“U çmenda, ai kishte kartelën perfekte”, doktori i Totenhemit hedh dritë mbi Eriksenin: Nuk e di a do të luajë në të ardhmen
Kristian Eriksen ndoshta pësoi një arrest kar diak, por pati një reagim të jashtëzakonshëm. Ky është mendimi i ish-mjekut të tij në kohët e Totenhemit. Ai tha se ylli 29-vjeçar i Danimarkës duket se ishte shëruar “shumë shpejt” duke pasur parasysh faktin që zemra e tij ishte ndalur për thuajse pesë minuta. Profesori Sanxhai Sharma, prej vitesh bashkëpunon me “Spurs”-at, ndërkohë që paralelisht është lektor në Universitetin “StGeorge” të Londrës. Ai e ka vendosur në provë zemrën e Eriksenit nga 2013 e deri në janar të vitit të kaluar kur mes fushori u transferua tek Interi. Mjeku në fjalë, e vuri danezin në provë përmes një serie vjetore testesh midis 2013 dhe 2020 duke mos identifikuar kurrë anomali kardiake. Në intervistën për “DailyMail” ai ka shpjeguar përvojën e tij me mesfushorin që rrezikoi jetën të shtunën pasdite.
Doktor, e patë atë që ndodhi me Kristian Eriksenin?
E pashë. Ishte e tmerrshme, por stafi mjekësor meriton elozhe për ndërhyrjen e shpejtë që bënë duke i shpëtuar jetën djaloshit. Të gjithë kanë bërë një punë fantastike dhe përveç ndihmës, më pëlqeu se si shokët e mbrojtën. Shpresoj që të shërohet së më shpejt.
Çfarë ndiet në ato çaste?
Unë jam mjek dhe profesioni im është i tillë. Teksa shikoja imazhet e fushës mendova nëse ne te Totenehmi kishim gabuar diçka apo nëse na kishte shpëtuar ndonjë detaj pa u vënë re në testet që i kishim bërë Kristianit. Oh Zot, thashë me vete, por pasi kontrollova të gjitha kartelat vura re se shëndeti i tij ka qenë i përsosur gjatë përvojës në Londër.
Përse ndodhin të tillë gjëra? Stres apo patologji?
Që nga dita që ka firmosur me klubin, ka qenë puna ime që ta monitoroj. E kemi testuar çdo vit dhe asnjëherë nuk kemi hasur anomali të aspektit kardiak. Këtë e them hapur sepse testet dhe analizat ia kam kryer me duart e mia.
A do të jetë në gjendje Kristiani të rikthehet në fushë?
Këtë nuk e them dot unë, e jo në këto momentet. Praktikisht, ai të shtunën vdiq për pesë minuta. A do ta lejojnë mjekët të vdesë sërish, kjo është çështja. Kur ndaloi zemra e tij ndaloi një botë e tërë. Nuk është vetëm aspekti fizik, tashmë ndikim të madh ka edhe ana psikologjike.
Po thoni që karriera e tij ka përfunduar?
Lajmi i mirë është që Kristiani është gjallë dhe mes nesh. Lajmi i keq është që ishte 30 vjeç e sigurisht nuk është më në fillimin e karrierës. A do të ketë forcë për të luajtur përsëri mes profesionistëve? As këtë nuk mund ta them.
Përgatiti: REINOLD BAKALLI
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"