U ndal nga problemet shëndetësore, Xhejms Ajinde i lumtur për qëndrimin e Lushnjës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 27, 2024 | 15:09

U ndal nga problemet shëndetësore, Xhejms Ajinde i lumtur për qëndrimin e Lushnjës

Lushnja e siguroj mbijetesën në Kategorinë e Parë falë fitimit të ndeshjes shtesë me Ilirinë. Dëmtimet e shumta, kryesisht në sulm, ndikuan deri-diku në ecurinë e verdhejeshilëve. Sulmuesi nigerian i Lushnjës, Xhejms Ajinde, shënoi shtatë gola për lushnjarët.

ajinde lushnja

Ai luajti deri më 16 mars, që përkon me sfidën ndaj Flamurtarit në Vlorë në formë huazimi nga Egnatia dhe është nën kontratë me klubin rrogozhinas deri në verën e vitit të ardhshëm. Nigeriani ishte i ndaluar për të bërë një “stop” të gjatë për arsye shëndetësore. Pasi kaloi me sukses operacionin, kampionati i Ajindes vazhdoi në tribunë me tifozët e Lushnjës duke iu gëzuar një fundi të lumtur. Në një prononcim për “Panorama Sport”, sulmuesi 22-vjeçar shfaqi gëzimin për qëndrimin e verdhejeshilëve në Kategorinë e Parë. “U kënaqa shumë me luftën sportive që bënë shokët e skuadrës. Ne nuk donim të ishim në atë pozicion, por e gjetëm veten atje.

Jam i kënaqur që të paktën mbajtëm një vend në Kategorinë e Parë edhe për sezonin e ardhshëm si një motiv për qytetin e Lushnjës dhe për ata tifozë pasionantë, që na përkrahën me shumë dashuri”, deklaroi fillimisht sulmuesi nigerian Ajinde. 22-vjeçari shënoi 7 gola duke dhënë një kontribut sezonal të rëndësishëm për skuadrën e Lushnjës, ndonëse luajti deri në javën e 25-të, ku u ndal për arsye shëndetësore. “Do të doja të shënoja më shumë. Për mua çdo gol është i bukur pa marrë parasysh sesi shënohet, sepse në fund golat ndryshojnë lojën. Kështu që, nuk kam ndonjë të preferuar. Sa i përket sëmundjes, ajo ka kaluar dhe gjithçka është në rregull tani.

Kështu që unë mund t’i rikthehem stërvitjeve të prag-sezonit të ri”, tha Ajinde. Në lidhje me vazhdimësinë, nigeriani i Egnatias, që luan në Lushnjë në formë huazimi deklaroi: “Të ardhmen nuk e di për momentin. Ky është një vendim që nuk mund ta marrë tani. Kontrata me Egnatian përfundon verën e ardhshme. Unë dua të bëj gjithmonë mirë dhe sulmuesi i kombëtares së Nigerisë, Viktor Osimhen është idhulli im”, deklaroi sulmuesi Xhejms Ajinde.

ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"