Armando Vajushi “lan duart” me Vllazninë, firmë për Liteksin
Armando Vajushi firmos zyrtarisht për Liteks Loveç. Talenti shkodran ka arritur dje në mbrëmje marrëveshjen me klubin bullgar, duke nënshkruar një kontratë 3-vjeçare, nga e cila do të përfitojë në total 400 mijë euro. Lojtari do të marrë mbi 130 mijë euro në sezon, ndërkohë që në kontratë janë parashikuar edhe disa bonuse, të cilat varen direkt nga ecuria e Liteksit në kampionatin bullgar dhe Kupat e Evropës. Nga ana tjetër, klubi i Vllaznisë, që disponon kartonin e lojtarit, do të përfitojë 100 mijë euro pas këtij transferimi. Kjo shumë ishte parashikuar në kontratën që Vajushi kishte me klubin kuqeblu, teksa ajo i përfundonte në verën e vitit 2013. Kësisoj, pas shumë dilemash për destinacionin e ardhshëm të talentit shkodran, dje mori fund gjithçka dhe lojtari do të nisë një aventurë të re në Bullgari.
Negociatat – Në një nga hotelet luksoze të Sofjes, kryeqytetit bullgar, babai i futbollistit, Artan Vajushi, i shoqëruar nga menaxheri i FIFA-s, Uliks Kotrri, kanë biseduar për orë të tëra me drejtuesit e klubit të Liteksit. Si përfaqësues zyrtar, bullgarët kishin dërguar në takimin me menaxherin e Vajushit, djalin e presidentit të klubit, Grisha Gançev. Bëhet fjalë për Danail Gançev, i cili mbylli operacionin “Vajushi”. Nga burime të besueshme pranë lojtarit, mësohet se marrëveshja nuk ka qenë e lehtë për t’u arritur. Disa klauzola në kontratë nuk e bindën lojtarin, por gjithsesi, në fund u arrit një marrëveshje, teksa të tria palët (lojtari, Vllaznia dhe Liteksi) mbetën të kënaqura.
Vëzhgimi – Prej disa muajsh, drejtuesit e klubit kampion në fuqi të Bullgarisë, Liteks Loveç, kanë ndjekur ecurinë e 20-vjeçarit shkodran. Së fundmi, në ndeshjet që Kombëtarja U-21 luajti me Rusinë dhe Portugalinë në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, Liteksi kishte dërguar një përfaqësues zyrtar për të vëzhguar Vajushin. Çeço Zelenski, drejtori teknik i Liteksit, qëndroi disa ditë në Shqipëri, i shoqëruar nga ish-futbollisti i Kombëtares, Alban Bushi. Ky i fundit ka luajtur më parë me Liteksin dhe ka bërë “shkesin” mes bullgarëve dhe palës shkodrane. Pasi u bindën për cilësitë e Vajushit, drejtuesit e klubit bullgar nisën tratativat zyrtare me lojtarin, duke bërë ofertën konkrete. Në fund, Vajushi i tha “po” Liteksit, duke firmosur zyrtarisht.
Lojtari, prezantim më 4 janar
Vajushi do të prezantohet zyrtarisht me skuadrën e re më 4 janar. Përpara se të zhvillojë stërvitjen e parë me Liteksin, pritet që talenti shqiptar të dalë para mediave në një konferencë për shtyp, bashkë me një tjetër blerje të Liteksit. Firma e Vajushit në kontratë mësohet se është dërguar me faks, pasi vetë lojtari nuk ka qenë i pranishëm në negociatat që babai dhe menaxheri i tij kanë bërë me bullgarët. Dy të fundit kanë qenë të autorizuar nga lojtari dhe klubi shkodran për të mbyllur marrëveshjen. Sot pritet që bullgarët të transferojnë për llogari të Vllaznisë shumën prej 100 mijë eurosh dhe gjithçka të mbyllet zyrtarisht.
Skeda e Vajushit
Ditëlindja: 03.12.1991
Vendlindja: Shkodër
Gjatësia: 1.80 cm
Pozicioni: Mesfushor-sulmues
Karriera: Vllaznia (2009-2011)
Ndeshje me Vllazninë: 45
Gola me Vllazninë: 8
Me Kombëtaren U-21:
10 ndeshje, 1 gol;
Me Kombëtaren U-19:
4 ndeshje, 1 gol;
Bushi dhe Haxhi, ata që shpërthyen te Liteksi
Tifozët e Liteksit, që përfaqëson qytetin e Loveçit në kampionatin bullgar, kanë ende nostalgji për lojtarët shqiptarë që janë aktivizuar në vitet 1997-2000. Bëhet fjalë për Alban Bushin e Altin Haxhin, dy ish-futbollistë të Kombëtares që u kthyen në idhuj te Liteksi. Tifozët “portokall” të skuadrës bullgare u “dashuruan” me Haxhin dhe Bushin, teksa dy shqiptarët bënë paraqitje të shkëlqyera për aq kohë sa luajtën. Ata fituan gjithçka, qoftë titullin kampion, por edhe trofe personalë. Haxhi dhe Bushi u shpallën futbollistët e huaj më të mirë të kampionatit bullgar. Golashënuesi luajti deri në vitin 1999, ndërsa gjirokastriti Haxhi qëndroi edhe një sezon më tepër. Presidenti i Liteksit, Grisha Gançev, mësohet se mban ende kontakte me dy ish-lojtarët e përfaqësueses shqiptare.
JORGIS MEMO