U21, Shqipëria thyen 2-0 Lihtenshtejnin, vendosin golat e Latifit dhe Rei Manajt
Kombëtarja Shpresa ka shkëlqyer dje në ndeshjen e parë të edicionit kundër Lihtenshtejnit, duke fituar me rezultatin e pastër 2-0 në transfertë. Sulmuesi i Skënderbeut, Liridon Latifi dhe mesfushori i Kremonezes, Rei Manaj, kanë shënuar për kuqezinjtë e rinj. Takimi është dominuar totalisht nga Shqipëria, që ka pasur edhe disa raste të tjera për të shënuar. Rrahmani, Gavazaj dhe Latifi kanë qenë ndër më të mirët në fushë dhe protagonistë thuajse në çdo rast të kuqezinjve. Ky start me fitore i jep më shumë moral për vazhdimësinë skuadrës së trajnerit Skënder Gega. Takimin e radhës për grupin 4 eliminator në kuadër të “Euro 2017”-ës, Shqipëria do ta luajë kundër Izraelit më 3 shtator.
Pjesa e parë
Gega kishte hedhur në fushë një skuadër sulmuese duke guxuar që në fillim. Uzuni, Gavazaj, Latifi dhe Vatnikaj kanë qenë katërshja e deklaruar në ofensivën kuqezi. Lihtenshtejni është treguar shumë i dobët përballë furisë së Shqipërisë, që ka arritur të mbyllë në portë kundërshtarin për shumë minuta. Në nisje të lojës bëhet protagonist me dy raste për të shënuar mbrojtësi Amir Rrahmani, i cili dje mbante edhe shiritin e kapitenit. Kuqezinjtë synojnë të shënojnë nga goditjet e dënimit, por deri në minutën e 31-të nuk arrijnë të çajnë mbrojtjen vendëse. Megjithatë, një aksion personal i Gavazajt nga krahu i majtë finalizohet nga Latifi, i cili brenda zone nuk fal. Menjëherë pas pësimit të golit, Lihtenshtejni reagon me Kaiser, por Teqja shpëton portën kuqezi. Loja ekuilibrohet, por gjithsesi Shqipëria ka shanse më të mira për të shënuar. Vatnikaj ka rastin për të çuar skuadrën në pushim me shifrat 2-0, por gabon përballë portierit Majer. Me fitoren 1-0 të Shqipërisë mbyllen 45 minutat e para.
Pjesa e dytë
Pas pushimit, Shqipëria rifutet në fushë me dy ndryshime. Trajneri Gega largon mbrojtësin Marku dhe sulmuesin Vatnikaj, për të aktivizuar Hoxhallarin dhe Manajn. Loja duket fotokopje e pjesës së parë dhe i vetmi ndryshim është se kuqezinjtë e gjejnë golin më shpejt. I sapofuturi Manaj arrin të dyfishojë shifrat, duke i dhënë garanci skuadrës për vazhdimësinë e lojës. Lihtenshtejni thuajse është i dorëzuar dhe pavarë- sisht përpjekjeve, e ka të vështirë të gjejë hapësira në mbrojtjen e Shqipërisë, që me Rrahmanin në qendër është në një ditë të shkëlqyer. Gavazaj dhe Uzuni kanë mundësi të trefishojnë rezultatin, por janë të pafat. Portieri i Lihtenshtejnit ishte më i miri në fushë për skuadrën e tij, teksa evitoi gola të sigurt. Në 10 minutat e fundit, Shqipëria administron rezultatin dhe pret e qetë vërshëllimën e gjyqtarit çek. Gjithçka mbyllet me triumfin e merituar të të besuarve të Gegës, që e nisin edicionin në mënyrën më të mirë të mundshme, me tri pikë në transfertë. Kombëtarja U-21 ndodhet në një grup të hekurt me Portugalinë, Hungarinë, Greqinë, Izraelin dhe Lihtenshtejnin.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"