U dënua dy vite, Allkja: Më falni si Sadikun, nëse më amnistoni, jua kthej si sulmuesi i Kombëtares

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 18, 2017 | 22:27

U dënua dy vite, Allkja: Më falni si Sadikun, nëse më amnistoni, jua kthej si sulmuesi i Kombëtares

7 vite më pas rikthehen “hijet” e Armando Sadikut në Elbasan. Bëhet fjalë për dënimin 2- vjeçar që sulmuesi i Kombëtares mori në atë kohë nga Disiplina, për shkak se pështyu anësorin në sfidën Elbasani-Laçi. Mirëpo, u gjet mekanizmi që Sadiku të amnistohej dhe më pas historinë e dinë të gjithë: ua shpërbleu me paraqitjet e tij në Kombëtare dhe golin historik në Europian përballë Rumanisë.

Sot, një tjetër lojtar elbasanas dënohet dy vjet pasi pështyu anësorin, Mateo Allkja. Në një rrëfim ekskluziv për “Panorama Sport”, mesfushori 19-vjeçar bën “meaculpa” dhe kërkon ndjesë të thellë për të gjithë, teksa shpreson që t’ia falin, ose të paktën t’ia ulin dënimin.

allkja

Allkja, u dënuat dy vite për të mos luajtur më futboll, si ndiheni?

Çfarë të them?! Një lojtar nuk ndihet mirë edhe kur merr një karton të kuq dhe mungon ndeshjen e radhës, jo më dy vite. Është një dramë për mua gjithë kjo që ka ndodhur.

Çfarë ndodhi saktësisht në ndeshjen me Albpetrolin?

Tani ne luajmë në fushë, djersijmë dhe kur ka vendime të padrejta, si në rastin e penalltisë, irritohemi. Njerëz prej gjaku jemi, ndoshta ia vë fajin edhe pak moshës dhe bëra atë gabim. Sa keq që një vendim i momentit të kushton karrierën dhe që, për fat të keq, nuk e kthej dot më pas.

Jeni penduar për veprimin që keni bërë?

Normal, e thashë që ishte diçka e momentit dhe më doli vetja nga kontrolli. Meqë më jepet rasti, dua t’i kërkoj falje anësorit dhe të gjithëve. Sinqerisht, kërkoj shumë falje!

Dakord, por vendimi është marrë tanimë…

Është marrë, por shpresoj të ma falin ose të ma ulin disi. Duhen marrë parasysh të gjitha rrethanat, pasi një dënim i tillë mund të më detyrojë të lë futbollin, kur sapo e kam nisur atë.

Çfarë do të bëni tani, do e ankimoni vendimin?

Do të ndjek rrugët që të shihet ky dënim që kam marrë dhe shpresoj që të vënë dorën në zemër dhe të marrin parasysh edhe moshën time. Nuk di çfarë të them më shumë, di të them që jam penduar.

Nëse për fat të keq nuk ulet dënimi, çfarë do të bëni?

Unë aktualisht po vazhdoj me stërvitjen dhe, për momentin, shpresoj ende që do ta marrin parasysh edhe pendesën time. Nëse për fat të keq nuk ndodh kështu… nuk e di, ose do e lë, ose do shoh ndonjë mundësi jashtë.

Pse duhet t’ju falin juve?

Më kujtohet para shumë vitesh që, për të njëjtin veprim, u dënua edhe Armando Sadiku dy vjet dhe, më pas, ia falën dhe shumë mirë bënë. Erdhi një ditë dhe Sadiku ua shpërbleu të gjithën këtë dhe sot është një nga lojtarët kryesorë të Kombëtares.

Çfarë lidhje ka kjo me rastin tuaj?

Po ja, dua të them që, nëse unë u nxitova dhe në nerva e sipër bëra një veprim që nuk duhej dhe që s’ka për të ndodhur më kurrë nga ana ime, nuk duhet të veprojnë kështu edhe komisionet që japin dënimin. Pra, të jenë më të qetë dhe të mendojnë që një futbollisti që po i djegin karrierën sot, nëse e falin, një ditë mund t’ua shpërblejë si Armando Sadiku.

Cila është thirrja juaj e fundit për Komisionet që kanë në dorë faljen tuaj?

Ata që japin vendime, së pari, janë njerëz dhe e dinë shumë mirë se çfarë do të thotë të dënosh një 19-vjeçar me dy vite pa futboll. Shiheni me qetë- si rastin tim, merreni parasysh edhe situatën që po kaloj dhe mendoni se një ditë ky lojtar do t’ia shpërblejë vendit të tij në futboll…

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"