“Varemi nga dënimi i Juves”, Pioli analizon situatën te kuqezinjtë: Sezoni nuk u mbyll në derbi
Në 72 orë diferencë nga humbja dhe elimini mi në derbi, Stefano Pioli ruan të njëjtin zhgënjim. Sidoqoftë, kjo nuk e pengoi të analizonte takimin e sotshëm kundër Sampit dhe pjesën e mbetur të sezonit.
Sa rëndësi kanë këto ndeshje të mbetura?
Shumë, sepse nuk jemi aty ku duhet të ishim. Sidoqoftë, nuk do të bëjmë asnjë llogari e do të mendojmë vetëm për Sampin. Për fat të mirë sezoni ynë nuk përfundoi në derbi dhe kemi tri ndeshje për të treguar sa vlejmë.
Si është humori i skuadrës?
Zhgënjimi ishte i madh pasi dëshironim të mbërrinim në finale. Megjithatë, do të jemi gati për nesër (sot), ku na kërkohet të reagojmë si ekip i madh, sepse edhe objektivi Champions ka shumë rëndësi. Sezoni ynë do të gjykohet pikërisht nga mbërritja ose jo mes katër të parave.
Ia vlejti rrugëtimi në Champions?
Patjetër, sepse mësuam gjëra që nuk i dinim dhe që do të na ndihmojnë të rritemi. Na erdhi keq sepse e nisëm mes 32 ekipeve dhe përfunduam mes katër më të mirave. Uroj të kemi raste të tjera në karrierë për të luajtur në të tilla nivele.
Ndiheni inferior ndaj Interit?
Dallimin e bënë ato tre minuta të ndeshjes së parë kur Interi shënoi dy herë. I vetmi defekt yni ishte aty dhe jo cilët lojtarë luajtën apo si luajtën. Çdo ndryshim është bërë për të qenë në kushtet ideale. Tani duhet të shohim përpara.
Sa shanse keni për vendin e pestë?
Ndaj Sampit duhet të fitojmë sepse na nevojiten pikët dhe sepse kemi lënë shumë pikë rrugës me ekipe të ashtuquajtura “të vogla”. Për shanse dhe bilance do të flasim pasi të kemi marrë 9 pikë në ndeshjet e mbetura. Gjërat e tjera (vendimi ndaj Juves) nuk varen prej nesh.
Do të ndryshoni strategji merkatoje?
Çdo lojtar që na është bashkuar ka ardhur me miratimin e të gjithëve. Ndaj këtij grupi, ka pasur gjithmonë pak mirënjohje, pasi deri dy vjet më parë askush s’e priste që projekti ynë të ishte në këtë pikë.
Përse sivjet nuk e pamë lojën e vitit të kaluar?
Nuk jam dakord. Këtë vit kemi rritur kontrollin dhe dominimin e ndeshjeve, por na ka munguar në çerekun e fundit të fushës. Ky është mëkati ynë fillestar dhe është i rëndë.
Çfarë Sampdorie mendoni se do të gjeni?
Pavarësisht rënies matematike, lojtarët e Sampit janë duke luajtur me shumë dinjitet e krenari dhe janë një kundërshtar i vështirë. Nuk po i dal të keqes përpara, por Stankoviç ka një ekip po luan futboll të mirë e për më tepër nuk ka asgjë për të humbur.
Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"