“Unë jam i lumtur këtu”, Guardiola konfirmon prezencën e belgut në skuadër: De Bryjne qëndron te Siti!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 24, 2024 | 12:48

“Unë jam i lumtur këtu”, Guardiola konfirmon prezencën e belgut në skuadër: De Bryjne qëndron te Siti!

Pep Guardiola thotë se Kevin De Bryjne nuk do të largohet nga Mançester Siti këtë verë. Klubi i Ligës Pro Saudite, AlItihad, është lidhur me një transferim të mundshëm të De Bryjnes, i cili ka hyrë në vitin e fundit të kontratës së tij me Sitin.

reyr

Megjithatë, duke folur përpara miqësores së Mançester Sitit kundër Sëlltikut në Karolinën e Veriut, menaxheri i “qytetarëve” tha: “Kevin nuk do të largohet. Nëse dikush largohet, ne do të flasim për këtë. Sigurisht, deri në ditën e fundit ne kemi shanse për të bërë transferime, nuk e përjashtoj mundësinë që të kemi lojtarë të rinj, por mendoj se ka një shans 85/90 për qind që të kemi të njëjtën skuadër. Ndihem rehat, sepse cilësia e qenieve njerëzore që kemi në skuadër është e vështirë të zëvendësohet dhe cilësia është aty. Por do të shohim, nuk e di në momentin e fundit nëse dikush do të vijë dhe disa lojtarë do të largohen. Ne do të vendosim”. Mesfushori belg tha në Europian se ai do të qëndronte në “Etihad” përtej kësaj vere, pavarësisht se më parë ishte shprehur se joshej nga mundësia për ta mbyllur karrierën në Arabi, ku ofrohen rroga të çmendura.

I pyetur nga gazeta belge “Het Laatste Nieuws” përpara humbjes së 1/8-ave kundër Francës, për të ardhmen e tij, ai tha: “Po, do të qëndroj. Kam lexuar shumë tituj për një transferim, por nuk kam folur me askënd. Unë e takova Majkëll Emenalon (drejtorin sportiv të Ligës Saudite) në Kupën e Botës për Klube. E njoh Majkëllin, kështu që është normale që ne të bisedojmë. Por nuk bëhej fjalë për një transferim. Është e vështirë të thuhet tani se cila do të jetë lëvizja ime e radhës. Ne do të ulemi rreth tryezës në muajt e ardhshëm. Unë e kam nënshkruar kontratën time në kohën e duhur. Nëse ju merrni një ofertë të mirë dhe i thoni Pepit që dëshironi të largoheni, kjo është e mundur. Kjo mund të jetë ndryshe në klubet e tjera. Por unë kurrë nuk kam treguar se dua të largohem. Unë kam më shumë se mjaftueshëm para. Por nëse vjen një shifër absurde… ajo është edhe për familjen time, të afërmit e mi, nipërit e mbesat e mia, stërnipërit e mi dhe miqtë e mi”. De Bryjne nënshkroi për Sitin në verën e vitit 2015 dhe që atëherë ka fituar 15 trofe të mëdhenj.

ANGLIA – Guardiola është përfolur edhe si një kandidat për të marrë drejtimin e stolit të Anglisë mes lajmeve se Federata Angleze do të konsideronte emërimin e një trajneri të përkohshëm për të provuar të bindte trajnerin e Sitit, nëse ai vendos të largohet nga “Etihad” në vitin 2025. Por për momentin, Guardiola thotë se është duke menduar vetëm për rolin e tij aktual. “Jam shumë i emocionuar për këtë sezon”, tha Guardiola. “Jam vërtet i lumtur këtu. Si çdo sezon, më duhet patjetër pushimi, por pas kësaj, i karikoj bateritë dhe kam të njëjtën energji si zakonisht. E di se konkurrenca po vjen, unë do të jem ky që jam. Jam plotësisht i fokusuar në këtë”.

ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"