Vakum në sulm, dyshime për kthimin e Dumfur te Skënderbeu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 4, 2024 | 17:30

Vakum në sulm, dyshime për kthimin e Dumfur te Skënderbeu

Skënderbeu vijon përgatitjet, në pritje të zhvillimeve të reja në merkato, në hyrje dhe në dalje. Ditën e tretë të stërvitjes trajneri Ivan Gvozdenoviç e kishte thuajse të kompletuar ekipin ekzistues, pasi me grupin janë bashkuar edhe ata që mungonin ditët e para. Bëhet fjalë për Marko Alian, Jurin, Marko Ramos dhe Ermir Rashicën.

DUMFUR

Mungojnë vetëm Mario Rabiu dhe Randi Dumfur. I pari pritet të vijë të premten në Korçë, ndërsa për Dumfur nuk ka një datë se kur mund të bashkohet me ekipin. Në klub nuk konfirmojnë asgjë rreth një largimi të mundshëm të mbrojtësit ganez, por ka zëra se Randi kërkon një tjetër destinacion për sezonin e ri. Në këtë rast pritet të shihet edhe pjesa e zgjidhjes së kontratës, nëse do të kishte vërtet një interesim nga Randi për të ndryshuar ambient. Lojtari ka kontratë edhe për 6 muaj me Skënderbeun. Mbetet gjithçka për t’u parë, pasi edhe para dy sezonesh Randi nuk u paraqit në grumbullim dhe doli në stërvitje me një ekip grek të kategorisë së dytë, por më pas u kthye në Korçë.

SULMI – Sulmi duket se është “Thembra e Akilit” për Skënderbeun, pasi janë 4 largime nga ekipi i sezonit të kaluar, një shifër e lartë kjo. Korçarët kanë afruar Oniks Grezdën, por trajneri Gvozdenoviç kërkon në këtë repart lojtarë të tjerë me eksperiencë për të drejtuar ofensivën korçare sezonin e ardhshëm. Ka pasur një takim dje mes trajnerit dhe drejtorit sportiv Ardi Gjançi, ku numri 1 i stolit ka kërkuar që lojtarët e piketuar nga klubi të vijnë sa më shpejt, në mënyrë që të integrohen mirë me grupin. Megjithatë, në Korçë duket se e kanë marrë me qetësi pjesën e lëvizjeve në merkato dhe po tregohen të kujdesshëm. Klubi nuk do që të gabojë, por do të bëjë një merkato cilësore, siç ndodhi vitin e kaluar.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"