Turi i Shqipërisë/ Rrethi i 80-të Çiklistik mbylli ditën e tretë të garave serbi Turkulov fiton etapën 3
Rrethi i 80-të Çiklistik i Shqipërisë që prej ditës së hënë vijon me garat, teksa dje është mbajtur etapa e tretë, ElbasanBelsh-Kuçovë-Vlorë me distancë 142 kilometra. Një etapë kryesisht fushore, e zhvilluar në kohë me diell dhe me temperaturë mesatare 24 gradë celsius.
Çiklistët pedaluan fort, ndërsa spikatën edhe dy sportistët e Kombëtares shqiptare, Lukas Sulaj Kloppenborg si dhe Olsian Velia, të cilët qëndruan gjatë të gjithë kohës me grupin kryesues.
Gara ishte me konkurrencë të lartë, teksa në sprintin final kishim plot nëntë çiklistë dhe menjëherë pas tyre një grup me nëntë të tjerë. Fitues i etapës së tretë u shpall Luka Turkulov i skuadrës së Serbisë, i cili fiksoi kohën 3:06:42. Me të njëjtin rezultat në vend të dytë u rendit serbi tjetër, Marko Stankoviç, i skuadrës Asfra Racing, ndërsa podiumi u plotësua nga greku Nikiforos Arvanitou.
Në top 10 përfundoi edhe çiklisti i Shqipërisë, Lukas Sulaj Kloppenborg, i cili u klasifikua në vend të nëntë. Ndërkohë për sa i përket fanellës së verdhë, lider vazhdon të mbetet Maximilian Stedman. Britaniku i skuadrës Velo Schils regjistron kohën 9:49:28, ndërsa pas tij me diferencë të ngushtë kohore vijnë rumuni Cristian Raileanu i skuadrës CSA Steaua Bukuresht (+0:04) dhe Periklis Ilias i Greqisë (+0:08). Menjëherë pas tyre vjen Mikel Demiri i Shqipërisë me diferencë prej 13 sekondash nga kreu.
Një paraqitje mjaft e mirë e Demirit, që mbetet pretendent për triumfin në Rrethin Çiklistik. Si zakonisht edhe pas etapës së djeshme, u mbajt ceremonia e çmimeve në Vlorë, në të cilën u vlerësuan fituesit.
Turi i Shqipërisë do të zhvillojë sot etapën e katërt, Vlorë-Përmet me distancë 180 km. Kjo është edhe etapa më e gjatë e turit, e cila është edhe decizive për fitoren finale, me dy malore që pritet të bëjnë diferencën: në Fratar dhe në hyrje të Memaliajt. Rrethi i 80-të Çiklistik do të ulë siparin nesër me etapën e pestë dhe të fundit, Përmet-Fier, 123 km.
Janë 14 skuadrat pjesëmarrëse në Rrethin Çiklistik, nga të cilat 11 janë ndërkombëtare, ndërsa distanca e përgjithshme e turit është 754 km gjatë. Kujtojmë që për të pestin vit radhazi ky aktivitet është pjesë e Kalendarit Ndërkombëtar të Çiklizmit (UCI), duke bërë që të jetë edhe kualifikues për në Lojërat Olimpike, që do të mbahen verën e ardhshme në Paris.
ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"