Turtulli, mbrojtësi që shënon për Dinamon
Autori i golit të Dinamos në ndeshjen kundër Pogradecit, Marvin Turtulli, në një bisedë për “Panorama Sport” ka pohuar: “Do të doja të merrnim tri pikë në këtë takim, pasi nga loja që zhvilluam meritonim më shumë. Jam i kënaqur që arrita të shënoj, por do të dyfishohej në rast se do të kishim marrë fitoren. Na mungon trepikëshi prej shumë javësh, por siguroj që do ta kalojmë këtë ngërç. Ndër të tjera, dua të përmend që pësojmë gol në Tiranë pas 7 javësh, gjë që nuk i përshtatet repartit tonë të mbrojtjes pasi kemi treguar kualitet në ndeshje më të vështira. Mirëpo, ne jemi betuar të bëjmë kthesë në këto javë që kanë mbetur dhe të respektojmë garën ashtu siç i ka hije Dinamos.” – përfundon mbrojtësi Turtulli, që deri tani ka shënuar gjashtë gola me blutë. Ndërkaq, pas një dite pushim, dinamovitët do t’u rikthehen seancave stërvitore.
Erjon Hamitaj