Ulen në stol dy të huajt Vuk dhe Moreno, ja se si ndryshon Vllaznia me Grimën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 12, 2012 | 10:10

Ulen në stol dy të huajt Vuk dhe Moreno, ja se si ndryshon Vllaznia me Grimën

Trajneri i ri, ide të reja. Armir Grima pritet të bëjë disa ndryshime në formacion, në krahasim me 11-shen që ka hedhur në fushë ish-trajneri i Vllaznisë, Rudi Vata. Nga burime pranë stafit teknik, mësohet se Grima do të bëjë dy lëvizje që prekin repartin e mbrojtjes dhe atë të mesfushës. Blerjet e merkatos së janarit, kroati Gordan Vuk dhe andorriani Sergi Moreno, pritet ta nisin nga stoli ndeshjen e së shtunës në Ballsh. Mbrojtësi dhe mesfushori nuk kanë bindur me lojën e tyre dhe Grima do t’i ulë në stol, për t’u dhënë mundësinë e aktivizimit lojtarëve të tjerë në pozicionet e dy të huajve. Gjithashtu, trajneri ka skicuar edhe spostime në vendet e disa titullarëve. Nga ana tjetër, risia me të rinjtë është prania në formacion e mesfushorit të qendrës, Bekim Dema. Në portë Grima do t’i besojë sërish ish-kolegut të tij, Vujadinoviç. Në mbrojtje do të kthejë në rolin e tij, në krahun e djathtë, lezhjanin Smajli, ndërsa në qendër do të rikonfirmojë dyshen shtatlarte: Kraja- Petroviç. Në krahun e majtë Grima duket se ka menduar “veteranin” Belisha. Për sa i përket mesfushës, në qendër do të luajë i riu Dema dhe malazezi Bërnoviç, ndërsa nga krahët Gocaj dhe Popoviç. Në sulm ka dilema, pasi nuk dihet nëse do të mund të riaftësohet Hajdari. Nëse ky i fundit nuk është i gatshëm, atëherë Grima pritet t’i besojë në krah të Jablanit një midis Gurit dhe Erkoçeviçit. Gjithsesi, së pari do të shikohet gjendja e titullarit Hajdari.

PREMÇI, ZV.TRAJNER
Astrit Premçi, ish-lojtari i Vllaznisë së viteve ’90, nga dje është emëruar zëvendëstrajner i skuadrës shkodrane. Ish-mbrojtësi i shquar do të jetë në krah të Grimës dhe Sinanit. Kjo treshe ka luajtur për një kohë të gjatë së bashku. Premçi ka qenë pjesë edhe e skuadrës kuqeblu, që u shpall kampione për herë të fundit.

“Lojtarët e tepruan me pijet energjike”
Lajmi i publikuar një ditë më parë në “Panorama Sport” për heqjen e makinës së vënë në dispozicion nga ana e klubit për lojtarët e huaj, si dhe mungesën e pijeve freskuese për ta, ka sjellë menjëherë reagimin zyrtar të drejtuesve. Këta të fundit kanë pranuar se futbollistëve të huaj u janë hequr vetëm gjërat e tepërta që kanë përfituar deri më tani. Kësisoj, janë reduktuar pijet freskuese. Nga ana tjetër, klubi ka hequr pijet energjike dhe automjetin që i ka shoqëruar lojtarët e huaj, kryesisht Sergi Morenon dhe Gordan Vuk, për të shkuar në stërvitje. Nga sa bëhet e ditur nga drejtuesit e klubit shkodran, këtyre lojtarëve u është hequr prej kohësh automjeti që i ka shoqëruar në stërvitje. Në reagimin zyrtar për gazetën, klubi shkodran mohon të ketë privuar nga disa të drejta këta lojtarë në shenjë hakmarrjeje. Gjithçka ka ndodhur që në kohën kur në pankinë ka qenë trajneri Rudi Vata dhe këto ndryshime, sipas asaj që thonë në klubin kuqeblu, nuk kanë lidhje me ish-teknikun. Ky i fundit ka dhënë OK-in për afrimin te Vllaznia të andorrianit dhe kroatit. “Përdorimi i pijeve freskuese në restorantin ku lojtarët edhe ushqehen, ka tejkaluar çdo cak. Ndryshe nga lojtarët e tjerë shkodranë, të huajt përveç kuotës ushqimore që e kanë të paguar, kanë shpërdoruar në drejtim të pijeve energjike”,- tregojnë drejtuesit, të cilët nuk duan të bëjnë diferencime mes lojtarëve.

Çfarë ndodhi?
Rreth dy javë më parë, futbollistët e huaj të Vllaznisë, të cilët si çdo ditë shkonin në stërvitje me automjetin e vënë në dispozicion nga klubi, mësuan se kjo mundësi udhëtimi do të privohej. Ata u detyruan që të shkonin në stërvitje duke gjetur mënyra të tjera. Nga ana tjetër, në restorantin ku drekonin dhe darkonin, do të kishin mundësi të porosisnin vetëm ujë, jo pije freskuese apo energjike, siç kanë bërë në të kaluarën.

Tifozët, nesër protestë
Ditën e premte është sinjalizuar nga ana e tifozëve “Vllaznit Ultras”, një protestë para Bashkisë së Shkodrës. Mësohet se grupimi i ultrasve do të reagojë për largimin nga drejtimi i skuadrës së trajnerit Rudi Vata, si dhe situatën kaotike që po kalon Vllaznia aktualisht. Nuk dihet nëse këtij grupimi që ndjek në çdo takim Vllazninë, do t’i bashkohen edhe tifozë të tjerë shkodranë. Ultrasit janë kundër vendimeve të fundit të klubit.
Admir Uruçi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"