U duhen 4 pikë për të evituar rënien direkte. Besa më e plotë në Fier, rikthehen Ramilli dhe Balla

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 1, 2024 | 14:52

U duhen 4 pikë për të evituar rënien direkte. Besa më e plotë në Fier, rikthehen Ramilli dhe Balla

Krahas fatit, kundër Korabit verdhezinjtë luajtën edhe me 3 mungesa titullarësh, që për grupin që ka Besa peshojnë jo pak. Kështu, përvoja e një lojtari në qendër të mbrojtjes si Mylsim Ramilli apo mesfushori Balla, ndikoi jo pak në ndeshjen me dibranët, takim i cili u luajt në stadiumin e “Roza Haxhiu” të Lushnjës.

perja duke festuar golin te Besa

Për të tepër, që i vetmi kavajas në formacion, Skerdjan Perja, prej 3 javësh mungon si i pezulluar nga Disiplina dhe mund të kthehet vetëm kundër Flamurtarit në javën e fundit. Të dy futbollistët Ramilli e Balla vuajtën plotësimin e numrit të kartonëve, ndërsa Perja dënimin prej 4 javësh nga disiplina. I vetmi lajm i mirë në këtë moment ka të bëjë me rikthimin pas gati 2 muajsh të një lojtari të ri, pikërisht qendërmbrojtësit Ersi Kapo. Kundër Apolonisë do të rikthehen të dy futbollistët Ramilli dhe Balla, por nuk dihet fati i Perjes.

Ky i fundit mund të kthehet, nëse dënimi i mbetur shlyhet duke paguar gjobën përkatëse. Edhe në këtë ndeshje trajneri Dorjan Bubeqi do të drejtojë nga tribuna, pasi edhe ky është dënuar me 4 javë nga Disiplina. Gjithsesi, stafi do ta ketë disi më të plotë grupin për sfidën me fierakët. Duke iu referuar situatës në renditje, Besës i duhet që të paktën të mos humbasë në Fier dhe të fitojë me Flamurtarin në shtëpi në javën e fundit të kampionatit.

Nëse Besa humbet në Fier dhe Luzi 2008 fiton në Vlorë, atëherë Besa do të jetë thuajse e rënë në Kategorinë e Dytë, duke besuar në fitoren e luznjakëve në javën e fundit kundër Vorës. Për të gjitha këto, rikthimet e Ramillit e Ballës do të ishin një farë ngushëllimi për Bubeqin. Kujtojmë se Apolonia u mund në Luz dhe mbetet të shihet nëse do ia dalë kundër Besës.

FERIZ FERIZAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"