorë-Sarandë 100 km 10:00
DATA 15 QERSHOR
Sarandë-Përmet 90 km 10:00
DATA 16 QERSHOR
Përmet-Korçë 135 km 10:00
DATË 17 QERSHOR
Kronometër individual, Korçë 36 km 10:00
DATË 18 QERSHOR
Pogradec-Fier 135 km 10:00
OLGERT SERANI