U aktivizua 522 minuta/ Afrikani 18-vjeçar i Dinamos, investim i dyfishtë për kryeqytetasit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 29, 2023 | 23:40

U aktivizua 522 minuta/ Afrikani 18-vjeçar i Dinamos, investim i dyfishtë për kryeqytetasit

Nëntë ndeshje me Dinamon, 6 nga të cilat titullar, që në moshën 18-vjeçare tregojnë qartë se kemi të bëjmë me një talent me të ardhme të sigurt. Karamba Gasama erdhi te blutë në limitet e merkatos së dimrit dhe befasisht gjeti hapësira që pakkush besonte se do t’i jepeshin.

dinamo

Mesfushori nga Gambia u bë menjëherë i rëndësishëm për kryeqytetasit, duke luajtur në total 522 minuta. Si me trajnerin Nevil Dede, ashtu edhe me Dritan Mehmetin, ai ka qenë pjesë e formacionit. Askush nuk ka dyshim për vlerat e tij, madje në radhët e klubit ka bindje të plotë se Karamba do të jetë faktor me fanellën blu edhe në Superiore sezonin e ardhshëm.

INVESTIM I SIGURT – Duket një goditje e dyfishtë për Dinamon, si në planin sportiv, ashtu edhe atë financiar. Lojtari 18-vjeçar disponon një bagazh shumë të mirë teknik. Duke luajtur rregullisht pa dyshim që ai do ta rritë nivelin e tij dhe duke luajtur mes më të mirëve do të ketë shansin të jetë më tepër në vitrine.

Te Dinamo janë shumë entuziastë për faktin se kanë bërë një investim të sigurt, duke firmosur me një lojtar të ri në moshë, që në të ardhmen e afërt mund të sjellë të ardhura të konsiderueshme në arkën e klubit. Qëllimi është që mesfushori të mos shitet shpejt, por t’i shërbejë Dinamos edhe një apo dy sezone, duke rritur vlerën e tij dhe rrjedhimisht edhe ofertat e klubeve të huaja. Në kampin blu e dinë mirë se kanë një xhevahir në dorë dhe duan ta shfrytëzojnë këtë rast sa më mirë të jetë e mundur.

ORIENTIMI TE TË RINJTË – Klubi blu e ka prioritet orientimin drejt lojtarëve të rinj në moshë. Rasti i portierit Simon Simoni, sot në Kombëtare, ishte domethënës. Jordi Jaku është një nga talentet e tjera të bluve që pritet të jetë goditje në merkaton në dalje.

Dinamo

Në këtë grup bën pjesë pa dyshim edhe Karamba Gasama, por edhe ndonjë tjetër që mund të evidentohet në vazhdim. Përveç ndërtimit të një skuadre solide, drejtuesit e Dinamos po shohin me kujdes edhe pistën e të rinjve. Një investim për të ardhmen, që në një klub si Dinamo mund ta bësh në kushtet më komode, sepse presioni i rezultatit nuk është si te Tirana apo Partizani, dy klubet e tjera të kryeqytetit.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"