“U mërzita që Silvinjo më la në stol, por do ta përdor si benzinë”, rrëfimi i Brojës: Portieri Raja si kangur, ju tregoj lojtarët që kuptohem më mirë
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Armando Broja, i ftuar në emisionin “Kampionët”, zbuloi lojtarët më të cilët kuptohet më mirë në fushë.
Broja foli gjithashtu edhe për dy rastet që kishte për shënim ndaj Spanjës. Për rastin e parë, sulmuesi deklaroi se u çudit si e priti portieri i Spanjës, të cilin e quajti si kangur.
“Në fushë më mirë kuptohem me Mario Mitaj, jemi shumë mirë. Nuk flasim me gojë, por me sy. Me Gjimshitin po ashtu. Me Muçin, me Asllanin gjithashtu.
Te rasti i parë ndaj Spanjës, nuk e dija ku ndodhej portieri. Në Angli, tregon shoku i skuadrër, nëse kam kohë për ta kontrolluar, por aty nuk dëgjova asgjë dhe gjuajtja direkt. Kur më pasoi Asllani, mendova se kishte dalë portieri, por kur gjuajtja dhe e pashë që ishte aty, s’kisha çfarë të bëja.
Te rasti i dytë nuk kisha shumë kohë, ishte instinkt, vetëm për t’i rënë topit. Raja e njoh nga Arsenali dhe u çudita si e priti atë rastin e parë. E kapi si kangur.
Si çdo lojtar u mërzita, por respektoj vendimet e trajnerit. Këtë mërzitje duhet ta përdor si benzinë për të bërë mirë. T’i tregoj trajnerit që mund të luaj edhe unë. Bëmë një ndeshje shumë të mirë si ekip. Pas ndeshjes, pamë në telefon që kishim mundësi të fitonim ndeshjen. Patëm shumë raste, e mund të shënonim më shumë gola.
Kroacia nuk është e lehtë, kanë prekur finale. E dinim, por rezultati 2-2 ishte i bukur ama mund të bënim më shumë për 3 pikë. Ndaj Spanjës me një barazim edhe mund të dilnim nga grupi. Nuk është se këto ndeshje na kanë shkatërruar, ne kemi patur mundësi të fitonim.
Kur jam në vështiresi flas me mamin dhe babin. I kam pas gjithmonë afër, edhe në momentet më të vështira dhe ato të lumtura. Kur isha i vogel kam pasur besim se do luaja në Europian. Edhe babi u mërzit që nuk luajta aq shumë”, u shpreh Broja.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"